Themelimi i ushtrisë as më 2018-tën: si po e mposht “Srpska” Ramushin

Nga Blendi Gashi

Ramush Haradinaj dështoi të marrë vendime të mëdha brenda tre muajve të parë të qeverisë, si bërjen e ushtrisë e heqjen e vizave premtime që i dha në fushatën elektorale. Por këto premtime sipas të gjitha gjasave ai nuk do t’i përmbush as brenda 2018-tës ani pse këtij viti i kanë ikur vetëm një muaj e pak.

Haradinaj, ashtu edhe si Mustafës i ka hasur sharra në gozhdë sidomos me bërjen e ushtrisë, pasi Lista Serbe nuk po i lëshon pe dhe, pa votat e këtij subjekti të minoritet serb e ka të pamundur të ec tutje.

Ndërsa Haradinaj refuzon të japë një afat se kur do të ndodhë transformimi i FSK-së në ushtri, të cilin po e presin tash e disa vjet qytetarët e Kosovës, bashkëpunëtorët e tij në ekzekutiv veçse kanë konfirmuar dështimin.

Është Rrustem Berisha, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovë që vjen nga partia e Haradinajt që e ka konfirmuar se ushtria mund të mos bëhet këtë vit.

Ne jemi në rrugë të mirë që kjo të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese dhe mendoj se viti 2018/2019 do jetë vit i transformimit”, tha ministri Berisha, të hënën gjatë qëndrimit në qytetin e Deçanit.

Ai më tej tha se rruga më e mirë e transformimit në Forca të Armatosura është përmes ndryshimeve kushtetuese.

Ne jemi duke punuar në transformimin përmes ndryshimeve kushtetuese, për shkak se edhe integrimi në NATO është shumë më i lehtë për ne. Mendoj që në këtë drejtim jemi në rrugë të mirë. E kemi në plan të Strategjisë se integrimit edhe komunitetin jo shumicë, jemi duke bërë përpjekje që të jetë pjesë e transformimit të FSK-së dhe në kuadër të saj e kemi plan të veprimit ku pothuajse shumica e aktiviteteve që janë të parapara me këtë plan janë në përfundim e sipër”, tha Berisha.

Lista Serbe e “arrë e fortë” edhe për Haradinajn

Kjo deklaratë e ministrit të FSK-së tregon qartë se koalicioni qeverisës nuk është unik dhe se Lista Serbe fare nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket ushtrisë, pavarësisht se në vazhdimësi partnerët e tyre të koalicionit deklarojnë se janë duke punuar që të bindin “Srpska”-n.

Është e qartë se kjo parti e minoritetit serb assesi nuk do t’i japë votat pro për ushtrinë pa marrë urdhër nga Serbia, dhe kjo e fundit vështirë se do bëjë këtë pa ja kërkuar me ngulm ndërkombëtarët.

Prioriteti kryesor për Listën Serbe është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, apo siç njihet ndryshe “Zajednica” dhe këtë e përsëritin në çdo paraqitje televizive edhe ministrat serbë në qeverinë “Haradinaj”.

Pra, Ramushi duhet ta pranojë se ashtu si Isa Mustafa edhe ai po dështon të kalojë temat e mëdha dhe se themelimi i ushtrisë nuk është në duar të tij por të Beogradit zyrtar.

Mosmarrja e vendimeve të mëdha e rrëzoi nga pushteti Mustafën, andaj mbetet të shihet nëse fat i njëjtë do e përcjellë edhe Haradinajn. /tesheshi.com/

Related posts