Umberto Eco i huton të gjithë pas vdekjes, testamenti: vlerësimet m’i bëni pas dhjetë vjetësh

Umberto Eco i ka hutuar të gjithë.  Nxënës të tij e kolegë i ishin futur tashmë punës për të vendosur mënyrën më të mirë sesi të nderonin shkrimtarin e  madh. Po mendonin për një takim ndërkombëtar në Universitetin e Bolonjës për të shënuar njëvjetorin e vdekjes së tij. Por, sipas asaj që shkruan “La Repubblica” një orë përpara takimit për të vendosur aktivitetet, në Shkollën e Lartë për Studime Humanitare, bashkëshortja e Umberto Eco-s, Renate ka telefonuar Patrizia Violi-n, trashëgimtaren intelektuale të semiologut për t’i dhënë lajmin.

“Në testamentin që la, ai më kërkon mua dhe fëmijëve tanë, që të mos promovojmë e të mos autorizojmë takime rreth tij, për 10 vjet”.

Të habitur e të çorientuar, më pas gati të argëtuar nga “shakaja” pas vdekjes e mjeshtrit të tyre, (kur na e thoshte nuk i dhamë rëndësi, e paska bërë vërtet, cffarë profesori) bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë nuk kanë pasur asnjë dyshim: do të respektojnë vullnetin e tij.

“Një ide gjeniale”. Edhe pse kjo “veto” e Umberto Eco-s do të jetë e vështirë që të ndiqet në të gjithë botën. Po nëse dikush bën një takim në Nju Jork apo në universitetin e Rio Grande do Sol në Brazil ku ai ka marrë 40 diploma ad honorem?

“Ne nuk do të bëjmë takime dhe nuk do të marrim pjesë nëse organizohen të tilla nga të tjerët, pas dhjetë vjetësh për këtë do të mendojnë ata që do vijnë pas nesh”, premtojnë akademikët bolonjezë.

“Në këtë shprehje të fundit të vullnetit kemi njohur vulën ironike të profesorit tonë që nuk dëshironte të mumifikohej apo të bëhej monument”, thotë Costantino Marmo, tashmë president i Shkollës së Letërsisë.

Këtë vullnet të Eco-s, Patrizia Violi e kupton kështu: “Personalisht më duket një zgjedhje e drejtë në stilin e tij, një ide gjeniale. Ka dashur të shmangë masivitetin e takimeve të rastit dhe të ftojë për një reflektim afatgjatë, të ponderuar. Por, herë pas here e thoshte se nuk do të kishte dashur ditë studimi që t’i dedikoheshin atij. Por tashmë, kemi testamentin e tij:  një ftesë për ata që dëshironin të bënin takime e simpoziume, edhe pse ndoshta me qëllimet më të mira për ta nderuar, që të ndalen. Vetë rektori që kishte kërkuar takimin, në këtë pikë do tërhiqet. Do të jetojmë me këtë dëshirë të tij”, thotë ajo.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts