Transferimet gjatë verës: më të mirët dhe ata që po zhgënjejnë, pavarësisht milionave

Afati kalimtar këtë verë mund të cilësohet i “çmendur”, për shkak të shifrave marramendëse të transferimit. Mjafton të kujtojmë yllin brazilian të Barcelonës, Neymar, që u transferua te PSG për 222 milionë euro, apo Mbappe për 180 milionë nga Monaco te parizienët.

Disa prej këtyre transferimeve kanë qenë të goditura, të paktën deri në këtë fazë të sezonit, ndërsa të tjerë kanë dështuar deri tani, duke mos justifikuar shumat e mëdha të paguara për transferimin e tyre.

“La Gazzetta dello Sport” ka ndërtuar dy formacione, me lojtarët që kanë ndryshuar ekip gjatë afatit kalimtar të verës dhe kanë shkëlqyer, si dhe me formacionin e të dështuarve deri në këtë fazë të kampionatit.

Me paraqitjen aktuale te PSG, ku ka arritur të shënojë 6 gola si dhe të dhurojë 5 asiste, Neymar sigurisht që nuk mund të mungonte në formacionin e më të mirëve, ku sulmi përbëhet nga Salah, Morata dhe Lukaku, tashmë i Manchester United.

Ndërkohë, në formacionin e dështimeve të afatit kalimtar të verës bien në sy emra si Mendy, për të cilin City shpenzoi 52 milionë paund, duke vendosur edhe rekordin e transferimit të një mbrojtësi. Po ashtu në këtë formacion janë vendosur edhe Tolisso, të cilin Bayern e transferoi për 42.5 milionë euro nga Lyon. /tesheshi.com/