Stërzgjatja e procesit të “dështuar” privatizimit në Kosovë

Nga Bashkim Kastrati

Pas mbarimit të luftës në Kosovë shumë ndërmarrje kanë mbetur të pafunksionalizuara dhe disa prej tyre funksiononin me një kapacitet të vogël. Për këtë shkak u pa e arsyeshme që ato të privatizohen në mënyrë që të rimëkëmbën, të punësojnë qytetarët e Kosovës dhe të realizojnë prodhim, në mënyrë që të ndikojnë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës.

Por kjo llogaritje nuk doli ashtu në praktikë. Shumë ndërmarrje që u privatizuan nuk u aktivizuan kurrë, ndërsa disa prej tyre dështuan për një kohë të shkurtër dhe shumë punëtorë mbetën të papunë. Pra procesi i privatizimit në vend se ta rriste numrin e të punësuarve, vetëm sa e ka zvogëluar atë. Ndërsa në anën tjetër pati shumë dyshime e akuza për favorizime në blerjen e ndërmarrjeve.

Procesi i privatizimit nuk solli ndonjë të mirë. Kjo duket më qartë kur kemi parasysh që një numër i madh i ndërmarrjeve nuk janë aktivizuar, sipërfaqe të tëra të privatizuara kanë mbetur djerrinë, janë shuar shumë vende të punës, pra nuk ka pasur gjenerim të punësimit dhe ndërmarrje të shumta nuk ekzistojnë fare. Sipërfaqe të mëdha të tokave shtetërore janë privatizuar me çmime shumë të ulët, ndërsa tani institucionet nuk kanë tokë shtetërore për t’u ofruar investitorëve, ashtu siç e bëjnë vendet e rajonit.

Shumica e ndërmarrjeve të shituara janë privatizuar me metodën e quajtur “spin off” i rregullt, kurse ndërmarrjet që janë konsideruar më të mëdha, janë privatizuar me metodën e “spin-off”-it special. Te këto të fundit, privatizimi nuk lejon ndërrimin e destiminit të ndërmarrjes. Por, jo të gjitha kanë mundur tu përmbahen kontratave të nënshkruara më autoritet kompetente. Katër ndërmarrjeve u janë marrë aksionet dhe janë kthyer në pronësi të AKP-së.

Pra, ndër format më të dështuara të privatizimit ka qenë e ashtuquajtura privatizimi me “spin-off”-it special. Kjo formë e privatizimit ishte e shpejtë dhe nënkuptonte që blerësit të kushtëzohen për të investuar në ndërmarrjet që i kanë blerë si dhe të punësojnë një numër të caktuar të punëtorëve që iu përcaktohet me rastin e blerjes. Por pothuajse të gjitha ndërmarrjet e privatizuara në këtë mënyrë kanë dështuar pasi që blerësit nuk i kanë realizuar obligimet e tyre.

Ndryshe, edhe zyrtarë të Qeverisë më herët kanë deklaruar se shumë nga ndërmarrjet shoqërore të privatizuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), nuk kanë arritur të funksionalizohen.

“Nevojiten edhe shtatë vjet që të privatizohen të gjitha aseteve të planifikuara”  

Privatizimi në Kosovë ka filluar para 15 viteve dhe deri më tani janë privatizuar 1480 asete të ndërmarrjeve shoqërore, kurse vetëm gjatë vitit 2017 nga ky proces janë nënshkruar 220 kontrata të reja me një vlerë financiare prej 27 milionë euro.

Deri më tani nga ky proces shuma e përgjithshme e mjeteve të grumbulluara ka arritur në mbi 681 milionë euro, prej të cilave 210 milionë euro u janë dhënë kreditorëve dhe u janë transferuar punëtorëve të ish-ndërmarrjeve shoqërore.

Vlera më madhe e shitjeve është realizuar në vitin 2006, me mbi 178 milionë euro, kurse në vitin 2012, AKP-ja ka shitur numrin më të madh të pronave. Gjatë këtij viti janë realizuar 163 privatizime, që kanë pasur vlerë të përgjithshme rreth 40 milionë euro.

Në anën tjetër, përfaqësues të punëtorëve e konsiderojnë se procesi i privatizimit në Kosovë ka shënuar regres në zhvillimin ekonomik të vendit. Gjithashtu janë bërë shumë akuza për afera korruptive gjatë privatizimit të aseteve shtetërore, ndërsa partitë opozitare kanë kërkuar hetim gjithë procesin e privatizimit.

Kujtojmë që privatizimi i rrjetit të shpërndarjes ë energjisë elektrike të Kosovës për vetëm 26 milionë euro ka nxitur reagime të shumta dhe është thënë se vetëm shtyllat e hekurta me pajisjet përkatëse e kanë këtë vlerë monetare.  

Por procesi i privatizimit nuk po e sheh fundin. Janë edhe shumë asete të tjera që pritet të privatizohen. Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit thonë se nevojiten edhe shtatë vjet për të privatizuar të gjitha asetet e ndërmarrjeve shoqërore. Pas kësaj periudhe pritet të shuhet agjencia dhe të funksionojë vetëm një zyre në kuadër të ndonjërës nga ministritë e Qeverisë së Kosovës.

Por përfaqësuesit e sindikatave të punëtorëve kanë deklaruar se zgjatja e procesit të privatizimit krijon dyshime për përfitime të grupeve të caktuara të interesit. Ata kërkojnë që ky proces të përmbyllet sa më parë që është e mundur. /tesheshi.com/

Related posts