Studimi: Muri i Kalasë së Prizrenit ra nga abuzimi i institucioneve

Gjatë dy muajve të kaluar organizata ka hulumtuar çështjen e rrëzimit të një pjese të murit ballor të Kalasë së Prizrenit, që paraqet njërin prej monumenteve më të rëndësishme arkeologjike në këtë komunë.

Në bazë të dhënave të siguruara nga institucionet përgjegjëse kjo pjesë e murit është shembur si pasojë e depërtimit të lagështisë në brendi të strukturës së murit, por edhe si rezultat i materialit të dobët lidhës, që sipas zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nuk ka qenë i cilësisë së lartë. Në të njëjtën kohë ka munguar mbikëqyrja e vazhdueshme e punëve restauruese-konservuese.

“Sa i përket shembjes se një pjese të murit të Kalasë së Prizrenit, ka ndodhur si rezultat i depërtimit të lagështisë në brendi të strukturës së murit e që me ndryshim të temperaturave e në veçanti ato të ulëta ka shkaktuar plasaritje të brendshme dhe përfundimisht shembjen e tij. Sigurisht se kjo ka ndodh edhe si rezultat i materialit të dobët lidhës-gëlqeres, e cila nuk ka qenë e cilësisë së lartë.”

“Edhe pse si e tillë kërkon të qëndrojë së paku tri vite e që në rrethanat tona disa nga kompanitë-punëkryesit nuk po i kushtojnë rëndësi sa duhet”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zyrtarëve të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS. Po ashtu, ky departament ka cekur se punët restauruese-konservuese kërkojnë mbikëqyrje të vazhdueshme ashtu që çdo veprim i punëkryesit të përcillet me kujdes dhe udhëzime të domosdoshme.

Ndërkaq në përgjigjen e zyrtarëve nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren thuhet se në këtë rast MKRS ka qenë punëdhënëse dhe se kompetencat për të kërkuar sqarime nga punëkryesi i takojnë kësaj ministrie. QRTK ka theksuar se në këtë rast “nuk është cilësia e punimeve shkaktari kryesor i rrënimit të murit, por janë edhe faktorë të tjerë të cilat QRTK i ka raportuar në MKRS”.

EC Ma Ndryshe më 29 prill 2015 përsëri ka kërkuar nga QRTK raportin e detajuar të dërguar në MKRS mbi shembjen e murit të Kalasë, por deri më 25 maj 2015 nuk ka marrë përgjigje.
Duke i marrë për bazë këto të dhëna EC Ma Ndryshe konstaton se institucionet përgjegjëse për trashëgiminë, në këtë rast MKRS dhe QRTK, bartin një pjesë të përgjegjësisë për këtë shembje, sepse me veprimet (apo mosveprimet) e tyre kanë lejuar që të paraqitet një  situatë e tillë në Kala.

Rrjedhimisht është dashur që të jenë më strikte në mbikëqyrjen e punëve restauruese-konservuese, në mënyrë që të evitohet çfarëdo lëshimi i mundshëm nga ekzekutuesi i punimeve.

Për këto arsye, EC Ma Ndryshe rekomandon të gjitha institucionet e përfshira në projektin restaurues-konservues të Kalasë që punimet të realizohen në mënyrë profesionale e transparente, me material dhe ekzekutim adekuat, në mënyrë që të ruhen dhe promovohen vlerat e këtij monumenti dhe të mos përsëriten situatat sikurse me rastin e shembjes së murit.

auto pjese dak

Related posts