728 x 90 Leaderboard

Tre krisma topash të Pikollominit mbi Shkup, ose 329 vite nga djegia e qytetit

Nga Behxhet Jashari – Shkup

 

1.

“Atë ditë me diell të 26 tetorit të vitit 1689, në shenjën e dhënë prej tre krismash nga artileritë, ushtarët – nën urdhrin e gjeneralit të tyre Eneja Silvio Pikollominit – me pishtarë të ndezur dhe nën tingujt e instrumenteve muzikore – nga të gjitha anët do t’a djegin Shkupin”

 

Si pasojë e mossuksesit dhe humbjes me rastin e rrethimit të dytë të Vjenës në vitin 1683, si dhe humbja në disa beteja të ndryshme e të njëpasnjëshme në disa territore të Evropës së Mesme, pozicioni ushtarak e diplomatik i Perandorisë Osmane dukshëm do të përkeqësohet. Kjo do të rezultojë me një kundërofensivë të Aleancës së Shenjtë e cila do të themelohet me iniciativën e papës Inoçenti XI (1676-1689) në përbërje të monarkisë së habsburgëve, Republikës mletase dhe Polonisë. Kësaj Aleance do t’i bashkëngjitet edhe Rusia Cariste në vitin 1686, si dhe një numër i madh i vullnetarëve gjerman, anglez, skocez të cilët i takonin kishës protestante. Ushtrinë austriake me urdhër të mbretit austriak Leopoldit I kundër ushtrisë otomane të asaj kohe do t’a udhëheq Eneja Silvio Pikollomini (1640-1689). Sulmi do të drejtohet ndaj territoreve ballkanike ku ato kohë sundonte Perandoria Osmane, gjë që do të ndërmerret në vitin 1686.

Në fakt kush ishte dhe nga vinte Eneja Silvio Pikollomini!? Historianët dëshmojnë se ai rrjedh nga familja aristokrate e Sienës së Italisë. Në vitin 1660 Silvio Pikollomini do të shpërngulet në Vjenë. Do të arrijë sukses duke filluar si një oficer i rëndomtë, e më pas do të bëhet edhe gjeneral. Thuhet se Eneja Silvio Pikollomini në histori ka hyrë si një piroman dhe shkatërrimtar i një varg vendbanimesh shqiptare në vitin 1689! E jo vetëm kaq, por kronistët dëshmojnë se ai vdiq i poshtëruar më 4 nëntor të vitit 1689 rrugës Prishtinë-Prizren.

 

2.

Aktivitetet luftarake të Aleancës së Shenjtë kundër Perandorisë Osmane do të tregojnë rezultat të suksesshëm. Në këto rrethana të favorshme ushtria austriake nën komandën e Pikollominit përparoi në jug të Ballkanit dhe në trojet etnike shqiptare, gjë që do të ishte famëkeqe. Në anën e Austro-Hungarisë e të Serbisë kundër Pe­ra­ndo­risë Osmane luftoi edhe Pjetër Bog­dani me ka­to­likët e Veriut. Në anën e Perandorisë Osmane, po ashtu luftonin shqiptarë të drejtuar nga Qypërlinjtë[1]. Në Prishtinë forcat austriake u pritën nga 5.000 kryengritës shqiptarë, kurse në Prizren nga 6.000 kryengritës të tjerë shqiptarë në krye me Pjetër Bogdanin… Pikollomini dhe ushtria e tij në Kosovë do të pritet si një çlirimtar[2]. Në anën tjetër, një farë Thomë Rraspori ishte shqiptari i cili vazhdimisht i nxiste të krishterët shqiptarë të cilët së bashku me serbët t’iu bashkëngjiten austriakëve kundër osmanëve[3].

