728 x 90 Leaderboard

Tronditja: mazhoranca gati të padisë presidentin Bujar Nishani

Mazhoranca pritet të ngrejë së shpejti një çështje kundër presidentit të Republikës, Bujar Nishani, në parlament. Bëhet fjalë për një letër që Nishani i ka dërguar një gjykatëseje kur ka qenë ministër i Brendshëm, e cila pritet të bëhet “leva” më e fundit e luftës politike në Shqipëri.

Ka qenë TemA e cila ka publikuar letrën ku ministri i Brendshëm i asaj kohe i dërgonte një gjykatëseje për të mos e pezulluar nga puna kreun e qarkullimin rrugor të atëhershëm, Krenar Ahmetin.

Burime të tesheshi.com mësojnë se kjo letër që qarkullon prej kohësh në qarqet politike dhe diplomatike pritet të bëhet një çështje politike me tre shkallë në Kuvend.

E para, do të jetë deputeti Taulant Balla i cili do të mbajë një fjalim të enjten në Kuvend për ta hapur çështjen politikisht. Më pas do të depozitohet në Komisionin e Ligjeve, i cili pritet t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese mendim nëse kemi të bëjmë me presion ndaj drejtësisë, apo thjesht me një komunikim institucional.

Në letrën e botuar nga TemA bëhet e ditur se Nishani i ka kërkuar gjykatëses të mos e pezullojë oficerin e policisë, duke e argumentuar shkresën si mendim, dhe jo si ndërhyrje. Por mazhoranca do ta cilësojë këtë si një shantazh politik të ekzekutivit, aq më tepër të ministrit të Brendshëm ndaj gjyqësorit.

Megjithatë, pritet që opozita ta mbrojë presidentin, duke kujtuar sulmet më shumë se një herë të ministrit aktual Saimir Tahiri ndaj gjyqtarëve.

Por nëse çështja shkon në Gjykatën Kushtetuese, do të kemi për herë të parë një president të Republikës të paditur ligjërisht. Dhe, natyrisht, ky hap do të lëkundë më shumë ekuilibrin institucional në vend, dhe do ta shkatërrojë përfundimisht besimin mes palëve. Shqipëria do të vazhdojë sërish të jetë e ndarë si në 1941-ën: “Me malin apo me Ballin.” /tesheshi.com/

 

 

 

Related posts