728 x 90 Leaderboard

Telegramet nga populli: shoku Ramiz, shpalle Enverin “hero kombëtar”

Pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës në Tiranë, një ndër ngjarjet më kulmore të historisë së re shqiptare, vija e ndarjes mes diktaturës komuniste e demokracisë, është kërkuar shpallja e diktatorit si “hero kombëtar”. Ky fakt na vjen nga një seri telegramesh që i dërgoheshin atëbotë Ramiz Alisë, nga qytete të ndryshme, si reagim për atë që kishte ndodhur në qendër të Tiranës.

Nga këto telegrame kemi shkëputur 4 prej tyre sipas origjinalit që ruhet në AQSH.

 

Telegram

Shokut Ramiz Alia

Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor

Tiranë

Ne pionerët e Enverit dhe të rinjtë e shkollës së mesme “Naim Frashëri” të Përmetit shprehim indinjatën tonë të thellë për aktet terroriste të kryera nga forcat destruktive në Tiranë e gjetkë. Rrëzimi i përmendores së Enver Hoxhës është fyerje më e rëndë që i bëhet kombit tonë dhe goditje e fortë për demokracinë e vërtetë që duam të vendosim.

Në këto ditë zije kombëtare, solidarizohemi plotësisht me kërkesat e popullit të rrethit tonë e krahinave të vendit për rivendosjen e simboleve të Enver Hoxhës. Gjithashtu, kërkojmë me forcë zbulimin dhe nxjerrjen para gjyqit të popullit organizatorëve të këtyre skenarëve të rrezikshëm për popullin e Atdheun tonë. Si bij të popullit të Dangëllisë të frymëzuar me idealet patriotike e demokratike të Abdylit, Naimit e Samiut shprehim vendosmërinë tonë për të mbrojtur qoftë dhe me gjak interest tona kombëtare, pushtetin popullor dhe figurën e ndritur të Enver Hoxhës.

Pionerët e Enverit dhe të rinjtë e shkollës së mesme Naim Frashëri”

Frashër, Përmet.

26.2.1991

 

***

Telegram

Shokut Ramiz Alia

Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor

Tiranë

Ne punonjësit e fshatit në Vuçisht, të mbledhur sot me 25.2.1991, në mbështetje të nismës së Skraparit për cënimin e figurës së shokut Enver Hoxha dhe jemi për rivendosjen në vend të Monumentit dhe të shpallet Hero Kombëtar.

Kryesia e frontit

Nevicishtë

26.2.1991.

 

 

***

Shokut Ramiz Alia

Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor

Ne mësues, nxënës të shkollës së mesme profesionale 26 shkurti Burrel, sot me 26 shkurt jemi mbledhur para sheshit të shtëpisë së kulturës Burrel. Aty 19 vjet më parë shoku Enver Hoxha në plenumin e Komitetit Partisë së rrethit Mat, mbajti fjalimin programatik Socializimin e ndërtojnë masat, partia i bën ato të ndërgjegjshëm. Takon këtu e i dëgjojmë me krenari  bisedat e veteranëve që vetë kanë jetuar këtë moment historik dhe që patën rastin e paharruar të takohen me shokun Enver. Ne krenohemi me figurën e ndritur të komandantit legjendar e themeluesit të Partisë e të shtetit të ri shqiptar e këtë gjë e shprehën edhe tri ditë më parë në mitingun e madh në qytetin e Burrelit. Në këtë rast dënojmë edhe njëherë ato forca të errëta që me veprën kriminale të tyre rrëzuan përmendoren e shokut Enver dhe këtë gjë e shprehën të gjithë mitingjet që janë bërë në tërë vendin. Një bust mund ta shembin por kujtimin dhe veprën e shokut Enver nuk mund ta heqin nga zemrat tona rinore e të gjithë popullit. Mbështesim këshillin presidencial si dhe qeverinë dhe ju në krye shoku Ramiz. Kemi besim të plotë për stabilizimin e gjendjes në vend dhe futjen e tij në rrugën e demokratizimit të plotë. Shprehim gadishmërinë tonë në çdo moment që të na thërrasë atdheu.

Nga nxënës, mësues të shkollës profesionale 26 shkurtit mbledhur përpara shtëpisë  kulturës Burrel me rastin e 26 shkurtit ditës së ardhjes së shokut Enver në rrethin tonë.

Drejtori i Shkollës Xhelil Pasha

 

***

Telegram

Këshillit presidencial

Tiranë

Në banorët e 15 fshatrave të zonës së thellë të Fanit të rrethit të Mirditës jemi mbledhur sot për të shprehur  solidarizimin tonë në mbështetje të mitingjeve dhe të protestave të mbarë kombit tonë, në mbrojtje të figurës së ndritur të Enver Hoxhës. Ne që po ju shkruajmë ju sigurojmë se jemi zbatues të flaktë të proceseve demokratike që përjetojmë, por jemi kundër çdo përpjekjeje që bëjnë forcat destruktive e reaksionare për të mohuar punën dhe luftën e popullit tonë. Kundër veprimeve të shëmtuara dhe krimit të rëndë të kryer ndaj figurës dhe veprs monumentale të Enver Hoxhës, shokë të presidencës kërkojmë:

1.Përmendorja e Enver Hoxhës të vendoset në vendin ku ka qenë.

2.Të zbulohen e të jepen gjyqit të popullit vandalët. Ky gjyq të jepet nëpërmjet televizionit.

3.Drejtori i radios së jashtme dhe grupi i xhirimit të turpshëm të 20 shkurtit 1991 të largohen menjëherë nga ky institucion e të përgjigjen para gjyqit.

4.Çdo parti politike që është implikuar ose implikohet në veprime të tilla aventureske të nxirret para ligjit.

  1. Enver Hoxha të shpallet Hero Kombëtar.
  2. Në qoftëse nuk plotësohen kërkesat e popullit të zonës sonë, ne detyrohemi të vetveprojmë.

Nga mitingu popullor i 15 fshatrave të zonës së Fanit, Mirditë.

27.2.1991

 

 

 

Related posts