Ndër ata të cilët do të luajnë rol mjaft të rëndësishëm në tërë këtë tragjedi mbarë­kombë­ta­re, ishte edhe Pjetër Bogdani. Në të vërtetë kush ishte Pjetër Bogdani dhe çfarë ishte roli i tij në tërë këtë periudhë, sa interesante po aq edhe e dhimbshme? Në fakt Bogdani ishte prift katolik i rendit jezuit[4]. Si ipeshkv i Shkodrës qëndroi afër 21 vjet. Nën mbikëqyrje kishte edhe arqipeshkvinë e Tivarit. Pas një kohe Vatikani e kishte emërtuar si “arqipeshkv i Shkupit dhe administrator i gjithë mbretërisë së Serbisë” (Archepiscopo Scoporom ac totivs regni Serviae administratore)[5]. Nga Vatikani do të emërohet për administrator i Kosovës. Megjithatë, ai territorin e Kosovës nuk e quante Iliri, as Dardani, as Kosovë, e as Shqipëri, pasi që dihet se në shekullin XVII emri shqiptar e Shqipëri ishte në përdorim intensiv. Por, ai Kosovën e quante Mbretëri e Serbisë, ndërsa veten e quante administrator i gjithë Mbre­të­ri­së së Serbisë. Në atë kohë edhe pse njihej emri shqiptar, ai veten e tij e quante Pjetër Bogdan Ma­qedonasi (Petro Bogdano Macedone)[6]. Për çudi, atij nuk i kishte penguar Serbia që kishte push­tuar mbi gjysmën e tokave shqiptare[7]. Bogdani ishte misionar i Propaganda Fide-së (Ku­ven­dit të propagandës) në Vatikan. Aktiviteti i Pjetër Bogdanit për qëllimet e Propaganda fide-së qar­të u vërejt edhe gjatë aventurës së tij masakruese në vitin 1689, ku mori pjesë në gjenocidin kun­dër popullatës myslimane shqiptare në trojet etnike shqiptare së bashku me Karposhin dhe Pi­ko­llo­minin, gjë që do të shohim në vazhdim të këtij punimi.

Pse Bogdani së bashku me ato grupe shqiptarësh katolikë të asaj kohe u inkuadruan në atë kry­qëzatë katoliko-protestante-sllave kundër myslimanëve shqiptarë, duke e ndihmuar Pi­ko­llo­mi­nin dhe Karposhin në ato sulme dhe masakra të pista? Për të gjitha këto më gjerësisht do të sho­him në vijim.

 

3.

Në këtë periudhë të shek XVII kryengritësit sllavë (bullgarë, serb e maqedonas) nga jugu i Ballkanit, duke i konsideruar austriakët si çlirimtarë, së bashku me grupet katolike, do t’iu bash­kën­gjiten ushtrisë së Pikollominit kundër ushtrisë osmane, e jo vetëm kaq, por edhe kundër po­pu­llatës myslimane shqiptare e turke, etj. Thuhet se “diku në Karadag (në veri të Shkupit), Kar­po­shi me ushtarët e tij do t’i bashkëngjitet Pikollominit, i cili do të urdhërojë që Shkupi të digjet”[8]. Ata ishin të bindur se austriakët do t’iu ndihmonin atyre në “çlirimin nga osmanët”. Shkupi ishte caku, me që ishte edhe kryeqendra e pjesës evropiane e Perandorisë Osmane dhe qendër e atëhershme kulturore e qytetëruese islame… Pohonin se ky ishte rast, gjoja për hakmarrje kundër osmanëve për shkak të rrethimit të Vjenës që kishte ndodhur në vitin 1683! Megjithatë, qëllimi ish­te për të shkatërruar sa më shumë vendbanime myslimane shqiptare dhe të mbyten sa më shu­më njerëz të cilët nuk mendonin si pikollominët, bogdanët, karposhët e të ngjashëm me ta… Keq­bërësit e këtillë nën udhëheqjen e Karposhit do t’a shfrytëzonin këtë rast për t’i sulmuar vendasit myslimanë shqiptarë si në: Kriva Pallankë, Kratovë, Kumanovë, Karadag, Kaçanik, etj. Me të dëgjuar për aktivitetet e Karposhit, Pikollomini përmes një letre dërguar mbretit austriak Leopoldit I do të kërkojë që ai t’a pranojë Karposhin si një princ dhe t’a dekorojë atë me qëllim të realizimit të synimeve strategjike në teren[9]!

