Telashet në të bërit biznes në Kosovë

Nga Bashkim Kastrati

Kosova vazhdon të mos jetë vend i përshtatshëm për të bërë biznes. Nga ky ambient jo i mirë, më së shumti kanë vështirësi bizneset e vogla dhe të mesme. Vetëm brenda një viti mbyllen mbi 2 mijë biznese, që sipas ekspertëve të fushës së ekonomisë, ky është një sinjal i keq dhe që tregon se të bërit biznes në Kosovë për shkaqe të shumta është vështirësuar.

Bizneset që veprojnë në Kosovë përballen me vështirësi të shumta dhe nga me të ndryshmet, si procedurat burokratike, konkurrenca jolojale moszgjidhja e shpejtë e kontesteve gjyqësore dhe shumë probleme tjera. Këto probleme dhe vendosja e arkave fiskale po ndikojnë që shumë biznese të ndërpresin veprimtarinë e tyre.

Bizneset, në veçanti ato të vogla dhe të mesme, shumë herë tregojnë se një arsye tjetër që vjen deri te falimentimi, është edhe krijimi i monopolit të kompanive të mëdha.

Pasojat në mbylljen e një biznesi janë të mëdha, njerëzit që kanë qenë të punësuar do të mbesin pa punë, pa të ardhura personale, çdo zvogëlim i punësimit sjell pasojën tjetër, kërkesën më të vogël në treg për mallra të konsumit të gjerë.

Sipas ekonomistëve, bizneset në Kosovë janë të ngulfatura, politika dhe kjo qeveri i ka ngulfatur mirë bizneset dhe i ka nën kontroll të vetin. Ka edhe arsye tjera të shumta që ndikojnë në shuarjen e bizneseve si mungesa e energjisë elektrike korrupsioni etj. Sipas saj, institucionet duhet që të përkrahin më shumë bizneset dhe të krijojnë lehtësime sidomos në taksa.

Gjithashtu ka edhe probleme tjera si mungesa e energjisë elektrike, korrupsioni, burokracia e madhe etj. Mospërkrahja për bizneset tregon se bizneset janë në mbyllje e sipër dhe në anën tjetër asnjë investitorë nuk është i interesuar që të investojë në këto kushte. Institucionet duhet që të mos ju qesin taksa për hapje bizneseve, por bizneset duhet të lirohen nga këto taksa, sepse ata përmes punëtorëve taksat i paguajnë.

 

Hulumtimi empirik tregon për barrierat e të bërit biznes

Lulzim Beqiri magjistër i ekonomisë ka thënë për tesheshi.com se aktualisht ballafaqohet me shumë barriera të ndryshme të të bërit biznes. Ai thotë se pas krizës së rëndë politike që po përjeton Kosova, duke qenë në top storiet e medieve ndërkombëtare si vend i destabilizuar nga bllokada e opozitës dhe mosreflektimit nga Qeveria e Kosovës për marrëveshjen për asociacionin dhe demarkacionin.

Ai thotë se pas shumë dështimeve në shumë fusha të ndryshme si në privatizim, mos shitjen e Post Telekomit të Kosovës (PTK), ekonomia kosovare ka përjetuar një kolaps ekonomik, me gjithë disa përmirësime të vogla që në ekonomi nuk kanë ndonjë peshë të madhe.

Për të parë situatën reale në terren ai ka ndërmarrë një hulumtim empirik për t’i evidentuar pengesat kryesore të të bërit biznes në Kosovë.

“Hulumtimi empirik është realizuar në komuna të ndryshme të Kosovës. Janë anketuar 250 ndërmarrje të ndryshme në sektorin e prodhimit, në sektorin e tregtisë dhe në sektorin e shërbimeve. Hulumtimi është shtrirë në regjione si (Prishtinë, Pejë, Mitrovicë, Prizren dhe qyteti i Podujevës), të gjitha bizneset e anketuara kanë qenë biznese të regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës”, thotë Beqiri.

Ai thotë se përzgjedhja e mostrës është e rastësishme, rezultatet e mostrës në terren nga bizneset e anketuara janë 53.20% prej tyre janë të përfshira në tregti, 35.20 % të përfshira në fushën e shërbimeve,dhe 11.60 % të përfshira në prodhim.

Ai thotë se struktura e ndërmarrjeve sipas veprimtarisë ekonomike është e rëndësishme për të vlerësuar llojin e aktiviteteve ekonomike (për ndërmarrjet e hulumtuara – përkatësisht për mostrën që e kemi përcaktuar).

“Problemi më i madh ose barriera më e madhe sipas zyrtarëve të anketuar është varfëria që në Kosovë është mjaft e madhe, pastaj qasja në financa renditet e dyta si barrierë e dytë. Korrupsioni është rangu në vendin e tretë për ka rëndësia e barrierave të të bërit biznes sa i përket korrupsionit ne si Kosovë kemi marr dhe marrim shumë kritika nga ambasadorë dhe institucione ndërkombëtare”, theksoi Beqiri.

Tutje Beqiri thotë se krimi i organizuar zë vend të rëndësishëm si barrierë ose problem i zhvillimit të bizneseve. Ai thotë se sundimi i ligjit dhe zbatimi i tij llogaritet si pengesa e pestë në renditje duke u pasuar nga paqëndrueshmëria politike e vendit që në vitin 2015 është karakterizuar me bllokada dhe situata të paqarta politike. Niveli i dobët teknologjik, arsimi janë ranguar në pozitat e fundit si pengesa duke u pasuar me procedurat burokratike dhe infrastrukturën jo të duhur të të bërit biznes.

“Qasja në financa llogaritet si pengesa kryesore e bizneseve në regjionin e Prishtinës, pastaj varfëria në vendin e dytë, në vendin e tretë korrupsioni dhe barrierat tjera të renditura më sipër. Regjioni i Prizrenit si pengesë kryesore llogaritë të jetë varfëria pastaj korrupsioni, qasja e kufizuar në financa etj. Edhe bizneset e qytetit të Pejës pengesë kryesore e kanë varfërinë, korrupsionin, qasjen e kufizuar në financa. Gjithashtu edhe qytetet tjera si Mitrovica dhe Podujeva i kanë të njëjtat probleme të mëdha të të bërit biznes”, thotë Beqiri.

Sipas tij, vlen të përmendet se viteve të kaluara si probleme kryesore janë llogaritur edhe energjia elektrike, por ky problem është përmirësuar dukshëm edhe pse ende vazhdon të ketë probleme serioze me furnizim me energji elektrike sidomos me disa qytete që gjeografikisht gjinden më larg kryeqytetit.

“Të dhënat statistikore (përfshirë edhe të dhënat e këtij hulumtimi) pasqyrojnë që në Kosovë ndërmarrjet janë të koncentruara në sektorin e tregtisë dhe në sektorin shërbyes. Kjo nënkupton se këta sektorë të biznesit ofrojnë edhe mundësinë më të madhe të punësimit të të rinjve në Kosovë”, u shpreh Beqiri. /tesheshi.com/

Related posts