Tensionimi i situatës: Kina i druhet një lufte të mundshme mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut

Kina shprehu druajtjen e nisjes së një konflikti të mundshëm, për shkak se tensionet mbi aktivitetet e ndaluara bërthamore të Koresë së Veriut janë rritur së tepërmi. Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi tha se, nëse do të ketë luftë, me siguri nuk do të ketë të fituar.

“Mendoj se shumëkush mund të ketë ndjenjën se konflikti mund të shpërthejë nga momenti në moment. Mendoj se të gjitha palët duhet të jenë tejet vigjilente në lidhje me këtë situatë. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të vetëpërmbahen nga provokimi apo kërcënimi i njëri-tjetrit, qoftë me fjalë apo me veprime, e të mos lejojnë që situata të shkojë në një fazë të pakthyeshme dhe të pamenaxhueshme”, tha ministri Wang.

Duke shtuar edhe më shumë shqetësimin e Kinës, presidenti Donald Trump tha të enjten se “do të kujdesemi për problemin e Koresë së Veriut”. “Nëse Kina vendos të ndihmojë, kjo do të ishte diçka e madhe. Nëse jo, ne do ta zgjidhim problemin pa ata!”, shkroi Trump.

Uashingtoni është i shqetësuar se Koreja e Veriut mund të zhvillojë kapacitetet për të lëshuar një armë bërthamore që do të prekte territorin amerikan. Trump dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, kanë qenë në kontakte të vazhdueshme telefonike që prej takimit të javës së kaluar në Florida mes tyre, ndërsa “Reuters” citon disa zyrtarë amerikanë se po konsiderohen edhe sanksione më të rënda ekonomike ndaj Koresë së Veriut. /tesheshi.com/

Related posts