Sondazhi i Fevziut: njihuni me pyetjen që rrëzon dhe ligjet e logjikës

Një ndër detajet e Opinion-it të Fevziut, është dhe sondazhi. Me shkopin e tij, ai, si në fillim e përgjatë gjithë emisionit, i drejtohet audiencës duke e orientuar që të shprehet në bazë të pyetjes së hedhur. E bën këtë dhe gjatë kohës që ndonjë i ftuar flet, pa asnjë ndjesë.

Pyetja e një nate më parë ishte: “a e rëndojnë veten duke mos u dorëzuar oficerët e policisë?”. Është një pyetje që kolegët e Tema-s, do e shoqëronin me parafrazën: “nuk është Antena”.

Një e tillë pyetje, të kujton atë të një sondazhi pa pikë kuptimi ndërmarrë nga një media këtu e 10 vite më parë, në rastin e aksidentit tragjik të helikopterit të rënë në ujrat e Adriatikut, me trupin e të ndjerit Gramoz Pashko, pranisë së djalit të tij, e ku së bashku me ekipin mjekësor dhe ekipazhin, lanë jetën në det. Pyetja që iu bëhej publikut ishte pak a shumë: “A duhej nisur helikopteri drejt Italisë?”(!)

Është gati e panevojshme që t’u futesh në analizë këtyre lloj pyetjeve për nga valenca e lartë e idiotsisë që mbartin. Në rastin e helikopterit, do duhej që të ekzistonte vërtet një e dhënë paraprake mbi mundësinë e rrëzimit – fjala vjen, kishte një defekt dhe luhej me guximin – për ta ofruar si dilemë. Ose ose, duhej të kishte paraprakisht një qëndrim të kundërt për mosnisje, gjë që mund të vlente më pas për ta shtruar në sondazh. Ne çdo ditë ndërmarrim gjëra rutinë, pjesë e një natyrshmërie logjike, që nuk mundet të jetë dilema për sondazhe. Nëse ha peshk dhe të ngec një halë në fyt, kjo nuk mund të shtrohet më pas në sondazh me pyetjen “A duhet ngrënë peshk apo jo?”.

Një nonses i tillë i çmendur ishte dhe pyetja në sondazhin e Opinion-it, mbi tre ish-krerët e policisë së Vlorës të cilët u janë përvjedhur urdhërarresteve ndaj tyre.

Në pyetjen “a e rëndojnë veten duke mos u dorëzuar oficeret e policisë?”, a mund të ekzistojë logjikisht dhe një “Jo”? Pra, a është e mundur ekzistenca në këtë rast mes një “jo”-je dhe një “po”-je vënë në planin simetrik? Sigurisht dhe absolutisht që jo.

Le ta provojë vetë Fevziu që të ndërtojë hipotetikisht një arsyetim mbi “jo”-në. Sigurisht që do e ketë të pamundur.

Edhe ligjërisht, edhe moralisht, kur drejtësia kërkon të procedojë penalisht tre njerëz, mbi të gjitha tre ish-ligjzbatues, e këta i përvidhen, mundësia që këta mos e rëndojnë veten është zero. Pra, ka një akullsi të tillë ligjikë arithmetike, që nuk të lë të pyesësh se po të mbledhim 1 e 1 do të bëjnë 2 apo 3?

Dhe kjo ndodh Opinion/tesheshi.com/