Tension në BE: Britania të largohet menjëherë nga blloku

Qeveritë europiane kanë shtuar presionin mbi Britaninë e Madhe që të largohet sa më parë të jetë e mundur nga blloku, duke thënë se bisedimet për daljen e saj duhet të nisin urgjentisht, ndërkohë që apeluan për marrjen e menjëhershme të detyrës nga një kryeministër i ri, pas dorëheqjes së Cameron.

Ndërsa Europa po përpiqet të limitojë dëmet e momentit të parë të Brexit, sidoqoftë, duket se ka pak fuqi në dorë për të detyruar Britaninë të përshpejtojë hapin e largimit të saj nga blloku 60-vjeçar.

Pas samitit urgjent të Berlinit, ministrat e Jashtëm nga gjashtë vende themeluese të BE-së kërkuan nisjen e procesit të largimit të Britanisë sa më shpejt të jetë e mundur. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, tha se Britania duhet të aktivizojë nenin 50 të traktatit të Lisbonës, që përbën procedurën e largimit nga BE.

Sipas tij, ka një “farë urgjence” në këtë kërkesë. Komentet u bënë pas bisedimeve me homologët nga Gjermania, Belgjika, Hollanda, Italia dhe Luksemburgu. Ai shtoi se David Cameron duhet të lërë zyrën shpejt në mënyrë që në lider i ri të menaxhojë tranzicionin e largimit nga blloku.

“Një kryeministër i ri duhet të përvijohet, brenda pak ditësh”, tha kryediplomati francez, duke shtuar se nuk do të ishte “e respektueshme” vonesa e procesit. Të premten e kësaj jave, Cameron tha se do ta shtynte nisjen e negociatave të Brexit, derisa zëvendësuesi i tij të merrte detyrën në vjeshtë.

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, theksoi se mbledhja e ministrave së bashku ishte për të thënë se procesi i largimit të Britanisë duhet të nisë sa më shpejt të jetë e mundur, kështu që “nuk ngecim në një periudhë të stërgjatë limboje”.

Steinmeier tha në një konferencë shtypi në Berlin se Cameron ka “përgjegjësinë përtej Britanisë së Madhe” për të nisur hapat formal të largimit dhe “që të na japë një mundësi të merremi me të ardhmen e Bashkimit Europian… ne apelojmë Britaninë të aktivizojë nenin 50 sa më shpejt të jetë e mundur”.

Më herët, presidenti i Bashkimit Europian, Jean-Claude Juncker, tha se britanikët kanë votuar për largimin dhe “nuk ka kuptim të pritet deri në tetor që të negociohen kushtet e largimit”.

Juncker, tha se largimi i Britanisë nuk do të ishte një “divorc miqësor” por vuri në dukje se gjithsesi, nuk ka qenë kurrë një histori e ndjerë dashurie. Edhe ai tha se do të preferonte që largimi të niste menjëherë.

Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, tha se nuk do të donte të kishte një lojë si macja me miun në gjithë këtë situatë, pasi kjo, sipas tij, nuk do të ishte e përshtatshme as për Britaninë e as për Bashkimin Europian.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, duke folur ndaraz në një konferencë në Potsdam, tha se nuk duhet të ketë vonesa të Britanisë për të përcjellë kërkesën zyrtare që dëshiron të largohet nga BE, por ajo “nuk do të këmbëngulte për një periudhë të shkurtër kohe”.

Duke e bërë të qartë se çështja ishte tërësist në duart e Londrës, Merkel tha se nuk ka nevojë të “jemi shumë kapriçiozë në asnjë mënyrë, në negociata. Ato duhet të mbahen në mënyrë të përshtatshme”.

Pjesa më e madhe e BE mund të dëshirojë që Britania të nxitojë, por ka shumë pak mjete ligjore që ta detyrojnë atë të nisë procesin. “Nuk ka asnjë mekanizëm për të detyruar një shtet të tërhiqet nga BE”, thotë Kenneth Armstrong, profesor i ligjit europian në universitetin e Kembrixhit.

“Artikulli 50 ekziston për të lejuar tërheqjen, por asnjë palë tjetër nuk ka të drejtën të aktivizojë nenin 50, asnjë shtet tjetër dhe asnjë institucion. Ndërsa vonesa është shumë e padëshiruar, ligjërisht nuk ka asgjë që të detyrojë një shtet të largohet”. Neni 7 i traktatit të Lisbonës mund të përdoret për të pezulluar një shtet anëtar për shkak të thyerje së rëndë të të drejtave bazë në BE, por konsiderohet si një “rezervë bërthamore” dhe Britania nuk ka bërë asgjë që neni 7 të aktivizohet kundër saj.

28 komisionerët e bllokut pritet të mblidhen në Bruksel të hënën, në një samit dy ditor që do të pasohet nga samiti i liderëve të martën dhe të mërkurën.

Me euroskeptikët në rritje gjithandej në kontinent, shumë personalitete thonë se vota Brexit duhet parë si një zile alarmi se blloku po humbet lidhjet me njerëzit e vet.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/