Varfëria e çuditshme në Kosovë, statistikat: shpenzime për celularë, fishekzjarre, alkol e qejfe të tjera

Nga Bashkim Kastrati

Qytetarët e Kosovës kanë prirje që të shpenzojnë shumë para në produkte të luksit, e ky tejkalim i shpenzimeve vërehet sidomos gjatë festave të fundvitit. Por ky harxhim nuk është në proporcion me të hyrat financiare të familjeve kosovare në përgjithësi dhe me gjendjen e rëndë socio-ekonomike në të cilën gjendet një pjesë e konsiderueshme e tyre.

Ardhja e festave të fundvitit nënkupton edhe rritjen e shpenzimeve. Edhe pse Kosova është vendi më i varfër në Evropë, kur bëhet fjalë për festa të fundvitit, paratë gjenden disi. Të dhënat e doganës tregojnë ndër vite se importi i gjësendeve dekoruese, fishekzjarrëve etj., ka rritje të madhe në fundvit.

Ky është njëri nga segmentet ku shihet se si qytetarët e një shteti të varfër shpenzojnë para të majme për produkte luksi, pasi që ka edhe elemente tjera që e tregojnë për këtë dukuri.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) mbi ekonomitë familjare tregojnë se 22 për qind e këtyre të fundit kanë nga pesë telefona celular, por më shumë se gjysma e ekonomive familjare në Kosovë gjatë vitit 2016 kanë deklaruar se nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë një shpenzim të papritur prej 500 euro përmes burimeve vetanake.

Këto të dhëna nxjerrin në pah faktin se kosovarët jetojnë mes varfërisë e cila lidhet direkt me kërkesat për të jetuar një jetë modeste, dhe posedimit të gjërave luksoze sikurse telefonat celularë, dekorimet për fundvit, fishekzjarrët etj.

Sipas të dhënave të ASK-së, në buxhetin e përgjithshëm të ekonomisë familjare në vitin 2016 alkooli dhe duhani marrin pjesë 4 për qind, apo 308 euro në vit. Në vendbanimet urbane shpenzimet për konsum të alkoolit dhe duhanit qëndrojnë konstant gjatë viteve 2014-2016.

Në anën tjetër, ekonomitë familjare sipas të dhënave të ASK-së, shpesh nuk janë në gjendje të paguajnë në kohë pagesat siç janë qiraja, kreditë, tatimet, shpenzimet komunale – faturat, mirëmbajtje të rregullta etj.

“Rreth 43 për qind e ekonomive familjare, dy herë ose më shumë nuk kanë mundur të përballojnë pagesat, ndërsa në vitin 2016 është vërejtur një rritje prej 5 për qind. Te ekonomitë familjare që një here nuk kanë mundur të përballojnë pagesat është vërejtur rënie prej 37 për qind në vitin 2016, në krahasim me vitin 2015”, thuhet në raportin e ASK-së.

Në vitin 2016, rrogat nga sektori privat dhe publik kanë qenë burimi më i rëndësishëm i të hyrave në Kosovë për rreth 50 për qind të ekonomive familjare.

Burime tjera të rëndësishme janë pensionet dhe bizneset e ekonomive familjare. Paratë e dërguara nga jashtë (remitancat) janë shumë të vlefshme për ekonomitë familjare në Kosovë ku 8 për qind e tyre të hyrat nga jashtë i kanë burim kryesor.

Vetëm 11% kanë sistem të ngrohjes qendrore, por 77% kanë lidhje interneti

Përveç posedimit të telefonave celularë, shpenzimet për komunikim në vitin 2016 kanë qenë 220 euro dhe kanë marrë pjesë në ndarjen e buxhetit të përgjithshëm të ekonomisë familjare me 3 për qind. Gjatë viteve 2014-2016 në të gjitha grupet vërehet një rritje e këtyre shpenzimeve, thuhet në raportin e ASK-së.

Paradoksalisht, të dhënat tregojnë se përkundër shpenzimeve për produkte luksi që kanë të bëjnë me festat e fundvitit, gjendja e familjeve kosovare mbetët e rëndë. Sipas të dhënave të ASK-së, gjatë vitit 2016, rreth 50 për qind ekonomive familjare nuk kanë mundur të mbajnë shtëpinë apo banesën të ngrohtë në mënyrë adekuate.

“Pothuajse gjysma e ekonomive familjare në Kosovë në vitin 2016, nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë të ushqyerit çdo të dytën ditë shujtën me mish, pula, peshq apo ushqim vegjetarian”, thuhet në raportin e ASK-së.

Në anën tjetër, vetëm 11 për qind e familjeve kosovare posedojnë sistem të ngrohjes qendrore, por lidhje interneti posedojnë 77 për qind të familjeve kosovare ndërsa kompiuter apo loptop posedojnë 74 për qind e tyre. /tesheshi.com/