reklama juaj ketu
reklama juaj ketu

Sokol Plakolli, regjisori rebel i Kosovës: pse teatri ka rënë në duar serbo-sllavësh (video e protestës së rrallë me thyerje pjatash)

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

 Një incident ndodhi dy net më parë  në Teatrin Kombëtar të Kosovës, teksa po shfaqej  premiera “Pasardhësi”, me regji të Slobodan Unkovskit nga Maqedonia.  Regjisori Sokol Plakolli reagoi, duke thyer edhe disa pjata, për atë që ai e konsideron udbashizëm në skenën teatrore shqiptare.           

Ai u ngjitur mbi tavolinën  me ushqim duke kërkuar që t’i thotë vetëm dy fjalë, por nuk u lejua që të flas nga zyrtarët e teatrit.

Pas kësaj proteste ai shkroi: “Më fal që të shkela oj buka e Zotit. Por k’ta po shkelin mbi gjakun e dëshmorëve. Më fal o Zot që po e shkeli bukën tënde. Por kjo sofër  e Teatrit Kombëtar kurrë nuk do të jetë e shtruar për armiqtë tanë të përbetuar serbo-sllav, për UDB-asha që me shekuj hartojnë plane për shkatërrimin e kombit tonë.”

Regjisori Plakolli do të hyjë në grevë urie për të protestuar për të drejtat e aktorëve të Kosovës.

Në një intervistë për tesheshi.com, ai rrëfen mbi atë çka e brengos, gjë që po e detyron të ndërmarrë dhe veprime ekstreme….  

Ja ç’ndodhi atë natë dhe më poshtë intervista:

 

Ç’ndodhi me ju atë mbrëmje Plakolli?

Po të ishte i pranishëm sigurimi i Teatrit Kombëtar ata do të më mbronin, shumica prej tyre janë veteranë të UÇK-së pajtohen plotësisht dhe i mbështesin reagimet e mia. Në fakt ata që mu afruan dhe më tërhiqnin për mënge si çilimiu llastarë dhe i frustruar kur prindi nuk ja varë, janë menaxheri i TKK-së dhe drejtori gjeneral, menaxherial i TKK-së, të cilëve si duket fjalët e mia, për dikë të hidhura e për dikë të ëmbla iu ka shkaktuar dhimbje ma të madhe sesa shkakton kripa në varrë. Me këtë rast që të dy kanë bërë edhe shkelje ligjore ngase pozita e tyre nuk ua lejon të reagojnë në atë mënyrë. Për mua teatri është tempull dhe në tempull nuk hyhet duke sharë. Andaj në momentin që shkeli pragun e tempullit vetes i jap vetëm të drejtën e fjalës.

Megjithatë unë mbrëmë thashë: “Më fal që të shkela oj buka e Zotit. Por k’ta po shkelin mbi gjakun e dëshmorëve. Më fal o Zot që po e shkeli bukën tënde. Por kjo sofër  e Teatrit Kombëtar kurrë nuk do të jetë e shtruar për armiqtë tanë të përbetuar serbo sllav, për UDB-asha që me shekuj hartojnë plane për shkatërrimin e kombit tonë.”

Si duket fjala ime ju pengon fortë, gjë që mua po më motivon ta ngris  zërin edhe më shumë.

Nga protesta juaja kuptojmë se në Teatrin Kombëtar të Kosovës diçka nuk po shkon mirë. Sipas jush cilat janë problemet kryesore të teatrit?

Teatri Kombëtar i Kosovës po përballet me krizë identiteti. Që nga emërimi i këshillit aktual Teatri Kombëtar është kthyer në trampolinë e cila i shërben Beogradit. Ky këshill i hapi dyert e Teatrit Kombëtar për shfaqjet pro sllave që u realizuan në emër të pajtimit në mes serbëve dhe kosovarëve. Shfaqje në të cilat u fyen simbolet dhe heronjtë tanë kombëtarë, shfaqje ku Prishtina prezantohet në kuadër të Beogradit-Serbisë, me ç’rast kemi të bëjmë me shkelje kushtetuese. Ky këshill dy herë nxori në votim kthimin e ansamblit serbë në TKK paralelisht me atë kosovar. Ky këshill përjashtoi nga TKK-ja shfaqjen “Karrigia e Nxehtë” shfaqje kjo me tematikë kombëtare. Dhe së fundmi ky këshill pos shumë e shumë tjerash solli në TKK një regjisor i cili në fakt është, “agjentë sllavo – Maqedon  i UDB-së nga Shkupi, me numrin e dosjes 25650, i cili në lustrimet që janë bërë në Maqedoni, rezultoi të jetë agjentë i sigurimit shtetëror të këtij vendi (i angazhuar pikërisht në çështje shqiptare) e huazuar. Pra këshilli aktual që nga emërimi i tij udhëhiqet nga persona jo kredibil, të cilët Teatrit Kombëtar i kanë sjellë dhe po vazhdojnë t’i sjellin vetëm dëme e shpeshherë vështirë të riparueshme.

