Studentet nga Prizreni më të mirat në Edirne të Turqisë

 

Marrja e udhës së largët drejt një shteti tjetër, vite më parë, në kërkim të arsimimit të lartë, ka qenë e mbushur me plot paqartësi për Drenushë Zhurin nga Prizreni. Madje as nuk kishte fituar bursë dhe të gjitha shpenzimet për studimet jashtë vendit ishin bërë barrë për prindërit e saj.

Këto rrethana nuk e kishin dekurajuar, por megjithatë në atë kohë as që e kishte menduar se një ditë do të kthehej në vendlindje me një sukses të lartë, që do ta bënte krenare atë dhe të afërmit e saj, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në përfundim të shkollimit të lartë 4-vjeçar në Universitetin Trakya në Edirne të Turqisë, ajo ka arritur që muaj më parë të shpallet studentja më e mirë e vitit në drejtimin e Biologjisë dhe njëkohësisht më e mira e vitit në Fakultetin e Shkencave Natyrore.

Në fakt, ky Universitet ka shpallur 3 studentet më të mira të vitit akademik 2016-2017, ku veç Drenushës, një mirënjohje të tillë e ka marrë edhe një studente tjetër nga Prizreni, Sema Mani.

Kjo e fundit është shpallur studentja më e mirë në studimet 2-vjeçare për Tregti të Jashtme, në kuadër të Shkollës së Lartë Profesionale të Shkencave Shoqërore. /tesheshi.com/