Kronistët me precizitet shënuan se “ushtria austriake erdhi nga ana veriperëndimore e Shkupit dhe ngriti llogore qëndrimi në një vend në afërsi të lumit Lepenc… Fuqitë e komandantit të Shkupit, Mahmud pashës – të përbëra nga 6.000 njerëz – ishin nisur kundër tyre. Në pamundësi që të zbulojë numrin e forcave armiqësore, për të cilat kishte menduar se është shumë i madh, ky është tërhequr duke e evakuuar qytetin. Kështu që armata austriake ka hyrë në qytet pa luftë. Vërtetë, sipas organizimit të kohës, fuqia e mbrojtjes së Shkupit ka qenë 5.000 njerëz. Ka qenë e pamundur që të përgatitet një fuqi më e madhe…”[10]. Pikollomini me ushtrinë e tij përmes ngush­ti­cës së Kaçanikut do të afrohet në veriperëndim të Shkupit. Ushtarët do të urdhërohen për të pu­shu­ar në një fushë. Tanimë Pikollomini i gëzohet fatit dhe urdhëron të hapet zjarr nga artileria e ush­trisë së tij me tre krisma. Krismat nga artileria do të ndikojnë frikshëm te ata banorë shkup­ja­në të cilët nuk ishin larguar nga qyteti. Silvio Pikollomini do të urdhërojë një pjesë të ushtrisë të fu­tet në qytet. Ishte 26 tetori i vitit 1689. Ajo ditë e bukur me diell do të mbulohet nga tymi i errët që vinte nga krismat e artilerisë austriake. Caqet kryesore ishin xhamitë. Urdhri ishte që ndaj çdo xhamie të madhe të hidhen nga tre mortaja topi. Qyteti u gjet në flakë. Do të digjen shumë xhami… Xhamia e madhe e Sulltan Muratit, si dhe një pjesë e Sahat Kullës, xhamia e Mustafa Pashës dhe imareti i tij, xhamia e Jahja Pashës, xhamia Burmali, xhamia Gazi Mentesh, xhamia e Murat Pashës në çarshi dhe medreseja aty pranë, si dhe shumë xhami e medrese tjera… Gjithashtu, do të digjen edhe qindra dyqane të çarshisë, bezistani i çarshisë, teqe, shtëpi, si dhe shumë kopshte me të mbjella… Zjarri do t’a kaplojë qytetin që do të zgjatë gjatë 26 dhe 27 tetorit të vitit 1689. Vetëm gjatë dy ditëve qyteti, dikur i zhvilluar, do të shndërrohet në një grumbull të madh hiri!

Pikollomini përmes një shkrese do t’a lajmërojë mbretin Leopold se për çfarë arsye e dogji qytetin, siç vijon: “Qyteti i Shkupit pothuajse është i madh po aq sa Praga… Ata pak njerëz që mbetën në të, plotësisht janë të frikësuar. Të zverdhur dhe të dëshpëruar ecin rrugëve. Kalaja është e ngritur sipas mënyrës së vjetër, tanimë pothuajse pa mbrojtje dhe pa ujë… Natën e kemi kaluar me armë në dorë. I kam propozuar kolonel Shtraserit që aty ta merr komandën… Kishim një lum pas shpine i cili gjatë shirave të shpeshta në këtë stinë të vitit mbushej dhe me shumë vështirësi të mëdha do të mund t’a kalonim atë. Fushë-Kosova ishte e pamundur të merret. Nishi ishte larg nesh, ndërsa Bosnja mbeti pas nesh. Gjendja e këtillë kërkonte që të mendojmë bukur mirë… Më erdhi keq për të gjitha ato ndërtesa të cilat nuk i kam gjetur askund, përveç këtu. Më erdhi keq për ato xhami të ndërtuara me mermerin më të shkëlqyer dhe me profir me mijëra ndriçues dhe ato Kur’ane të zbukuruar me fije ari, gjë të cilave njeriu në Romë me siguri do t’i kushtonte kujdes, të gjitha ato gjësende të vjetra dhe me vlerë historike e artistike, ato kopshte dhe parqe për zbavitje – edhe pse me një shije barbare – ato grumbuj bereqetesh të shumtë e rezerva ushqimore, medoemos t’ia dorëzoja zjarrit. Por, me qëllim që armikut të mos i lë asgjë që do të mund të ruhet, kështu që te ata popuj barbar të mbjell frikën, si dhe armën e sundimtarit edhe në viset më të largëta t’a paraqes si të tmerrshme, jam nisur ta kryej aktin. Nëpër të gjitha këndet e qytetit ishin vendosur njerëz/ushtarë/me pishtarë të ndezur (të cilët e pritnin shenjën për sulm dhe zjarrvënie). Në shenjën prej tre krismave të topave të ushtrisë do të ndizet një zjarr. Tymi do t’a errësojë diellin e 26 tetorit, gjë e cila do të zgjat edhe ditën në vijim. Ne qëndronim në një kodër të lartë dhe nën jehonën e instrumenteve muzikore luftarake e përcillnim zjarrin në këtë vend të bukur (kjo më dukej si ato çaste kur Neroni e digjte Romën vetëm që t’a këndojë këngën), në fakt jo pa pikëllim, përderisa mu kujtua se ndoshta edhe paralagjet e bukura të Vjenës të njëjtin fat do t’a kishin përjetuar. Çfarë kam mund të bëj? Sikur të kisha edhe më shumë ushtarë që të fortifikoheshim këtu, unë edhe më tej do të depërtoja! Në këtë letër nuk kam theksuar se në Shkup kishte banorë. Ishin 60.000 banorë”[11].

