Superoperacioni kundër mafias shqiptare: FBI dhe DEA sjellin prova voluminoze, ja në ç’feud pritet aksioni parë

Tashmë prej ditësh një grup i gjerë agjentësh të policisë europiane dhe dy agjencive të rëndësishme ligjzbatuese amerikane, kanë mbërritur në Shqipëri për të koordinuar një superoperacion me synim kapjen e krerëve të krimit të organizuar në vend.

Siç mësohet, kjo bërthamë ndërkombëtarësh ndodhet në Tiranë prej kohësh, por që është përforcuar një grup nga ana e FBI-së dhe DEA-s amerikane.

Edhe pse dy agjencitë e njohura amerikane koordinojnë me njëri-tjetrin, ata kanë edhe detyra të ndara.

Oficerët e FBI-së po merren përgjithësisht me përgatitjen e trajnimit të rekrutëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, por edhe përgatitjen e një baze nënlidhore proceduriale që do ta përdorë kjo Byro, pikërisht në nisje të punës për kapjen e të ashtëquajturve “peshq të mëdhenj”.

Ndërkohë, një grup i FBI-së ndodhet edhe pranë Policisë së Shtetit dhe po merret me koordinimin e punës operative hetimore kundër krimit të organizuar, duke sjellë metodat më bashkohore amerikane në ndjekjen, përgjimin dhe zbulimin e provave.

Siç mësohet, puna më e rëndësishme po bëhet në lidhje me fshehjen dhe pastrimin e parave në organizata financiare, shoqëri of-shore, apo kamuflimin e pronave dhe aseteve në persona apo subjekte të ndryshme.

Ndërkaq, grupi i Agjencisë Amerikane të Luftës kundër Drogës, që funksionon në mënyrë më të pavarur edhe si natyrë pune, ka një shtrirje më të afërt në terren.

DEA ka dy qendra të saj rezidenciale, në Athinë dhe në Bullgari, ku merret me hetimin e trafikimit të narkotikëve nga dhe për territorin e SHBA, si dhe me aktorë të rëndësishëm të krimit të organizuar që kryejnë veprimtarinë e tyre në SHBA.

DEA ka natyrisht qendra edhe në vendet e BE, por ajo në Shqipëri ka një material të plotë të linjave të trafikut të drogës që kryqëzohen me Shqipërinë.

DEA vepron në mënyrë të pavarur në hetimet e saj ndaj aktorëve kriminalë në Shqipëri, Greqi, Bullgari dhe vendet e tjera të BE-së jashtë Ballkanit.

Operacionet e DEA-s deri më sot nuk kanë pasur një koordinim aq të ngushtë me autoritetet shqiptare, pasi natyra e kësaj organizate është e tillë .

Por prej një jave, agjentët e DEA-s, me kërkesën edhe të Departamentit Amerikan të Shtetit, natyrisht nëpërmjet ambasadës në Tiranë, kanë nisur një koordinim të punës me oficerët shqiptarë.

Siç mësohet, janë sjellë material voluminoze për disa nga bosët shqiptarë të krimit, përkatësisht trafikimit të kokainës nga Europa në Amerikën Latine.

Piërisht për këto subjekte ka të dhëna shumë voluminoze, jo vetëm për mekanizmin e trafikimit dhe strukturimin e organizatave shqiptare, por DEA ka arritur të hyjë brenda këtyre organizatave duke marrë informacion të dorës së parë, që lidhen me investimet e këtyre organizatave në Shqipëri dhe natyrisht lidhjet e tyre me qarqe shumë të rëndësishme.

Rasti i vrasjes së një shqiptari në Ekuador, një muaj më parë ishte një nga ngjarjet ku DEA ka hetuar dhe heton pikërisht në veprimtarinë e baronëve shqiptarë të drogës.

Në lidhje me viktimën Ilir Hidri, organe shqiptare, konkretisht prokuroria kërkoi informacion nëse ka pasur një marrëdhënie të DEA-s me të, për ta futur në bashkëpunim.

Ky detaj u shikua nga amerikanët si një lëvizje jo e duhur, ndaj ka pasur një kujdes të madh që të mos ketë një bashkëpunim me autoritete shqiptare për këtë pjesë.

Por pas vendimit të DASH që agjentë amerikanë dhe nga vendet e BE-së të koordinojë operacionin e madh kundër krimit të organizuar në Shqipëri, tashmë DEA është në terren të plotë operativ, natyrisht jo si forcë që merret me arrestimet, por me koordinimin dhe ndjekjen e lidhjeve mafioze.

Një aspekt shumë i rëndësishëm i kësaj procedure që lidhet edhe me oficerët e FBI-së, është natyrisht ndjekja e parave dhe mënyrave të pastrimit të tyre.

Ditët e ardhshme, më saktë nga e hëna pritet një superoperacion i madh në të gjithë vendin e inicuar nga agjentët amerikanë.

Një operacion që mund të kapë natyrisht edhe feudin e Balilajve në jug të vendit. Klemend Balili, i konsideruar edhe “Eskobari i Ballkanit” është kthyer në një fantazëm të vërtetë që askush nuk di për të ç’bëhet, edhe pse ka një urdhër-arresti ndërkombëtar.

“Shpejt do të ketë lajme në këtë drejtim”, tha për tesheshi.com një burim i rëndësishëm në agjencitë ligjzbatuese. /tesheshi.com/