Të pathënat ende të një proteste: kush i hartoi 8 kërkesat dhe a janë çuar e protokolluar në kryeministri?

Protesta studentore e ngërthyer në 8 kërkesa “të panegociueshme”, e ka kaluar dhjetëditëshin dhe ende në horizont nuk duket ndonjë fund. Në orët e pasdites të kësaj të premteje, prej turmës “pa kokë” rrodhën dy lajme të cilat ishin përgënjeshtruese me njëra-tjetrën: njëra mbi një kërkesë për seancë të jashtëzakonshme në Kuvend, e tjetra që thoshte se jo, nuk ekziston një kërkesë e tillë, e cila mbante dhe  “firmën” e Këshillave Studentore. Firmën më thonjëza, pasi një prej detajeve që e bëjnë okulte këtë protestë është pikërisht mungesa e një aspekti legal; që do thotë se kush janë organizuesit, udhëheqësit, menaxhuesit e protestës, ata që përpunojnë strategjinë, e sido – sido, në një moment të saj është e nevojshme, qoftë dhe për aspekt protokollar, të bisedojnë me dikë nga qeveria, nëse vërtet besojnë se do u plotësohen kërkesat fët e fët, ashtu siç dhe e kërkojnë. Sepse, edhe pse ka mbi 10 ditë që media i qaset për raportim protestës, me përpjekje për t’i dalë nga të gjitha anët, akoma nuk ka arritur të zbardhë ca gjëra të thjeshta, por tejet kuptimplota për ta parë këtë protestë me respektin e seriozitetit, më shumë se me atë të entuziazmit rinor.

A janë çuar zyrtarisht e protokolluar 8 kërkesat në kryeministri, apo thjesht kreu i qeverisë është njohur “nga rruga” me to? Nëse po, nga ç’adresë kanë ardhur, ç’nënshkrime a ç’firmë ka nën to? Kush e dërgon, thjesht një masë njerëzore? Nëse kjo nuk ka ndodhur, është një tolerim i tepërt i kryeminstrit, një fyerje për etikën shtetërore, që t’i përgjigjet një letre më kërkesa ardhur nga një masë njerëzore, e cila nuk ka as elementin më të vogël të respektit ndaj shtetit dhe etikës zyrtare, e në fund dhe ndaj vetes.

Është e njëjta gjë si më studentin e verbër në përballjen me Ramën. Siç u pa, paçka fatit të trishtë të atij të riu, një mangësie drithëruese në resursin shqisor, pamundësisë së tij ekonomike, qasja e tij etike në komunikim, por dhe gjykimi i mangët përballë një shtetari, ishte krejt i pajustifikueshëm. Kështu dhe me protestën. Ajo vërtet po ka një efekt pozitiv në vetëdijen publike, e që po i sjell një shkundje të domosdoshme qeverisjes, në mekanizmat e pavajisura veprues dhe praktikën e shkalafitur shtetëndërtuese, por kjo nuk e përligj në ca cene uluritëse. Vetë 8 kërkesat janë të tilla. Nëse vërtet, e gjitha dija, vetëdija dhe i gjithë formimi i asaj mase studentore, pasqyrohet tek mënyra se si janë përzgjedhur e formuluar ato 8 kërkesa, kjo është më e trishtueshme se arsyet që i kanë nxjerrë në protestë.

Për një prej tyre – “rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekanë, rektorë dhe cdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik” – profesor Fuga ka vënë duart në kokë.

Po kështu, pika tjetër  – “Rritja e buxhetit në 5% e GDP me qëllim….”, për çdo mendje që zotëron ABC-në e njohjes mbi financave të këtij shteti në gjendje aktuale ku ndodhet, është gati e pabesueshme.

Eshtë gjithashtu dhe pika 8 – “Vlerësimi i performancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut…– që pasqyron gjithashtu një përqindje të lartë naiviteti rinor te masa e zemëruar studentore. E nëse ky zemërim shkon deri aty sa t’i heqë kësaj kauze fillim e domosdoshëm logjik, atë që është i domosdoshëm mbi përmisimin e situatës pas vrundujve entuziastë e patetikë të denoncimit të saj, ky është një problem jo i vogël për protestën – e që në fakt, për mendjet e ftohta po i jep dita-ditës shumë dritë-hije; po e çon drejt dyshimit të pasjes së rrënjëve te politika, e ndërtuar mjeshtërisht nga shumë aktorë, duke llogaritur dhe shfaqjen e saj si “të pafajshme”.

Sepse, duke qëndruar sërish te 8 kërkesat, ca pyetje lindin vetvetiu: kush janë ata që i kanë piketuar? Me ç’konsulta, ç’referenca? A janë asistuar nga ndonjë pedagog? Fjala vjen, për pikën e parë të rritjes me 5% të GDP-së, i është marrë mendimi ndonjërit sosh nga Ekonomiku? Për sa dita apo orë u analizuan dhe u hartuan kërkesat? Sa kohë është dashur që ato të zbërthehen deri në pikën e të bërit “të qarta dhe të realizueshme”? Pse deri më sot nuk kemi qoftë dhe një student nga ata që ofrojnë vargje e memo, i cili t’u japë përgjigje të 8 kërkesave si provë e lehtësisë se një “Po”-je kryeministrore ndaj tyre, në llojin si kërkohet?

Deri më tani, i gjithë ligjërimi studentor përmblidhet në ca fraza denoncuese shabllone për gjendjen në universitete e konvikte, e në atë më shabllonen deri në klisheizim acarues: “kërkesat janë të qarta dhe plotësisht të realizueshme”. Po si? Atë e di kryeministri! Në fakt, si rregull duhet ta dijë ai që i ka formuluar më shumë se ai të cilit i kanë shkuar. Është thjeshtë të denoncosh, t’u fryesh vuvuzelave, të recitosh Migjenin e Naimin, të vargëzosh fraza të rimuara të nxjerrë nga fantazia, të sajosh memo shvjekiane – dhe kjo ka anën e vet pozitive në pickimin apo flakërimën turinjve dhënë qeverisë. Por kur vjen puna të tregosh se je student më shumë se i ri  – i ri është gjithkush që është i ri, por student jo gjithkush – është e nevojshme të jesh serioz edhe në mënyrën si e kërkon të drejtën. Për pak vite, varësisht llojit të shkollës që përfundojnë, këta studentë që bëjnë hipi-në me kërkesa të drejta por dhe naive ndaj shtetit, do jenë nesër vetë shteti, përgjegjsia, korrektesa dhe virtyti në punë. Dhe nëse pretendojnë se këtë kauzë e kanë pikërisht në funksion të kësaj të nesërmeje, duhet t’i japin një tjetër drejtim asaj: trupit që përpëlitet për të drejtat, i duhet vënë një kokë; atë që mendon më shumë se sa klith, që arsyeton më shumë se sa vrundullon, që flet më shumë se sa turfullon.

P.S. Ditë më parë, ish-nr 2 i PD-së, Astrit Patozi, e quajti të nevojshme daljen e një force të re politike nga protestat. Si i djathtë e me përvojë në politikë, z.Patozi duhet ta kuptojë se prej një lëvizjeje të tillë, nëse ajo gjykohet ideologjikisht prej frymës, detajeve dhe mënyrës se si kërkohet zgjidhja, nuk ka gjasë që prej saj mos rrjedhë një parti e ekstremit të majtë. Edhe komunizmi e komunistët, i përvidhen tragjizmit të vet duke u përligjur me reagimin ndaj padrejtësive e pabarazisë shoqërore. /tesheshi.com/                 

 

 

 

auto pjese dak

Related posts