728 x 90 Leaderboard

Ujrat e zeza, Prishtina iu përgjigjet me impiantin e dytë

Është inauguruar impianti i dytë për trajtimin e ujërave të zeza, në vlerë prej më shumë se 700 mijë euro në fshatin Mramor të Prishtinës.

Ky projekt është financuar nga Republika Çeke në kuadër të programit çek të bashkëpunimit dhe zhvillimit, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe është bashkëfinancuar nga Komuna e Prishtinës dhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka me këtë rast tha se qeveria e Kosovës me prioritet është duke e trajtuar çështjen e ujërave të zeza.

Lluka u shpreh se vetëm 2 për qind e ujërave të zeza janë trajtuar deri më tani, por sipas tij me investimet që po bëhen në këtë drejtim do të trajtohen deri në 80 për qind e tyre.

“Tash së fundmi e kemi vendosur gurthemelin edhe në qytetin e Gjakovës për trajtim të ujërave të zeza, shumë shpejt do e vendosim në Pejë, në Prizren është vendosur tash vonë, po ashtu në Prishtinë jemi duke punuar në një projekt të tillë dhe sapo e kemi aprovuar javën e kaluar edhe për Ferizaj dhe tani në javët e ardhshme do të jetë Mitrovica dhe Gjilani, dhe besoj që të gjitha kryesore do të kenë trajtimin e ujërave pra impiantin kryesor që do të trajtoj diku rreth 80 për qind të ujërave të Kosovës”, tha Lluka.

Ambasadori i Çekisë në Kosovë, Ivo Silhavy u shpreh se ky është projekt i rëndësishëm për prodhimin e ujit të pijshëm për popullin e Kosovës.

Ai tha se sheh perspektivë të madhe për bashkëpunim mes bizneseve të të dyja vendeve.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, i cili po ashtu falënderoi popullin çek për taksat që kanë ndarë për të rritur mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

Sipas Pacollit, sa më shumë që investohet në projekte të tilla, aq më mirë do jetë për shëndetin e qytetarëve të Kosovës.

Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit të Prishtinës, Ilir Abdullahu, duke falënderuar shtetin çek për mbështetjen, tha se sot po inaugurohet ky impiant i cili do ofrojë siguri për liqenin e Badovcit.

Në inaugurimin e impiantit të dytë të ujërave të zeza mori pjesë edhe drejtori i Agjencisë së Zhvillimit Çek, Pavel Frelich i cili u shpreh se është i lumtur që paratë e shtetin çek po investohen në këtë projekt i cili sjell të mira për banorët e Prishtinës.

Projekti për këtë impiant është implementuar nga shoqata e kompanive profesionale nga Republika Çeke – Ircon sh.pk si udhëheqëse e konsorciumit dhe Topol Water. Partneri lokal në Kosovë ishte kompania Projekti Plus. /tesheshi.com/ 

 

Related posts