“Të dënuar” me paraburgim! Statistikat e burgjeve shqiptare që tregojnë krizën e pas-hekurave

Në Shqipëri  ka më shumë të paraburgosur, pra të arrestuar që presin të marrin dënimin se të dënuar me burg.

Viti 2014 ka qenë me numrin më të lartë të të burgosurve, ndërsa dënimi më i shpeshtë është ai poshtë 15 vite burg.

Sa i kushton një dënuar buxhetit dhe çfarë ndodh me dënimet nga viti 2013 deri 2017, sipas të dhënave të publikuara nga Open Data Albania?

Në tre vitet e fundit, në burgjet shqiptare numri i të paraburgosurve është më i lartë se numri i personave të dënuar me burgim me vendim gjykate. Kjo është shenjë edhe e përdorimit të limiteve ligjore në gjykim, duke shtyrë dhe bërë më të gjatë kohën e qëndrimit nën një masë sigurie përpara marrjes së dënimit përfundimtar.

Mbajtja e një të burgosuri në institucionet e vuajtjes së dënimit apo paraburgim, është një proces që ka kosto jo të vogël financiare. Përllogaritur sipas pagesave për burgjet të bëra përmes transaksioneve të thesarit të shtetit, në vitin 2013 vlerësohej se një i burgosur mesatarisht kushtonte çdo vit 524 mijë lekë të reja. Përllogaritja është bërë në një hulumtim të realizuar nga Open Data Albania.

Po kjo organizatë ka nxjerrë dhe shifrat për numrin e të dënuarve në vendin tonë dhe të dhënat për format e dënimit më të shpeshta që jepen nga gjykata.

Të dhënat  bazohen tek Statistikat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ndërsa përpunimi, komente dhe analiza është realizuar nga ODA. Analiza u realizua duke krahasuar të dhënat e muajve janar të viteve 2013, 2014, 2015, 2016 dhe 2017, për kategorinë e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve në sistemin e burgjeve.

Kategoria e të dënuarve në formë të prerë me burgim dhe që janë në vuajtje dënimi në një institucion, ka shënuar numrin më të lartë në janar të vitit 2014 (pesëvjeçari 2013 – 2017). Konkretisht, në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, kanë vuajtur dënimin me burgim 3125 persona. Në muajin janar 2017, në IEVP, është shënuar numri më i ulët i të dënuarve që vuajnë dënimin me burgim, konkretisht 2681 të tillë.

Përsa i përket kategorisë së të paraburgosurve në Institucionet e Paraburgimit, në pesë vitet e marra në analiz, për muajt janar, numri më i lartë i tyre është shënuar në janar të vitit 2015. Konkretisht, në këtë muaj kanë vuajtur masat e sigurimit në Intitucionet e Paraburgimit 3014 të paraburgosur. Numri më i ulët i tyre është shënuar në janar të vitit 2013, me 1796 të paraburgosur.

 

Të burgosurit e përjetshëm

Gjykata Kushtetuese, me Vendimin Nr. 65 datë 10.12.1999 shpalli si antikushtetues dënimin me vdekje në kohë paqe që parashikohej në Kodin Penal  dhe Kodin Penal Ushtarak. Kjo u nxit si rrjedhojë e aderimit të Shqipërisë në Statutin e Këshillit të Europës dhe solli vendimin me burgim të përjetshëm si analog për krime të rënda.

Duke iu referuar  statistikave, numri më i lartë i personave të dënuar me burgim të përjetshëm në periudhën janar 2013-janar 2017, është shënuar në muajin janar të vitit 2017, me 164 të dënuar.

Vihet re një tendencë në rritje e personave  të dënuar me burgim të përjetshëm që e vuajnë këtë dënim në IEVP, nga viti në vit. Numri më i ulët i kësaj kategorie të dënuarish është shënuar në janar 2014, me 122 të dënuar me burgim të përjetshëm. Kjo ka ardhur si rezultat i politikës së ashpërsimit dhe rritjes së kriminalitetit për krimet e rënda. Kodi i procedurës Penale ka parashikuar në nenin 75/a, krimet e rënda sipas një liste shteruese. Përsa i përket kategorisë së personave të dënuar nga 20 deri në 35 vite burgim, në janar 2017, numri i personave të dënuar me këtë fashë dënimi shënonte 348 persona.

 

Amnista lehtëson burgjet

Sipas të dhënave, në muajin janar 2017 vihet re një numër i ulët personash të dënuar në Institucione krahasuar me dhjetor 2016, e kjo por shkak të Ligjit për Amnistinë i miratuar në Kuvend në datën 22 dhjetor 2016. Gjithashtu, më parë, në janar të vitit 2016 është shënuar një numër më i ulët i të dënuarve dhe i të paraburgosurve në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale për shkak të  amnistisë, e cila e filloi zbatimin më 21 janar 2016.

Me propozim të Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, u miratua ligji nr. 154 datë 21.12.2015 “Për dhënie amnistie”. Nga ligji i amnistisë në Sistemin e Burgjeve përfituan 968 persona.

Më 10 prill 2014 hyri në fuqi ligji nr. 22 datë 10.03.2014 “Për dhënie amnistie” sipas të cilit  përfituan 813 persona me heqje lirie. Rezultati i kësaj amnistie është reflektuar në uljen e numrit të të dënuarve me burgim që e vuajnë këtë dënim në IEVP, në muajin prill, në 2461 të dënuar./tesheshi.com/