728 x 90 Leaderboard

“Unaza” e përndezur, Veliaj stoik: djegia e gomave nuk na dal!

Ndërsa protestat e një numri banorësh të “Astirit” kanë shënuar dit-natën e 14-të, duke u shoqëruar dhe me djegie gomash, bllokim rruge, tymuese e shashka drejt godinës së Bashkisë, deri dhe me lëndime policësh, kryebashkiaku Veliaj është shfaqur stoik në qëndrimin e tij.

Gjatë një takimi më banorë të Vaqarrit për buxhetin lokal të 2019-ës, Veliaj e bëri të qartë se të ligjshmit do të shpronësohen, ndërsa të paligjshmit do marrin tre vite qera nga shteti.

“Lekët do t’ia japim për shtëpinë. Kush nuk ka asnjë letër, do t’i japim shtëpi sociale. Kush nuk ka asnjë gjë në botë, do t’i japim 3 vite qira falas. Të ndezin zjarr sa të duan, të djegin goma sa të duan, por fatin e familjeve dhe fëmijëve të këtij qyteti e kemi vetë në dorë”, tha Veliaj.

Ai më pas denoncoi disa raste, ku sipas tij, ata që dalin në protesta, kanë ndërtuar 8 kate pa leje e zënë trotuaret më lavazhe e lokale bastesh

“E kuptoj kur nga nevoja njeriu ndërton shtëpi për të jetuar, por 8 kate nuk është nevojtar, o miqtë e mi! Pse duhet t’ia marrë qeveria, bashkia lekët modeste të taksave dikujt në Vaqarr dhe në vend që të bëjmë shkollën këtu, në vend që të bëjmë rrugën, duhet t’i japim lekë dikujt që thotë ‘jam den baba den’ në një shtëpi me 8 kate, ku qartazi as i ka mbaruar 8 katet? Protestuesi më i madh, Eurolloto!

Po pse duhet njerëzit që s’luajnë baste të shpronësojnë një lloto?! Pse mos bëjmë një kopësht në Vaqarr, por duhet të japim lekë për lloto? Pse do heqim lekët e çerdheve për të shpronësuar një pikë bastesh, a ma thoni dot?! Për çfarë po protestojnë? Ky lavazhi ishte trotuar, i ka vënë vetëm këtë tendën portokalli dhe thotë më shpronësoni. Po kë të shpronësojmë more? Trotuari ishte i yni, i të gjithëve”, tha kryebashkiaku.

Ndërkohë, protestat kanë vazhduar dhe mbrëmjen e të shtunës me të njëjtin ritëm e të njëjtën kërkesë: dëmshpërblim total sipas çmimeve të tregut. /tesheshi.com/

 

Related posts