Trump hap një tjetër “front lufte”: Do të ndërhyjmë në Venezuelë

 

Pasi kërcënoi Korenë e Veriut se i kishte armët gati, presidenti amerikan Donald Trump ka hapur një tjetër “front lufte” duke deklaruar gadishmërinë për të ndërhyrë ushtarakisht në Venezuelë.

Trump deklaroi se zgjidhja e krizës në vendin latino-amerikan mund të jetë një ndërhyrje ushtarake.

“Ne kemi shumë opsione për Venezuelën, pa përjashtuar atë ushtarak. Ne kemi trupa në të gjithë botën dhe Venezuela, fqinji ynë, nuk është shumë larg dhe njerëzit atje po vuajnë dhe po vdesin”, – tha presidenti.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, presidenti venezuelas Nicolas Maduro ka kërkuar një bisedë telefonike me homologun amerikan, por Trump është përgjigjur se do të flasë me dëshirë me të, kur të rivendoset demokracia në vend.

Asambleja kushtetuese e re e presidentit Nicolas Maduro është kritikuar si anti-demokratike. Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj tij, duke e quajtur Maduron diktator. /tesheshi.com/