Nuk mund e të mos përmendet në gjithë këtë faqe të rëndësishme të historisë edhe roli i luftëtarit dhe patriotit nga fshatin Koliçan i Epërm të Karshijakës së Shkupit, Ismet Koliçani, i njohur në ato kohë si Kusimeta. Sipas të dhënave të cilat i posedojmë, gjatë kësaj kohe Ismet Koliçani pa kurrfarë hamendje do t’iu bashkohet forcave ushtarake të Perandorisë Osmane në luftë kundër piromanëve dhe shkatërrimtarëve të huaj… Pas gjitha atyre djegieve dhe masakrave, një pjesë e madhe e ushtrisë së Pikollominit do të stacionohet diku në jug të Shkupit, përkatësisht diku ndërmjet Shkupit dhe Velesit. Aty elita ushtarake austro-hungareze me urdhër të Silvio Pi­ko­llo­mi­nit do t’a ngritin shtabin kryesor ushtarak. Me të kuptuar për shtabin kryesor të ushtrisë aus­tro-hungareze, Ismet Koliçani me një shkathtësi do të arrijë t’a detektojë saktë vendin dhe mun­dësitë për një sulm ndaj shtabit të forcave armike. Aktin çlirimtar Ismet Koliçani do t’a re­a­lizojë me sukses mahnitës. Ai duke u futur përmes një oxhaku të gjerë, do t’a kap një ndër gjeneralët kryesor të ushtrisë së Pikollominit kur edhe do ta mbyt aty për aty. Në këtë konflikt Ismet Koliçani do të arrijë t’i likuidojë edhe disa ushtarakë dhe oficer tjerë austro-hungarez, e më pas në shpej­të­si do të largohet diku në malet e Karshijakës. Si pasojë e këtij operacioni të suksesshëm luftarak nga Ismet Koliçani, në radhët e ushtrisë austro-hungareze do të futet paniku. Për këtë së shpejti do të kuptojë edhe Pikollomini i cili atë mëngjes kishte qenë diku në ndonjë vilë rrëzë malit Vodno të Shkupit… Pikollomini do të urdhërojë tërheqjen e forcave të tij drejt veriut. Kjo do të nxit konsolidimin dhe kun­dër­sulmin e ushtrisë osmane, gjë e cila do të realizohet me sukses… Për heroizmin dhe vendosmërinë e Ismet Koliçanit do të kuptojë edhe Sulltani i asaj kohe, për­ka­të­sisht Sulltan Sylejmani i Dytë (1687-1691), i cili do t’a dekorojë luftëtarin Ismet Koliçanin. Për ak­ti­vi­tetet luftarake të Ismet Koliçanit ekzistojnë edhe dokumente osmane, me që atë e përmend edhe intelektuali dhe diplomati osman, e njëkohësisht edhe kryetari i fundit i qytetit të Shkupit, Salih Asim në veprën e tij “Historia e Shkupit dhe rrethinës së tij”[12]. Madje, është me rëndësi të veçantë të përmendet fakti se më vonë, përkatësisht pas vdekjes së Ismet Koliçanit, qeveritarët e atëhershëm osman, një lagje të tërë të Shkupit do ta emërtojnë Gazi Mentash[13]. Gjithashtu, për luftën dhe strategjitë luftarake të Ismet Koliçanit flet edhe historiani serb Jovan Haxhivasiljeviq në veprën e tij “Скопље и његова околина” të botuar në vitin 1930 në Beograd[14].

