Treguesit: Pakoja e re fiskale në Kosovë ndihmoi arkën e shtetit, por mori në qafë qytetarët e varfër

Nga Bashkim Kastrati

Në këtë muaj është bërë një vit kur ka hyrë në fuqi pakoja e re fiskale me ndryshime në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Sipas Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar, janë përcaktuar dy norma të TVSH-së; normën standarde të TVSH-së, 18 për qind, si dhe normën e reduktuar të TVSH-së, 8 për qind.

Në lidhje me këtë çështje, bujë bëri sidomos ndryshimi i normës së tatimit nga 16 në 8 për qind, sipas shifrave zyrtare, vërehet një zvogëlim i të hyrave buxhetore, kurse rritje e të hyrave vërehet në ndryshimin e normave tjera.

Marrë në përgjithësi, sipas tyre, kjo pako ka pasur efekte pozitive, pasi të hyrat tatimore janë rritur, për shkak se qytetarët pas çdo blerjeje po pajisen me kupon fiskal.

Të dhënat zyrtare tregojnë se ndryshimi i të hyrave në TVSH për periudhën janar- ­qershor 2016 nga norma tatimore nga 16 në 8 për qind, sipas aktiviteteve, është 11.6 milionë euro më e vogël sesa periudha e njëjtë para ndryshimit të normave tatimore. Këtu kemi të bëjmë me uljen e TVSH-së për produktet esenciale, si mielli, vaji etj.

Në periudhën kohore janar-qershor 2015, të hyrat kanë qenë 17.5 milionë, ndërsa për 2016 janë 5.9 milionë euro për të njëjtat aktivitete. Ndërsa, sa i përket qarkullimit për këto aktivitete, në periudhën e njëjtë të vitit 2016, qarkullimi është rritur për 15,2 milionë euro. Në 6-mujorin e parë të vitit 2015 kanë qenë 390,3 milionë, kurse më 2016 është 405,6 milionë euro.

Përveç aktiviteteve bazuar në planet operative, edhe projekti i grumbullimit të kuponëve fiskalë ka pasur efekte pozitive në rritjen e të hyrave tatimore. Të hyrat tatimore për periudhën janar-korrik 2016 janë 10.8 për qind apo 21.5 milionë euro më shumë se periudhën e njëjtë e vitit të kaluar.

Implementimi i kësaj pakoje fiskale u kundërshtua, pasi që numri i produkteve për të cilat ulej TVSH-ja ishte shumë i vogël, ndërsa në anën tjetër për të gjitha produktet tjera kishte rritje të TVSH-së nga 16 në 18  %, përfshirë edhe barnat, që çuditërisht nuk u përfshinë si produkte elementare në këtë pako fiskale.

Nuk janë realizuar parashikimet

Qeveria e Kosovës e implementimin e pakos së re fiskale e ka konsideruar si sukses të madh të vitit 2015 dhe sipas tyre kjo ka ndikuar pozitivisht në ekonominë e Kosovës. Por njohësit e çështjeve ekonomike thonë se kjo pako fiskale ka pasur si qëllim mbushjen e arkës së shtetit, e jo të ndihmojë qytetarët, sidomos ata që i përkasin shtresës më të ulët sociale.

Lulzim Beqiri ka thënë për tesheshi.com se pakoja e re fiskale po cilësohet si njëra nder arritjet me të mëdha të vitit 2015 nga ana e Qeverisë së Kosovës, ndërsa praktika ka dëshmuar se kjo pako ka luajtur shumë pak efekt në uljen e kostos së shportës se konsumatorit siç është parashikuar me rastin e uljes se TVSH, nga 16% në 8% për produktet esenciale.

“Konsumatorët shpesh janë ankuar se shumë produkte të cilat i takojnë normës së TVSh-së prej 8% po u faturohen me normën prej 18%, p.sh. vezët në shumicën e dyqaneve dhe në disa markete të mëdha në kryeqytet po faturohen me normën prej 18% në vend të 8-përqindëshit, që edhe ashtu po e ngarkojnë edhe më shumë buxhetin e familjeve të varfra”, thotë Beqiri.

Ai thotë se konsumatorët nuk kanë përfituar asgjë në produktet esenciale, ndërsa për produktet e reja çmimet janë ngritur.

“Një bukë para pakos së re fiskale kushtonte 0.30 €, po i njëjti çmim është edhe pas pakos së re fiskale. Bizneset janë pasuruar në kurriz të konsumatorëve duke i ngritur çmimet nga ngritja e TVSh-së në 18%, ndërsa produktet esenciale kanë mbet me çmimin e mëparshëm”, theksoi Beqiri.

Ja çka na tregojnë të dhënat empirike

Beqiri na tregon edhe për një anketë të realizuar në lidhje me pakon e re fiskale dhe mendimin e bizneseve sa i përket normës së TVSh-së 18% dhe normës së reduktuar 8%.

Përmes pyetësorit janë anketuar 110 ndërmarrje nga të gjithë sektorët dhe veprimtaritë ekonomike në Republikën e Kosovës, duke përfshirë tri regjione të Kosovës (Prishtina, Mitrovica dhe Gjilani). Pyetësori është dizajnuar dhe është hartuar në atë mënyrë dhe në atë formë që të mundësojë realizimin e qëllimeve të synuara.

“Bizneset e anketuara në pyetjen se si e vlerësojnë përshkallëzimin e TVSh-së, kanë dhënë këtë mendim, 22.73% kanë mendim pozitiv, 62.73% e shohin si negative për bizneset e tyre këtë përshkallëzim ndërsa 14.46% nuk kanë mendim as pozitiv e as negativ. Nga gjithsej 30 biznese të anketuara në regjionin e Prishtinës 19 biznese kanë dhënë përgjigje negative dhe kanë shprehur shqetësimin e tyre për këtë ndryshim 63.34% si pozitive nga bizneset prishtinase është cilësuar ky përshkallëzim, pra 30% e bizneseve në regjionin e Prishtinës kanë mendim pozitiv, 2 nga bizneset e anketuara nuk kanë pas përgjigje në këtë pyetje”, theksoi Beqiri. /tesheshi.com/

 

 

auto pjese dak

Related posts