Auto Dak
Auto Dak

Trump bëhet pishman për Huawei, tani merr këto qëndrime

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka thënë se Huawei mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje tregtare ndërmjet SHBA dhe Kinës, pavarësisht se firma e telekomunikacioneve është “shumë e rrezikshme”.

Lufta e tregtisë SHBA-Kinë është përshkallëzuar në javët e fundit me rritjen e tarifave dhe kërcënimet për më shumë sanksione.  Uashingtoni ka vënë në shënjestër posaçërisht Huawei-n duke e vendosur firmën në listën e zezë tregtare. SHBA argumenton se Huawei përbën rrezik për siguri kombëtare, ndërsa Pekini akuzon SHBA-në për “ngacmim” ndaj kompanisë.

“Huawei është diçka shumë e rrezikshme”, u tha Trump gazetarëve të enjten. “Shikojeni se çfarë kanë bërë nga pikëpamja e sigurisë dhe nga pikëpamja ushtarake, është shumë e rrezikshme”.

Javën e kaluar, administrata Trump shtoi Huawei-n, krijuesin e dytë më i madh në botë të smartfonëve, në “listën e njësive” që ndalon kompanitë amerikane nga blerja e tyre, pa miratimin e qeverisë.

Por Trump ka thënë se është “e mundshme” që kompania mund të jetë pjesë e ndonjë marrëveshjeje tregtare me Pekinin. “Nëse bëjmë një marrëveshje, mund ta imagjinoj që Huawei do të përfshihet ndoshta në ndonjë formë apo pjesë të marrëveshjes”, tha ai.

Cilat janë shqetësimet rreth Huawei-t?

Huawei përballet me një reagim nga vendet perëndimore, lidhur me rreziqet e mundshme që paraqiten duke përdorur produktet e saj në rrjetet e ardhshme mobile 5G.

Disa vende kanë ngritur shqetësime se pajisjet Huawei mund të përdoren nga Kina për mbikëqyrje, akuza këto që kompania ka mohuar fort.

Huawei ka thënë se puna e tij nuk paraqet ndonjë kërcënim dhe se është i pavarur nga qeveria kineze.

“Përgjigja më e mirë ndaj provokimeve amerikane është se firmat kineze vazhdojnë të rriten edhe më shumë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë të Kinës Gao Feng në një konferencë në Pekin.

Në fillim të këtij muaji, SHBA-ja rriti tarifat në vlerë prej 200 miliardë dollarësh ndaj importeve kineze, nga 10% sa ishin në 25%. Kjo rritje erdhi pasi të dyja palët nuk arritën një marrëveshje mbi tregtinë.

Kina keqësoi situatën duke ngritur taksat ndaj importeve të SHBA-së në mbi 60 miliardë dollarë, vendim ky që zbatohet nga 1 qershori. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts