Start i çmendur në Premier League, Arsenal përmbys Leicester (Video)

Premier League hapi siparin me sfidën fantastike mes Arsenalit dhe Leicesterit, ku “topçinjtë” përmbysën në fund me Ramsey e Giroud për të fituar 4-3.

Fillimi ishte i shpejtë në “Emirates” me “topçinjtë” që kaluan në avantazh në minutën e 2-të,  kur Lacazzette shënoi golin e tij të parë në Premier League.

Përgjigja e miqve nuk vonoi pasi 3 minuta më pas, Okazakit vendosi barazpeshën. Në minutën e 29, Jamie Vardy realizoi sërisht për “Dhelpërat”, duke nisur mirë këtë sezon me gol që në javën e parë.

Por, Arsenal riktheu sërish barazpeshën me Danny Wellbeck, i cili shënoi pak përpara se skuadrat të shkonin në dhomat e zhveshjes.

Në pjesën e dytë, Vardy kaloi për herë të dytë në epërsi “Dhelpërat”, të cilët shpresuan për një 3-pikësh deri në minutën e 83, kur Aron Ramsey shfrytëzoi një pasim të marrë në zonë duke shënuar dhe golin e 3-3.

Për fitoren e ekipit të Arsen Venger, mendoi Olivier Giroud, i cili në minutën e 85 realizoi përmbysjen e madhe dhe golin e 4-të për Arsenalin.

Në të dy golat e fundit për “topçinjtë”, Granit Xhaka luajti një rol kyç me krosimet e sakta të tij. /tesheshi.com/