Plakolli, ju edhe më parë keni protestuar, duke kërkuar që shfaqja “Karrigia e nxehtë” të kthehet në repertor të TKK-së. Kërkesa e juaj nuk është dëgjuar dhe shfaqja asnjëherë nuk u kthye në repertorin e TKK-së. Cila ishte arsyeja e përjashtimit të kësaj shfaqje nga TKK-ja?

Në fakt protesta ime ka filluar në vitin 2011 atëherë kur disa pseudo artistë të rekrutuar, për përfitime materiale, veç patën filluar që në emër të artit të rigjenerojnë qelizat e vdekura të asaj që dikur quhej “vëllazërim bashkim”. Reagimet e mia kanë qenë permanente por ato u përshkallëzuan kur me direktivë nga Beogradi shfaqja “Karrigia e nxehtë” autor dhe regjisor i të cilës jam unë u pezullua dhe u mbajt pezull për 2 vite nga foleja e ku ajo lindi, pra nga TKK-ja. Në këtë ballafaqim dy vjeçar “Karrigia e nxehtë” pas premierës së parë rilindi dy herë. Herën e parë kur u botua si libër në tri gjuhë, bashkë me platformën regjisoriale dhe arsyen e vërtetë të pezullimit dhe mbajtjes pezull të kësaj shfaqje. Promovimi i librit u realizua në Teatrin Kombëtar dhe si e tillë iu dërgua me zarf, “Akademisë Serbe” dhe “Ministrisë së Kulturës” në Beograd institucione këto nga ku kishte buruar ideja dhe plani djallëzorë i pezullimit dhe mbajtjes pezull për dy vjet të “Karriges së nxehtë”. Me këtë rast edhe u shpallën të pa vlefshme bashkëpunimet e disa pseudo artistëve kosovarë e që janë rekrut të shërbimeve të fshehta serbe. Shfaqja jonë u pezullua dhe u mbajt pezull nga repertori i TKK-së, ngase i cenonte bashkëpunimet me Beogradin, bashkëpunime të cilat e dëmtojnë Kosovën dhe favorizojnë Beogradin.

Me këtë rast vlen të theksohet se pos botimit të shfaqjes si libër që do të jetoj me shekuj dhe promovimit të  libri  “Karrigia e nxehtë” po në TKK. Ne si Ekip realizues i shfaqjes arritëm që shfaqjen tonë me ligj të ia marrim uzurpatorëve të saj, dhe ta kthejmë premierë në festivalin e teatrove mbarëkombëtare në Dibër ku edhe morëm një çmim. Ajo që dua të them me këtë rast është se shfaqja është e jona dhe veç i është kthyer publikut.

Nga jashtë duket që jeni i vetmi që protestoni dhe kërkoni drejtësi dhe nuk i përuleni askujt për t’u ngritur si regjisor?

Është e vërtetë që nuk jam pjesë e asnjë klani, as partie, as grupacioni, kështu kam ecur deri më sot, kështu do të vazhdoj deri në fund. Atë që e bëjë në skenë di edhe ta mbrojë, ngase veprat e mia janë origjinale, janë produkt i ndërveprimit të shpirtërores dhe materiales si rezultat i një investimi permanentë afatgjatë. Kështu që për secilën nga veprat e mia në arkiv kam të gjitha versionet, që nga ideja e parë deri te shfaqja e gjiruar. Andaj, nëse është nevoja di t’i mbrojë veprat e mia në çdo rrethanë. Nuk mendoj se jam i vetmi që reagoi, por jam i vetmi që protestoj publikisht dhe pa pardon. Mbase kjo vjen si rezultat i parimeve të mia, dhe nga fakti që jam i përcaktuar të vazhdoj në këtë mënyrë deri në fund. Ajo që më motivon dhe më bënë të ndjehem krenarë, është fakti se figurat eminente jo vetëm të skenës teatrore, më përkrahin publikisht në këtë mision, barrë me të cilën më ka ngarkuar koha.

Ju jeni arrestuar, përse?

Unë jam autori i instilacionit “Jo thundrës serbe në Teatrin Kombëtar të Kosovës”, instilacion ky i gjatë 26 metra i instaluar para TKK-së me rastin e ardhjes së shfaqjes së pajtimit “Romeo e Zhulieta”. Si dhe jam autor dhe aktor i performancës “Gjurmët e gjakut”. Që të dy këto vepra janë kundërpërgjigje artistike ndaj ardhjes së serbo-sllavëve në TKK. Qendra “Multimedia” e mbështetur nga strukturat paralele të UDB-së që funksionojnë ilegalisht në Kosovë, edhe pse unë kisha lejet përkatëse për të dy veprat e mia. Arritën ta bindin policinë e Kosovës, që të demolojnë instilacionin dhe të më arrestojnë me qëllim të pamundësojnë realizmin e performancës, që kur burokratët pro sllavë dhe serbofilët të defilojnë para TKK-së të jenë sa më të qetë dhe komod. Unë i rezistova policisë dhe pas një ballafaqimi fizik që zgjati rreth 15 minuta njësiti, për intervenime speciale arritën të më arrestojnë duke ma pamundësuar që të realizoj veprat e mija qoftë edhe në rrugë.

