Studentet protestojnë para rektoratit: kërkojnë bursa dinjitoze dhe vlerësim objektiv

Një grup studentësh të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, protestuan përpara rektoratit duke kërkuar bursa dinjitoze dhe vlerësim objektiv.

 

Egzon Daku, kryetar i parlamentit studentor, theksoi gjatë protestës se prej nesër, studentët do të bllokojnë njësitë akademike, dhe se nuk do të zhvillohet procesi mësimor deri në realizimin e kërkesave.

 

Ai, po ashtu, ka kërkuar që studentët të mos bien pre e politikave të ndryshme. Një tjetër kërkesë e studentëve që bie në sy është ajo që Daku e përmblodhi: “të largohen maniakët seksualë nga universiteti i Prishtinës”.

 

Studentët mes të tjerash kanë kërkuar që në universitet të merren me shkencë e jo me politikë, duke e shoqëruar këtë me thirrjet “poshtë seksizmi”.

 

Kurse Arben Mehmeti nga parlamenti studentor dhe organizues i protestës është ankuar se profesorët po tregojnë përralla në ligjërata. Sipas tij, ata kanë shpikur lëndë vetëm për të mbushur normën.

 

Më tej, ai ka theksuar se profesori i historisë vjen e jep anglisht.

Protesta para rektoratit nisi të tensionohej ndërsa ka pasur konfrontime me policinë.  Një student ka marrë lëndime të lehta gjatë këtyre përplasjeve, kur policia ndërhyri pasi studentët u përpoqën të hyjnë brenda objektit të rektoratit.

/tesheshi.com/

Related posts