Turistët anglezë “pushtojnë” Lezhën, Shëngjini përfshihet në hartën e porteve turistike

Rajoni i Lezhës po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e të huajve, të cilët kërkojnë ta eksplorojnë këtë zonë.

Një kroçere me 100 turist anglezë mbërriti këtë të shtunë në brigjet e Shëngjinit, ku turistet të orientuar nga agjencitë turistike vizituan asetet turistike e historike si dhe shijuan gastronominë e Lezhës. Si destinacion kryesor ata kishin fshatin Fishtë ku qëndruan për disa ore, duke provuar gatimet e Mrizit të Zanave i cili është i njohur në mbarë boten.

Turistët thonë se Shqipëria është një vend që ja vlen të vizitohet, pasi të ofron gjithçka që kërkon.

“Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe po më pëlqen shumë ky vend. Kam qenë gjithmonë e tërhequr për të vizituar Shqipërinë dhe Ballkanin, pasi është një zonë e panjohur për anglezet. Do t’i thoja të gjithë miqve që të vinin këtu në Lezhë, pasi është një vend fantastik.

Sidomos këtu në fshat ushqimi në restorant është shumë i mirë. Jam shumë i kënaqur dhe do të vij sërish këtu, pasi ka dhe një mikpritje shumë të mire dhe kjo po na habit.

Jam vërtet e mrekulluar nga gjithçka që kam parë këtu. Keni një histori shumë të lashtë dhe gatimet janë shumë të shijshme”, thotë një turiste, raporton Oranews.

Kuzhinieri i njohur Altin Prenga thotë se është shumë i surprizuar, pasi se kishte menduar asnjëherë që mund te kishte rezervim nga kroçera me turist nga vende të ndryshme të botes.

Drejtori i Agjencisë së Bregdetit Auron Tare shprehet se ardhja e kroçerave në Shëngjin është një shprese për turizmin e zonës, por nga ana tjetër dhe një thirrje për autoritetet lokale për të krijuar kushte të përshtatshme.

Përfshirja e Shëngjinit në hartën e porteve turistike të rajonit, ka bërë që kroçerat ta kenë si destinacion këtë port. /tesheshi.com/