Tanimë ushtria austro-hungareze nën komandën e Pikollominit do të tërhiqet në drejtim të ngushticës së Kaçanikut drejt Kosovës. Pikollomini arrin në Prishtinë në një takim me Pjetër Bogdanin, ku me siguri kanë festuar për “fitoren”. Më 4 nëntor të vitit 1689 Pikollomini nga Prish­ti­na udhëton në drejtim të Prizrenit, ku duhej të zhvillonte një kon­fe­ren­cë diplomatike me pat­riarkun Arsenije Çernojeviq dhe me disa krerë politik e ushtarak shqip­ta­rë. Megjithatë, ai nuk arrin dot në Prizren”[15]. Pikollomini vdes i poshtëruar duke mos arrit që t’a merr shpërblimin nga cari i tij Leopoldi I në Vjenë…

Thëniet se Pikollomini e dogji Shkupin shkaku i kolerës, e po ashtu edhe vdiq nga kolera, ësh­të sajesë e piromanëve dhe kriminelëve katoliko-fun­da­men­ta­lis­të të cilët në aleancë me luf­të­ta­rët sllavë në krye me Karposhin, zhvilluan kryqëzatën e paparë kundër shqiptarëve myslimanë të këtyre trojeve. Arsyet e vdekjes së Pikollominit nuk dihen. Thu­het se ai vdiq në befasi. Me siguri vdes si pasojë e ndonjë stresi apo ndonjë shqetësimi shpirtëror, me që vetëm disa ditë pa­ra se të vdes, ai dhe ushtria e tij do t’i masakrojnë dhe dhunojnë disa mijëra shqiptarë mys­li­ma­në, si dhe do t’i djegin një numër të madh vendbanimesh shqiptare të cilat ato kohë u gjetën nën sun­dimin osman, si; Prizrenin, Prishtinën, Kaçanikun, Tetovën, Shkupin… Ai kishte rrënuar e djegur shumë shtëpi, varreza, xhami ku njerëzit adhuronin Zotin! Thuhet se vdekja e tij me siguri ishte nga ndonjë mallkim, ashtu siç e gjeti pas një kohe të shkurtër edhe Pjetër Bog­da­nin në Prishtinë!

Pas këtyre ndodhive shumë shqiptarë që kishin qenë pjesëmarrës në ushtrinë austriake, e nën ndikimin e krishterë katolik të fundamentalistit Pjetër Bogdani, së bashku me kasapin dhe priftin Arsenije Çernojeviq do të ikën nga kundërsulmi i ushtrisë Osmane. Shqiptarët që kishin ikur në Itali për një kohë të shkurtër ishin asimiluar… Siç edhe theksuam më lartë, kryengritësit sllavë dhe disa mi­jëra shqiptarë të krishterë të cilët luftuan në krah të Pikollominit kundër osmanëve – për­ka­të­si­sht edhe kundër myslimanëve në përgjithësi, me këtë edhe kundër shqiptarëve myslimanë etnik – ishin të bindur se austriakët do t’iu ndihmonin atyre në “çlirimin nga osmanët”! Megjithatë, do të ndodh një befasi e madhe! Me vdekjen e Silvio Pikollominit rrugës për në Prizren, komandën drej­tuese në vend të tij do ta merr Hercog Holshtajni, i cili do të urdhërojë që të gjithë kry­en­gri­të­sit të çarmatosen, ndërsa ushtarëve të tij do t’iu jep liri që të mund të bëjnë çfarë të dëshironin ve­të ata. Si rezultat i një politike të këtillë, ata shqiptarë katolikë dhe serbët të ci­lët ishin aleatë me ushtrinë austriake të Pikollominit, do të dyshojnë te udhëheqësit ushtarak aus­tro-hungarez! Pa­kënaqësia edhe më tej do të shtohet atëherë kur ushtarët austriakë do të fillojnë të plaçkitnin shtë­pitë dhe familjet e tyre[16]. Ky ishte një bumerang ndaj atyre që ishin pjesëmarrës në të gjitha ato shkatërrime, masakra dhe djegie së bashku me Pikollominin, Pjetër Bogdanin, Karposhin dhe Arsenije Çernojeviqin! Historiani shqiptar Hysamedin Ferraj vlerëson: “Ko­sova si rajon më i zhvi­llu­ar i Shqipërisë etnike dhe i Ballkanit, u shkatërrua plotësisht nga luf­të­rat e Austro-Hungarisë, Ser­bisë dhe në aleancë me ta të forcave shqiptare-katolike të udhë­he­qu­ra nga Pjetër Bogdani kun­dër Perandorisë Osmane që pikërisht u zhvilluan në këtë rajon”[17].

