A do ta rrëzojë Specialja Ramushin nga pushteti?

Nga Blendi Gashi

Ndërsa Isa Mustafën dhe LDK-në e tij nga pushteti, PDK i rrëzoi duke luajtur me kartën e mosmarrjes së vendimeve të mëdha, konkretisht në dështimin për ta ratifikuar Demarkacionin me Malin e Zi, njw skemw e ngjashme siç duket po luhet dhe me Ramush Haradinajn dhe AAK-në.

Ngjan se PDK po e përdor Gjykatën Speciale me të cilën po bën lojën e saj politike. Deputetët e kwsaj partie nisën iniciativën për shfuqizimin e Speciales ku morën nënshkrimet edhe të kolegwve të AAK-së e Nisma-s, dhe pas reagimit të komunitetit ndërkombëtarë Kadri Veseli u tërhoq duke thënë se Specialen askush nuk mund ta ndalë, për çka kritikoi deputetët që dhanë nënshkrimet për shfuqizim duke thënë se nuk i kanë llogaritur pasojat.

Kjo tërheqje e Veselit që u vlerësua nga ambasadori amerikan Greig Delawie, i ka bërë “armiq” të ndërkombëtarëve Haradinajn e Limajn, të cilët vazhdojnë të mbesin “pro” rrëzimit të Speciales, nëse kjo çështje vihet në rend dite në një nga seancat plenare.

I pyetur rreth qëndrimit të Veselit, i cili tha se nuk mund të ndalet Gjykata Speciale, kryeministri Haradinaj të martwn tha se nuk ka koment rreth kësaj.

Unë kam lexuar letrën e Veselit që është kryetar i Kuvendit dhe i PDK-së. Nuk kam ndonjë koment në këtë letër. Nëse më pyesni mua dhe Aleancën e dini qëndrimin tim dhe të Aleancës, atëherë kur ka qenë kemi votuar kundër. Sot po të vijë votojmë kundër, nesër kundër, e respektojmë iniciativën e deputetëve sido që të jetë”, tha Haradinaj.

Duke parë se iniciativa për shfuqizimin e Speciales u ngrit nga PDK brenda natës, pashmangshëm shtrohet pyetja: a është kjo një lojë e Veselit, sigurisht e mbështetur nga presidenti Thaçi për ta rrëzuar Haradinajn e Limajn nga pushteti?

Ja ç’thonë analistët…

Njohësit e rrethanave politike konsiderojnë se Gjykata Speciale është përplasja më e fuqishme që ka ndodhur deri më tash brenda koalicionit qeverisës, i cili ka marrë mandatin në shtator të vitit të kaluar.

Sipas tyre, kjo gjykatë mund ta rrëzojë koalicionin aktual edhe pse mund të ketë edhe shumë arsye të tjera për të ardhur deri te shpërbërja e këtij koalicioni.

Gurakuç Kuçi, deklaratën e Veselit për tërheqje nga rrëzimi i Speciales e sheh si një thikë pas shpine ndaj Haradinajt.

Z. Veseli e ka pa që nuk ka asnjë mundësi ndryshimi dhe deklarata e tij është dhënë në koordinim edhe me presidentin, ndërsa z. Haradinaj fatkeqësisht prap po bie pre e lojërave të cilat po tregohet i paaftë t’i kuptoj dhe kjo bëhet për shkak se nuk po di të ofroj afër vetës njerëz që ta ndalojnë të mos bie në gracka të tilla”, thotë Kuçi për tesheshi.com.

Sipas tij, këto lojëra janë shenjë se edhe këtë vit do ketë zgjedhje të reja nacionale.

Ne po shkojmë drejt një qeverie teknike që na dërgon shpejt në zgjedhje të reja nacionale, ku do ndërtohet një koalicion PDK-LDK”, thotë ai.

Faik Krasniqi, analist politik, thotë se Specialja paksa do të acaroi raporotet mes partnerëve të koalicionit, por sipas tij Demarkacioni do jetë pika ku do t’ua ndajë rrugët.

Qëndrimet ‘pro dhe kontra’ shfuqizimit të Gjykatës Speciale, të partnerëve të koalicionit qeverisës, mund të bëhen ‘mollë sherri’ të prishjes së këtij koalicioni, por nuk do të vijë deri në atë pikë, sepse kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, me deklaratat e tij të fundit që ‘Kosova nuk mund ta ndal Specialen’, lë të nënkuptojë që nuk do ta procedojë fare në Kuvend. Pika më e nxehtë që mund të çoj drejt prishjes së qeverisë do të jetë Demarkacioni, kur dihen qëndrimet e PDK-së dhe të AAK-së dhe rreth kësaj çështje”, thotë Krasniqi për tesheshi.com.

Sipas tij, nëse PDK e sheh në interesin e saj që të shkohet në zgjedhje, i gjen me qindra arsye për ta prishur koalicion, ashtu siç ka vepruar edhe në të kaluarën.

Për momentin asnjë partie nuk i konvenon që të shkohet në zgjedhje, marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale. PDK do ta prish koalicionin kur vlerëson se është momenti i duhur!”, thotë Krasniqi. /tesheshi.com/

 

Related posts