Stamboll: Shtëpitë e zogjve, kryeveprat arkitekturore të Perandorisë Osmane që i mbijetuan kohës

Osmanët ndërtuan vakëfe për të ndihmuar qentë e rrugës për të gjetur ushqim, zogjtë për të pirë ujë në ditët e nxehta, lejlekët e plagosur që duheshin trajtuar, ujqërit për t’u ushqyer me mish ose kuajt e plagosur për të marrë trajtimin e domosdoshëm. Ata ndërtuan shtëpi për zogj në fasadat e xhamive, medreseve ose pallate, në një lartësi që nuk mund të arrihej nga njerëzit. Ata gjithashtu vendosën enë të vogla në varre nga të cilat zogjtë mund të pinin ujë.

Në të kaluarën, njerëzit njiheshin më shumë për dashurinë ndaj zogjve. Kishte shumë familje që ushqenin zogjtë në shtëpi. Fëmijët i konsideronin ata sikur të ishin pjesë e familjes. Pak a shumë, zogjtë ndihmonin njerëzit të shëronin vetminë e tyre. Lejlekët, pëllumbat, harabelat dhe dallëndyshet shfrytëzonin pa frikë foletë e tyre mbi çatitë ose oxhaqet e ndonjë ndërtese.

E vendosur në qytetin perëndimor të Bursës, “Gurabahane-i Laklakan”, e cila qëndron edhe sot e kësaj dite, është ndërtuar shekuj më parë për të trajtuar lejlekët e plagosur.

Nga ana tjetër, zogjtë, veçanërisht pëllumbat, ishin mysafirë të rregullt të xhamive. Muslimanët që falnin namazin në xhami e kishin zakon të ushqenin këta zogj dhe oborret e xhamisë ishin të rrethuar nga zogjtë.

Një element i veçantë në arkitekturën e epokës osmane të xhamive, janë shtëpitë e zogjëve që zënë një vend unik. Këto shtëpi të vogla ndihmuan për t’u ofruar strehë zogjve dhe për të parandaluar ndotjen e mureve të xhamisë nga glasat e tyre të lëshuara nga lart. Nga perspektiva fetare, besohej se nëse një person u ndërton një shtëpi shpendëve, ai fiton shpërblim, sepse zogjtë gjenin strehë atje.

Shtëpitë e zogjëve ishin projektuar për të strehuar çdo zog që fluturonte lirshëm përreth, të tillë si harabelat, dallëndyshet, pëllumbat dhe lejlekët. Një fole e vogël e gdhendur në mure është në të vërtetë një kryevepër arkitekturore. Ato mund të shihen jo vetëm në xhami, por edhe në bujtina, biblioteka, medrese, shkolla, ujësjellësa, burime dhe madje edhe në mure. Duke vepruar kështu, vendasit e çdo grupmoshe dhe klase shoqërore u mbushën me dashuri dhe mëshirë për kafshët.

Gjatë epokës osmane, funksionaliteti dhe estetika ishin të dyja të rëndësishme gjatë ndërtimit të tyre. Shtëpitë e zogjve janë ndërtuar duke përdorur teknika shumë të përpunuara. Kishte shtëpi të zogjve me një kat dhe një dhomë, ose shtëpi me shumë kate dhe me shumë dhoma. Në mesin e atyre që ishin shumëkatëshe, ka pasur edhe disa shtëpi zogjsh që ishin ndërtuar në formë të një pallati apo xhamie.

Kishte dy faza të ndërtimit të shtëpive të zogjve. Faza e parë ishte gdhendja e murit, ndërsa faza e dyta ishte vendosja e tyre në mur. Me hollësi të detajuara të dyerve dhe dritareve, shtëpitë e zogjëve kurorëzoheshin me një çati, kupolë dhe qemer.

Disa shtëpi zogjsh kanë arritur të mbijetojnë deri sot. Shtëpitë më të vjetra për zogj në Stamboll ndodhen në urën Bujukçekmeçe. Ato që janë ndërtuar në shekullin e 17-të, ndërkohë që ende shihen në muret e xhamisë Eminonu Yeni Valide.

