728 x 90 Leaderboard

Trump nuk ndalet as në Karolinën e Jugut, e Hillary Clinton i gëzohet fitores në Nevada

Donald Trump është kandidati për t’u mundur te republikanët. Ai ka fituar sërish, me votuesit e Karolinës së Jugut që e kanë treguar pëlqimin për të me votën e tyre.

Pavarësisht retorikës polemizuese, pa u ndaluar para askujt, Trump siguron fitoren e dytë në votimet për zgjedhjen e kandidatëve presidencialë. E para qe ajo në Nju-Hempshër, pak kohë më parë.

Trump i përforcon pozitat e tij me këtë fitore, e dyta në radhë, duke patur parasysh se në periudhën e vonë asnjë kandidat republikan nuk ka fituar në Nju Hempshër e në Karolinën e Jugut e më pas të ketë dështuar në kandidaturën. “Eshtë bukur kur ju fitoni,” ka thënë Trump pas fitores.

Ted Cruz dhe Marco Rubio qenë në garë për vendin e dytë, ndërsa ish-guvernatori i Floridës, Jeb Bush, pezulloi fushatën pas paraqitjes së dobët në këto tre votime.

Te demokratët, Hillary Clinton, ish-sekretarja amerikane e Shtetit dhe bashkëshortja e ish-presidentit amerikan Bill Clinton, triumfoi në Nevada, në një garë shumë më të fortë me rivalin Bernie Sanders, senatorin e Vermontit.

“Disa mund të kenë dyshuar tek ne, por ne kurrë nuk kemi dyshuar tek njëri-tjetri. Kjo është fushata juaj!” Janë këto fjalët e Hillary Clinton-it para mbështetësve në Las Vegas.

Republikanët do t’i kenë votimet e tyre në Nevada të martën, e demokratët, me përplasjen e tyre më të fortë mes Clinton-it dhe Sanders-it, do të votojnë për kandidatët më 27 shkurt në Karolinën e Jugut. Për të pritur 1 marsin, apo “Super të martën”, kur do të votohet njëherësh në një numër shtetesh për kandidatët presidencialë të dy krahëve politikë. /tesheshi.com/

 

 

 

Related posts