728 x 90 Leaderboard

Tregtia në Kosovë është ajo që vazhdon ta dominojë dukshëm prodhimin

Nga Bashkim Kastrati

Sektori i tregtisë që nga paslufta ka pasur një zhvillim më të madh krahasuar me prodhimin. Disproporcioni mes këtyre dy sektorëve ekonomik vazhdon të mbetet i madh. Sektori i tregtisë ende po konsiderohet si më i preferuar dhe fitimprurës. Sipas ekspertëve të ekonomisë, orientimi i afaristëve në sektorin e tregtisë, bëhet për shkak se tregtia është më e lehtë, për shkak se nuk kërkohet shumë njohuri, teknologji për të qenë konkurrentë në treg.

Shembull kemi një shtim të madh të rrjeteve të supermarketeve, ndërsa flitet vazhdimisht edhe për ardhjen edhe të disa rrjeteve tjera të marketeve që do të shtrihen në gjithë Kosovën. Kjo të krijon përshtypjen se Kosova është bërë një vend i konsumit. Kjo thuhet kur kihet parasysh se ka fare pak kompani që zhvillojnë aktivitete prodhuese.

Ky sektor, sipas raporteve të institucioneve të ndryshme vendore, thuajse për çdo vit është karakterizuar me rritje. Madje, në një studim të publikuar së fundmi nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), mbi barrierat e të bërit biznes në Kosovë, thuhet se sipas veprimtarive, rritje më e madhe e investimeve pritet prapë në tregti me pakicë, kurse vetëm 38 për qind në industrinë e prodhimit.

Sipas të dhënave zyrtare, numri më i madh i ndërmarrjeve të regjistruara në Kosovë, i takon tregtisë me mbi 50 për qind, po ashtu edhe numri më i madh i qytetarëve është i punësuar në sektorin e tregtisë.

Sektori i tregtisë po dominohet nga importi

Tregtia si veprimtari ekonomike ka të mirat e saj, pasi që rrit në masë të madhe qarkullimin  e parasë, rritë numrin e të punësuarve që nënkupton edhe ndikim në zhvillim të përgjithshëm ekonomik, por në Kosovë është një problem i theksuar në këtë drejtim pasi që tregtia në masë të madhe karakterizohet nga importi i produkteve. Pra imputi ekonomik është më i vogël, ndërsa e kundërta do të ishte sikur të kishte zhvillim të tregtisë dhe tregun ta dominonin prodhimet vendore. Kjo do të ndikonte që të rritej prodhimi dhe rrjedhimisht edhe numri i punëtorëve në sektorin prodhues dhe atë tregtarë.

Profesori i ekonomisë Naim Gashi ka thënë për tesheshi.com se tregtia është një veprimtari më e lehtë ekonomike, kërkon më pak investime, më pak teknologji, më pak fuqi të kualifikuar punëtore, nuk kërkon lëndë të parë dhe si e tillë është shumë e përhapur në shoqëri.

Ai thotë se tregtia është sektor dobiprurës i ekonomisë dhe një nga bazamentet e ekonomisë së tregut dhe shoqërive demokratike. Pa sektorin e tregtisë as të mund të paramendohet zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i mirëqenies së popullatës.

“Kosova ka dobi të shumta nga tregtia dhe nuk pajtohem me fjalorin jo admirues për këtë sektor. Sektori i tregtisë ka të punësuar dhjetëra mijëra veta në Kosovë dhe luan një rol të rëndësishëm në produktin e brendshëm bruto. E meta e Kosovës në fushën e tregtisë ka të bëjë me dominimin e importit në raport me eksportin”, thotë Gashi.

Ai thotë se institucionet shtetërore në çdo vend të botës i japin përparësi prodhimtarisë, për të përmirësuar bilancin me botën e jashtë dhe kjo po ndodh edhe në Kosovë, por jo në masë të mjaftueshme.

“Sektori i prodhimtarisë në Kosovë ka ende nevojë për përkrahje, dhe një nga risitë besoj që do të jetë Fondi për Garantimin e Kredive, i cili iu mundëson prodhuesve pa kolateral të mjaftueshëm që të marrin kredi me kamata të ulëta.  Sektorët më me perspektivë prodhuese në Kosovë janë bujqësia, energjetika dhe minierat (metalurgjia). Këtu mendoj se duhet të jetë fokusi edhe i investimeve të brendshme edhe atyre të jashtme”, theksoi Gashi.

Kosova ka nevojë për biznese prodhuese

Lulzim Beqiri, magjistër i ekonomisë ka thënë për tesheshi.com se tregtia ka shtrirje më të madhe në Kosovë se sa prodhimtaria dhe se arsyet janë të shumta, duke filluar nga kamatat e larta, mos sundimi i ligjit, gjithashtu edhe lufta e fundit e cila la pasoja shkatërruese për bizneset prodhuese. Sipas tij, kjo ka ndikuar dukshëm dhe pastaj edhe mënyra jo e duhur e privatizimit ka lënë anash ndërmarrjet prodhuese.

“Padyshim nëse Kosova do të kishte biznese prodhuese, do të rritej më shumë mirëqenia e qytetarëve, dihet që ne importojmë shumicën e produkteve duke rrezikuar edhe shëndetin e qytetarëve, ne blejmë mallra nga Serbia që shpesh dinë të jenë kancerogjene dhe këtë mund ta dëshmojë çdo dite secili konsumator”, thotë Beqiri.

Ai mendon se për të nxitur prodhimtarin, Kosova duhet që të hartojë politika stimuluese duke filluar me uljen e kamatave, mbështetjen financiare për bizneset fillestare, aplikimin e pauzës tatimore për tre vitet e para, efikasitet më të mire të gjyqësorit, luftimin e haraçit, korrupsionit, nepotizmit etj. /tesheshi.com/

 

Related posts