Të parëlindurit dhe inteligjenca: kush është djali numër një në familje?

Fëmijët e parëlindur janë ndryshe, por jo edhe aq shumë sa mund të mendojnë disa.

Në vitin 1874 dijetari Francis Galton  analizoi një numër shkencëtarësh anglezë dhe gjeti se pjesa dërrmuese e tyre ishin  djemtë e parëlindur të familjeve të tyre. Kjo e bëri atë të spekulojë se fëmijët e parëlindur gëzonin një shkallë vëmendjeje të veçantë nga prindërit që u mundësonte të harliseshin nga ana intelektuale. Gjysëm shekulli më pas, psikologu austriak, Alfred Adler, argumentoi ngjashëm lidhur me personalitetin. Fëmijët e parëlindur ishin më të hapur së jashtmi dhe emocionalisht të qëndrueshëm. Shumë studime të mëvonshme kanë eksploruar këto ide, por gjetjet e tyre kanë qenë jo në të njëjtin drejtim – disa në mbështetje dhe disa në refuzim të argumentit.

Aktualisht, një ekip i drejtuar nga Stefan Schmukle i universitetit të Laipcigut në Gjermani, ka mbledhur pjesën më të madhe të të dhënave e provave që ekzistojnë për çështjen në fjalë. Përfundimet e ekipit, që u publikuan edhe në revista shkencore, janë se Adler e kishte gabim, ndërsa Galton mund të ketë pasur të drejtë.

Problemi më i madh me studimet e mëparshme ka qenë se ato ishin, në disa mënyra, të bazuara mbi grupe shumë të vogla vëzhgimi. Kjo do të kishte qenë e vërtetë edhe nëse statistikat e nevojshme për t’i analizuar ato do të ishin të thjeshta, edhe pse në fakt nuk janë. Të dallosh ndikimin e renditjes sipas lindjes, të shkaktuara tek njerëzit nga madhësia e familjes e komplikon çështjen, që do të thotë se duhen analizuar grupe më të mëdha për të marrë rezultate domethënëse. Dhe po ashtu, qasja më e përdorur në studime të tilla që është intervistimi i anëtarëve të familjes individualisht për veten dhe vëllezërit e tyre, është reduktuar në intervistim të një anëtari për çdo familje për shkak të kostos së madhe. Një gjë e tillë ka bërë që kërkuesit ta përdorin këtë intervistë të vetme për familje për të mbledhur gjithë informacionin për të cilin kanë nevojë. Kjo jo vetëm që e kufizon madhësinë e grupit nën vëzhgim, por edhe paraqet një burim të dukshëm faktesh jo të vërteta.

Për t’i dhënë fund konfuzionit, Dr. Schmukle dhe kolegët e tij analizuan tre grupime të mëdha të dhënash nga Amerika, Britania dhe Gjermania. Këto të dhëna, edhe pse të mbledhura për qëllime të tjera, përfshinin teste të personalitetit dhe inteligjencës për 20 mijë e 186 persona në faza të ndryshme të jetës së tyre. Testimet amerikane ishin të njerëzve në moshën nga 29 deri në 35 vjeç. Testimet britanike ishin kryer mbi 50-vjeçarët dhe ato gjermane mbulonin gjithë spektrin e jetës së rritur, nga 18 deri në 98 vjeç.

Dr. Schmukle dhe kolegët e tij e dinin se përfshirja në grupe të mëdha, donte të thoshte se kishte shanse të mirë për të dalluar qoftë edhe ndikimet më të vogla të rendit të lindjes mbi personalitetin dhe inteligjencën, gjithmonë nëse ato ekzistonin. Ata po ashtu e dinin, se duke punuar me vëzhgime nga tre vende dhe me një spektër të gjerë moshor, do të mund të mbulonin me të dhëna dhe të sheshonin ndryshoret konfuze.

Rendi i lindjes, zbuluan ata, nuk ka asnjë ndikim mbi personalitetin, të parëlindurit nuk kishin as më shumë e as më pak gjasa sesa vëllezërit apo motrat më të vogla për të qenë të ndërgjegjshëm, ekstrovertë apo neurotikë. Por koha e lindjes në familje, renditja, ndikonte mbi inteligjencën. Në një familje me dy fëmijë, fëmija e parë ishte më inteligjent se i dyti në 60 për qind të rasteve, ndërkohë që shifra 50 për qind mund të dukej edhe si rastësi. Mesatarisht ky fakt përkthehet me një diferencë prej 1.5 pikë IQ midis vëllait të madh dhe të dytë. Kjo shifër bie në dakordësi me studimet e mëparshme e ndaj duket e konfirmuar.

Megjithatë, bëhet fjalë për një diferencë mjaft të vogël – dhe nëse shifra mbështet apo jo teorinë origjinale të Galton, nuk mund të përcaktohet. Në çdo rast, shifra nuk flet për determinizëm. Vetë Galton ishte më i vogli i nëntë fëmijëve.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/