Me qëllim që të mbulohen synimet djallëzore të tyre, do të sajohet thënia se Shkupin në atë kohë e kishte kapluar kolera, gjë që aspak nuk është e vërtetë… Sa është e vërtetë se Silvio Pi­ko­llo­mini vërtetë vdiq nga kolera, atë do të mund t’a kuptojmë qartë nga vet letra e tij e lar­t­për­men­dur dërguar mbretit Leopold. Në fakt, ai në letrën dërguar mbretit të tij askund nuk thekson se qytetin – Shkupin, apo ndonjë vendbanim tjetër të këtyre viseve të Ballkanit – e kam djegur si pasojë se aty pati ndonjë sëmundjeje! Por, ai e pranon qartë pamundësinë e tij dhe të ushtrisë që e udhëhiqte se, “sikur të kisha edhe më shumë ushtarë që të fortifikoheshim këtu, unë edhe më tej do të depërtoja”! Vërtetë, askund, as Pikollomini e as ndonjë bashkëkohanik i tij nuk e tha një gjë të atillë. Me që, sikur të kishte ekzistuar vërtetë ndonjë sëmundje ngjitëse, ai nuk do t’a shprehte vullnetin për të depërtuar edhe më tej!

 

4.

Pas tërheqjes së ushtrisë osmane thellë në jug të Shkupit, nga Stambolli do të vijnë instruksione dhe urdhra të reja. Veziri i lartë Mustafa Pashë Qypërliu do t’i tubojë në Edrene të gjithë komandantët ushtarak në konsultime. U hartua strategjia për një kundërsulm ndaj ushtrisë austro-hungareze dhe kryengritësve. Një nga planet ishte edhe shuarja e kryengritjes në territorin e Maqedonisë së asaj kohe, ku udhëhiqte Karposhi. Sulmin në veri të Maqedonisë do ta realizojë komandanti Halil Pasha me 18.000 ushtarët e tij. Në radhët e ushtrisë osmane kishte turq, shqiptarë dhe tatarë. Nga Edreneje, përmes Qystendilit do drejtohen për në Shkup. Udhëheqësin e kryengritësve të Maqedonisë së asaj kohe, Karposhin – i cili do të gjendet në zonën e Kumanovës – do t’a kaplojë paniku. Ai tanimë rrezikohej nga ushtria osmane. Ushtria osmane nën udhë­heqjen e Halil pashës do të ballafaqohet me kryengritësit diku në afërsi të Kumanovës. Aty do të likuidohen një numër i madh i kryengritësve. Karposhi do të kapet rob, të cilin ushtria osma­ne do t’a sjell në Shkup, ku edhe në afërsi të Urës së Gurit në këtë qytet do t’a ekzekutojnë[18]. Më 4 janar të vitit 1690 ushtria osmane do të ballafaqohet me ushtrinë austro-hungareze në te­rri­to­rin e Kosovës. Që në fillim të kësaj beteje austriakët do të braktisen nga bashkëluftëtarët e tyre të më­parshëm, shqiptarët katolikë, latinët dhe serbët… Në këto beteja që do të zhvillohen në Ko­so­vë, ushtria osmane do të arrijë t’i likuidojë: princin e Hanoverit, Karlon, grofët Shturm, Kronsfeld dhe Auersperg, si dhe Shtra­serin[19]. Pas kësaj humbje të madhe, ushtria austro-hungareze për­fun­di­misht do të tërhiqet nga Kosova. Pas disa muajve, përkatësisht më 6 prill të vitit 1690, mbreti aus­triak – në propozim të Thomë Rrasporit, njërit nga ata që vazhdimisht i ftonte shqiptarët katolikë që t’iu bashkëngjiten ushtrisë austriake – do të publikojë një manifest përmes së cilit thi­rre­shin serbët, maqedonasit, shqiptarët, bullgarët etj., që të organizojnë sërish kryengritje duke iu premtuar privilegje të shumta… Tanimë ushtria osmanë do t’i merr këmbët, me që më 14 gusht të vitit 1690 ushtria austriake do të detyrohet nga sulmi i ushtrisë osmane të tërhiqet edhe nga Nishi dhe përfundimisht nga tërë territori i Serbisë së asaj kohe, e deri në territoret e Kroacisë së sotme.

