Thellohet përplasja Rama – Meta, presidenti për kryeministrin: ky kërcënues!

Një mesazh i fundit i presidentit Meta në FB, duket se po e thellon më tej përplasjen e radhës mes tij dhe kryeministrit Rama. Me një gjuhë më shumë partiake se presidenciale, ish-kreu i LSI-së, partisë që është angazhuar në një sulm frontal mbi shefin e qeverisë, i kujton Ramës deri dhe Zaganin apo Komisariatin e Fushë Krujës, për ta pagëzuar si një “kërcënues”.    

“Ai që guxoi të kërcënojë komisar Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nënkomisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkruajti një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e Para!”, shkruan Meta.

Mesazhi i tij është në vazhdën e replikave në distancës me të parin e qeverisë, pas refuzimit të emrit të Genti Cakajt për ministër të Jashtëm. /tesheshi.com/  

auto pjese dak

Related posts