Të pathënat e përplasjes së Edi Ramës me deputetët e PS-së në grupin parlamentar: nuk ju mbroj dot!

Zbardhet debati i ashpër i Edi Ramës me deputetët e tij në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PS-së.

Pas fillimit ku Rama ka folur për “çështjen Xhafaj”, në pjesën me dyer të mbyllura, kryeministri ka përmendur me emër ata deputetë që po abuzojnë duke vendosur dhe emëruar njerëz të papërshtatshëm në administratën e lartë.

Edi Rama ka deklaruar se nuk do të mbrojë asnjërin sapo ndaj tij do të ketë një çështje në prokurori dhe urgjentisht do ta largojë nga grupi parlamentar.

Një sherr i majisur ditët e fundit ndërmjet deputetëve të Tiranës është diskutuar në mbledhje, pasi kjo ka krijuar një përplasje për një post të lartë në një nga entet qendrore të vendit.

Tre deputetë të PS-së janë konfliktuar sa është dashur ndërhyrja e Ramës i cili ka deklaruar se do të shkarkojë 300 drejtorë që janë emëruar me izmën e deputetëve.

Kryeministri ka përmendur numrin e madh të ankesave të qytetarëve që kanë shkuar në adresë të platformës së bashkëqeverisjes për drejtorë apo institucione të caktuara. Rama deklaroi se shumë njerëz ndjehen të frikësuar të shkruajnë në portalin e bashkëqeverisjes, ndaj përdori numrin e tij të telefonit.

“E dini sa mesazhe vijnë tek unë? Me dhjetëra mijra. Unë i dërgoj për verifikim dhe prap nuk jepen përgjigje. Kur në këtë rast s’ka reagim, po për qytetarët që nuk e ndërmarrin këtë hap?”, ka pyetur kryeministri.

Duke iu rikthyer përplasjes së deputetëve, një sherr i fortë për postin e kreut të AKU-së ka përplasur Ilir Beqajn, Blerina Gjylametin dhe deputëtin Arben Pëllumbi, i cili përfaqëson Farkën dhe ka ndryshuar realitetin duke e kthyer në PS.

Pëllumbi mësohet se ka ofruar edhe dorëheqjen e tij pasi po zvarriten njerëzit që kanë fituar konkurset për administratën e lartë.

Rama ka urdhëruar deputetët që të shkojnë vetë tek zyrat e punës për të ndihmuar njerëzit që kërkohen të punësohen.

Në mbledhjen e djeshme, Fatmir Xhafaj ka rrëfyer me hollësi çështjen e tij, ku edhe parlamentarë të ndryshëm kanë bërë pyetje.

Xhafaj mësohet se ka falënderuar deputetët që nuk e kanë sulmuar, ndryshe siç ndodhi me rastin “Tahiri” kur i dolën kundër një pjesë e madhe e kolegëve të tij. /tesheshi.com/

 

Related posts