Në fund do të pyesim: Si mund t’iu kërkohet shqiptarëve të sotëm të Maqedonisë, e veçanërisht shkupjanëve, që ata t’a respektojnë Pjetër Bogdanin, kur dihet se ai e mirëpriti Pikollominin, si dhe e ndihmoi atë në masakrat ndaj banorëve shqiptarë myslimanë të këtyre trevave, e më pas e dogjën edhe Shkupin!? Bota demokratike asnjëherë nuk meriton t’i përkrahë shkatërrimtarët e piromanët të tipit të neronëve, pikollominasve dhe bogdanasve kriminelë, e as ata të tipit të karposhëve të cilët të gjithë kishin një synim: të çrrënjoset elementi shqiptar e mysliman nga këto troje. Por, jo. Zoti nuk kishte thënë ashtu…

Referencat: 

[1] FERRAJ, Hysamedin, “Skicë e mendimit politik shqiptar”, Logos-A, Shkup, 1999, f. 87.

[2] ТАШКОВСКИ, Драган “Карпошевото востание”, Култура, 1951, f. 22. Po ashtu shih: Јован Поповиќ, “Војна у Србији 1689 године”, f. 54 dhe Мита Костиќ, “Спаливање Скопла 26 и 27 октобар 1689 год.”, Стара Србија, Скопле, 1922.

[3] ТАШКОВСКИ, Драган “Карпошевото востание”, Култура, 1951, f. 23-24.

[4] Jezuitët ishin një sekt të cilët kishin obligim përhapjen sa më efikase të katolicizmit. Kjo ishte një lëvizje katolike të cilën në vitin 1534 e themeloi ushtaraku dhe teologu Ignjacio Lojola (1491-1556). Kah fundi i shekullit XIX, rendi jezuit u inkua­drua edhe në fushatën raciste dhe më vonë edhe në atë nacional-socialiste kundër hebrenjve. Ata u inkuadruan edhe në formimin e kampeve famëkeqe të koncentrimit. Shih: MURTEZAI, Ekrem, “Fjalor i feve”, Rilindja, Prishtinë, 2000, f. 162.

[5] BOGDANI, Pjetër, “Çeta e Profetëve”, shkalla II, ligjërata III, paragrafi 3, Prishtinë, 1990. f. 60-61.

[6] IBRAHIMI, Nexhat, ‘Islami në trojet Iliro-shqiptare gjatë shekujve’, Logos/A-Shkup, 1999, f. 108-110.

[7] IBRAHIMI, Nexhat, ‘Islami në trojet Iliro-shqiptare gjatë shekujve’, Logos/A-Shkup, 1999, f. 98-99.

[8] ТАШКОВСКИ, Драган “Карпошевото востание”, Култура, 1951, f. 24.

[9] ТАШКОВСКИ, Драган “Карпошевото востание”, Култура, 1951, f. 23-24.

[10] Мита Костиќ, “Спаливање Скопла 26 и 27 октобар 1689 год.”, Стара Србија, Скопле, 1922.

[11] ТАШКОВСКИ, Драган, po aty, f. 24-26.

[12] АСИМ, Салих, “Историја на Скопје и неговата околина”, Скопје, 2005, f. 39, si dhe fusnotën me nr. 60.

[13] ХАЏИВАСИЉЕВИЋ, Јован, “Скопље и његова околина”, Београд, 1930, f. 47, shih dhe fusnotën nr. 3.

[14] ХАЏИВАСИЉЕВИЋ, Јован, “Скопље и његова околина”, Београд, 1930, f. 242-243.

[15] ТАШКОВСКИ, Драган, po aty, f. 26.

[16] ТАШКОВСКИ, Драган, po aty, f. 26-27.

[17] FERRAJ, Hysamedin, “Skicë e mendimit politik shqiptar”, Logos-A, Shkup, 1999, f. 58.

[18] KULÇE, Sulejman, “Shqipëria në historinë osmane”, GLOBUS R., Tiranë, 2004, f. 44-45; ТАШКОВСКИ, Драган, po aty, f. 29.

[19] ТАШКОВСКИ, Драган, po aty, f. 29-30. /tesheshi.com/

Related posts