Trimërimi i Kadri Veselit me Nishin: si u përqesh për Mitrovicën e ndarë

Nga Blendi Gashi

Qyteti i minatorëve, Mitrovica, që prej vitit 1999 e në vazhdimësi, ka përplasur Kosovën dhe Serbinë. E para premton bashkimin, ndërsa e dyta e mban të ndarë atë.

Gjithashtu, 19 vjet paslufte është një qytet në Serbi që ngjashëm ka përplasur fort dy shtetet, e madje ku rjedh dhe një “kërcënim” për luftë të re: Nishi. Pak ditë më parë, në përkujtimin e masakrës së Reçakut, do ishte Kadri Veseli ai që do e përmendte qytetin serb, duke i dhënë një konotacion lufte.

Beteja e drejtësisë për Reçakun nuk kanë përfunduar. Serbia mos ta provon të kthehet se më nuk do të ndalemi deri në Nish. Ky vend do të qëndrojë i lirë i pavarur dhe sovran. Çdo cenim do të marrë përgjigjen e merituar të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë”, paralajmëroi Veseli.

Kjo deklaratë bëri të shpërthejnë politikanët në në Beograd, mes tyre vetë presidenti Vuçiç.

Mesazhi ynë për Veselin është se ai nuk do të vijë deri në Nish dhe këtë qytet ai mund ta vizitojë vetëm si turist”, ironizoi kreu i shtetit serb.

Ndërsa politikani tjetër serb, Aleksandër Vulin iu kundërpërgjigj Veselit me kërcënim.

Ushtria e Serbisë është e gatshme të mbrojë çdo pjesë të territorit tonë dhe jemi mjaft të organizuar dhe të përgatitur për të gjithë qytetarët e Serbisë dhe i sigurojmë se paqja dhe stabiliteti i vendit tonë nuk mund të rrezikohet, nëse ushtria serbe është këtu”, tha Vulin.

Ndaj këtyre deklaratave kërcënuese reaguan trupat ndërkombëtare.

KFOR vazhdon të garantojë një mjedis të sigurt dhe të garantojë një liri të lëvizjes nëpër Kosovë, nën dispozitat e rezolutës së OKB-së 1244 për të gjithë qytetarët e të gjitha etniteteve. KFOR mbetet vigjilent, dhe duke punuar në bashkëpunim të ngushtë me organizatat vendëse dhe ndërkombëtare të sigurisë”, tha zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso.

 

Ironizimi i kosovarëve ndaj Veselit dhe akuzat se ndau Mitrovicën

Deklarata e Veselit u quajt e pamatur nga analistët politikë, ku disa prej tyre ironizuan keq duke thënë se parulla e re e PDK-së është  “Familja, Prona, Nishi”.

Kishte edhe prej tyre që ja përkujtuan Veselit se qyteti i tij, Mitrovica, është i ndarë nga paslufta dhe nuk ka arritur ta bashkojë.

Për më keq, pikërisht Veseli dhe Thaçi janë akuzuar ndër vite si shkaktarë të ndarjes së këtij qyteti.

Kujtojmë se fill pas lufte, ndërsa stafi shqiptar i spitalit të Mitrovicës në veri po protestonte pasi nuk lihej të kalonte matanë Ibrit rrugës për në punë, Thaçi ju premton atyre se se shumë shpejt do të kthehen në vendet e punës, por që nga ajo kohë ky ka mbetur vetëm premtim. Në krah të tij qe dhe Kadri Veseli.

Dhe duke iu referuar videos në fjalë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Besa Baftiu, më 24 dhjetor të 2016-tës në seancën për murin në veri, e ka akuzuar Veselin se ai “e ka ndarë Mitrovicën”.

Kujtojmë se në kohë të fushatave elektorale pothuajse të gjithë politikanët kosovarë kanë premtuar bashkimin e Mitrovicës, por kjo nuk ka ndodhur. /tesheshi.com/

Videoja përkujtuese:

Related posts