Strakosha, krenaria e vetme e Lacios në finalen ndaj Juventusit

Humbja e Lacios ndaj Juventusit në finalen e Kupës së Italisë mund të kishte qenë më e thellë, e shumë më e shpejtë, nëse do të kishin munguar pritjet e portierit 22-vjeçar shqiptar.

Thomas Strakosha bëri një figurë mjaft të mirë me pritjet e tij në këtë finale, duke ndalur gjuajtjet e fuqishme të Higuain-it apo Dybala-së.

Ndërhyrjet e tij do të ishin vendimtare në mbajtjen gjallë të një shprese të vogël për përmbysje nga ekipi i tij. Dy golat e pësuar nuk ishin aspak për faj të Strakoshës, i gjendur i vetëm përballë kundërshtarëve.

Ai ka marrë notën më të lartë në vlerësimet e pasndeshjes për lojtarët e Lacios. I vlerësuar me notën 7, cilësimi për të ka qenë kësisoj: fantastik!

“Lacio do të ishte dërrmuar po të mos ishte Strakosha. Ai bëri disa pritje të pabesueshme në pjesën e parë, dhe e mbajti vërtet Lacion në lojë, me një mundësi për të luftuar. Strakosha ishte fantastik gjatë 90 minutave,” është shkruar për të në faqet sportive italiane. /tesheshi.com/