Shtëpitë e tjera të zogjëve që janë ndërtuar me teknika të ndryshme në fund të shekullit të 18 dhe janë të vendosura në tre fasadat e xhamisë së Uskudar Yeni Valide. Ato përbëjnë disa nga shembujt e ruajtur mirë të këtij stili arkitektonik. Njëra prej tyre është në formën e një shtëpie dhe dy të tjerat janë në formën e një xhamie me dy minare.

Megjithatë, shtëpitë e zogjve të ndërtuar në vitin 1760 dhe të vendosura në xhaminë Ayazma në Uskudar paraqesin shembujt më të shkëlqyer të këtij lloji.

Shtëpi të zogjve në stile të ndryshme, të tilla si shtëpitë njëkatëshe dhe pallate, vërehen në tre fasada të xhamisë.

Fasada e xhamisë Ejup, e cila daton në vitin 1800, është e mbuluar me shtëpi zogjsh. Gjithashtu, dritaret e qëndisura të një shtëpie dy-katëshe të zogjve në xhaminë Uskudar Selimiye që u hap në vitin 1801 janë befasuese. Ka edhe dy shtëpi zogjsh në mauzoleun e Sulltan Selim III në Laleli.

Ka mundësi të shihen shtëpi zogjsh në shembuj tjerë të arkitekturës formale ose civile. Shtëpitë e zogjve në murin e medresesë Sejid Hasan Pasha në Bajazit, që daton nga viti 1745, ndryshon nga të tjerët për nga teknika “Malakari”. Ajo ishte ndërtuar në formën e një xhamie me dy minare. Ka një tjetër shtëpi të zogjsh në medresën Bereketzade.

Shtëpia e zogjve në Taksim Maksemi, një ndërtesë që u ndërtua në vitin 1732 me qëllim të shpërndarjes së ujit në qytet është njëkatësh, por ka tre dhoma. Një tjetër shtëpi e zogjve në shatërvanin e İbrahim Tenuri në Kayseri është një nga shembujt e shquar të arkitekturës anadolliane të shtëpive të zogjve.

Ka një shtëpi zogjsh në muret e bibliotekës së xhamisë Fatih, e cila është ndërtuar me urdhër të Sulltanit Mahmud I, me dy kate dhe gjashtë dhoma. Me sa duket, sulltani Mahmudi I, i njohur për pasionin e tij për librat dhe bibliotekat që ndërtoi, gjithashtu i donte dhe kishte mëshirë për zogjtë.

Ka një tjetër shtëpi zogjsh me tulla mahnitëse dhe dhoma të gdhendura në mur në librarinë Ragip Pasha në Laleli. Një tjetër shtëpi dy katëshe e zogjëve nga viti 1800, është vendosur në një shatërvan përballë shkollës Shah Sultan në Ejup, ndërsa një tjetër në oborrin e brendshëm të Darfanit në Stamboll e cila është në formën e një kështjellë madhështore. Shumica e shtëpive të zogjve që mbijetuan deri më sot janë nga shekulli i 18-të. Ngjashëm, të gjitha veprat që u kryen nga Sulltani Selimi III, një nga sultanët e shekullit të 18-të, përfshinin këto shtëpi të zogjve.

Tash Han në Laleli paraqet një shembull të mirë të përdorimit të shtëpive të zogjve të arkitekturës “han”. Shtëpitë njëkatëshe, shumë-katëshe dhe shtëpitë me shumë dhoma ishin ndërtuar mbi mermerin që shkon përgjatë murit. Pazari i erëzave në Eminonu gjithashtu ka shtëpi të ndryshme për zogj. Pronarët e dyqaneve vënë ushqim në këto shtëpi, të cilat janë të vendosura në seksionin e Pazarit që ndodhet përballë me detin Marmara çdo mëngjes para se të hapin dyqanet e tyre.

Ka edhe shtëpi të zogjve në muret e shtëpive në Stamboll dhe Anadoll. Disa prej tyre ishin ndërtuar në të njëjtën kohë kur u ndërtua edhe vetë shtëpia, disa tjera iu shtuan shtëpisë më vonë. Edhe pse ka mbetur një numër i kufizuar i këtyre shtëpive, disa prej tyre mund të shihen ende. Disa prej shtëpive të zogjve në disa shtëpi përgjatë bulevardit “Bagdat” Avenue kanë mbijetuar edhe sot e kësaj dite.

Përgatiti: Jeton Zenuni  – /tesheshi.com