Trump firmos “Provokacia”-n e shekullit për Lindjen e Mesme: njeh Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit

Tashmë është fakt dhe jo më një paralajmërim. Donald Trump lëshon “bombën” duke futur Lindjen e Mesme në ankth dhe pasiguri: “Jeruzalemi është kryeqyteti i Izraelit”, firmosi Trump dhe doli përpara mediave.

Irani dhe Turqia kanë reaguar menjëherë duke bërë thirrje për mbledhjen e Konferencës Islamike dhe samitit të botës arabe.

Ndërkaq, Londra zyrtare deklaroi se nuk do të ndjekë Uashingtonin. Sekretari i jashtëm britanik, Boris Johnson tha se vendi i tij nuk ka plane ta zhvendosë ambasadën.

“Ne i shohim këto njoftimet me shqetësim sepse ne mendojmë se Jeruzalemi natyrisht duhet të jetë pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare mes izraelitëve dhe palestinezëve, një marrëveshje që ne duam të arrihet”, tha Johnson.

Shtetet arabe dhe muslimane kanë paralajmëruar se çdo vendim për të zhvendosur Ambasadën Amerikane mund të ndezë tensionet në rajon dhe të shkatërrojë përpjekjet për të arritur një marrëveshje paqeje arabo-izraelite.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë theksuan se “zoti Trump e njeh Jeruzalemin jo vetëm si kryeqytetin historik të popullit hebre, por dhe si vendndodhja e qeverisë izraelite që nga themelimi i Izraelit modern në vitin 1948”.

Presidenti i SHBA do të urdhërojë Departamentin e Shtetit që të fillojë të bëjë plane për të zhvendosur ambasadën amerikane atje nga Tel Avivi. Procesi do të zgjasë disa vjet, përfshirë gjetjen e vendit, sigurimin e fondeve dhe ndërtimin e një godine të re. Deri atëherë, Trump do të nënshkruajë një dokument për shtyrjen e zhvendosjes, një veprim që bëhet në mënyrë të rregullt nga një president amerikan.

Sipas një ligji të nënshkruar nga Presidenti Bill Clinton në vitin 1995, ambasada duhet të zhvendoset në Jeruzalem, nëse presidenti nuk nënshkruan një dokument çdo gjashtë muaj, sipas së cilit kjo zhvendosje do të rrezikonte sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Çdo president, që nga Clinton e deri tek Trump, e ka nënshkruar këtë dokument.

“Shtetet e Bashkuara kanë me qera një hapësirë toke në Jeruzalemin Perëndimor për të cilën paguajnë një dollar në vit. Por do të duhej të bëhej një punë e jashtëzakonshme jo vetëm përsa i takon ndërtimit, por edhe për lëvizjen e njerëzve dhe objekteve nga Tel Avivi”, i tha Zërit të Amerikës, Michael Fischbach, profesor historie i Universitetit “Randolph-Macon”.

Dennis Ross ishte zyrtari kryesor amerikan për procesin e paqes së Lindjes së Mesme për tre presidentë dhe ka punuar me izraelitë dhe palestinezë për të arritur marrëveshjen kalimtare të vitit 1995.

Disa zyrtarë në Uashington kanë shprehur shqetësimin për mundësinë e një reagimi të dhunshëm kundër interesave izraelite dhe amerikane në rajon.

E pyetur nëse Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson është dakord me këtë vendim që mund t’i vendosë qytetarët dhe trupat amerikane në Lindjen e Mesme në rrezik, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert tha se sekretari “ia ka bërë qëndrimet e tij të qarta Shtëpisë së Bardhë, dhe mendoj edhe Departamenti i Mbrojtjes. Por në fund të fundit i takon presidentit vendimi përfundimtar”.

Konsullata e Përgjithshme amerikane po vendos kufizime për udhëtimet personale të punonjësve të qeverisë amerikane dhe familjet e tyre në Qytetin e Lashtë të Jerusalemit dhe Bregun Perëndimor, përfshirë Betlehemin dhe Xherikon, mes thirrjeve të shumta për demonstrata.

Edhe ambasadat amerikane në gjithë botën janë urdhëruar që të rrisin masat e sigurisë. /tesheshi.com/