Pasi qenka problem kaq i madh  shfaqja e juaj “Karrigia e nxehtë” e cila tashmë veç është kthyer në “çështje”. A mund të na tregoni çfarë teme trajton kjo shfaqje?

“Karrigia e nxehtë” ka lindur si pasojë e një frymëzimi hyjnorë që buron nga librat e shenjtë dhe katrahura që ka kaluar kombi ynë ndër shekuj. Me rastin e premierës, publikisht u pata bërë thirrje, nostalgjikëve të diktatorit Millosheviq, dhe vet serbëve, që të vinë ta shohin shfaqjen nëse kanë guxim intelektual, njerëzor. Dhe nëse janë dakord me këtë shfaqje të fillojmë negociata për pajtimin e mundshëm në mes Serbëve agresor dhe Kosovarëve viktima të luftës. Drama trajton gjykimin e diktatorit Millosheviq, nga nënat me në krye nënën kosovare. Diktatori, i ikë gjykimit të Hagës, por nuk mundë t’i shpëtoi gjykimit të botës së përtejme! Ai ironizon me figurat eminente nga e gjithë bota por gjunjëzohet para nënës kosovare, kjo i preku ata në nerv dhe si pasojë e pezulluan shfaqjen nga repertori pas premierës dhe dy reprizave gjë nuk ka ndodhur më herët në historinë e asnjë teatri, madje as në kohën e diktatorëve më të egër.  Meqenëse drama është e botuar si e plotë nuk i jap vetes të drejtë të zgjatem, ngase lexuesi mundë ta gjej të publikuar në formë digjitale në internet por edhe si libër nëpër biblioteka e librari.

Të jesh regjisor i teatrit nuk është aspak e lehtë. Sa i vështirë është për ty ky profesion duke marrë parasysh Kosovën? A mos politika edhe këtu ka gisht që regjisorët të jenë të censuruar?

Unë nuk e zhvillojë profesionin tim vetëm nga perspektiva e regjisorit; shkruaj dramë, poezi, libreto për operë, artikuj kryesisht me tematikë teatrin. Por edhe luaj si aktor në perfomancat dhe instilacionet e mia. Kohë të gjatë kam punuar me gjeneratat e aktorëve të rinj te studio e aktrimit “Filizat”. Por baza e profesionit tim është regjia e teatrit. Për mua Kosova, atdheu im është e vetmja hapësirë gjeografike e cila më frymëzon që në çdo rrethanë të jem aktiv. Në vazhdimësi kam pasur oferta që studioj dhe të vazhdoj profesionin jashtë vendit. Por unë jam i përcaktuar që të vazhdoi këtu! Fundja unë jam prodhim i këtij vendi, Kosova është ajo që më bëri dhe më ngriti. Jashtë vendit mundë të shkoj vetëm duke e përfaqësuar Kosovën. Sfidat dhe barrierat me të cilat në vazhdimësi ballafaqohem e që janë shpeshherë banale dhe të qëllimshme, unë i kthejë në motiv për punë. Së fundmi kam themeluar kompaninë “Shkabat” e cila promovon kulturën tonë tradicionale. Aty jam i fokusuar, kultura jonë e lashtë është burim i pa shtershëm. Ndërsa politika dhe politikanët asnjëherë nuk kanë arritur të ma marrin fokusin e aq më pakë të më t’huajsojnë.

Të kthehemi pak edhe tek karriera e juaj, deri me tani sa shfaqje keni realizuar?

Nuk e di nuk i kam numëruar asnjëherë, mund të them se si autorë dramash mund të numërojë më shumë së dhjetë tituj dramash të cilat i kam inskenuar në teatër me në krye “Karrigen e nxehtë” e cila u botua. Ndërsa si regjisor dhe aktor pa përjashtuar shfaqjet për fëmijë mund të jenë më shumë se dyzet premiera në teatër. Nga gjithë ky rrugëtim ajo që më kujtohet më së shpeshti është ngjitja ime e parë në skenë, para rreth 30 vitesh, në moshën gjashtë vjeçare reagimet e shikuesve, kur unë e harrova tekstin dhe fillova të bëhem kinse po çajë aq dhimbshëm sa që nuk e di as vetë nëse po çaja me të vërtetë apo po nxirresha nga situata, ndërsa publiku shkrihej së qeshuri, ndërkohë mua mu kujtua teksti dhe me ngazëllim fillova të flasë, askush më nuk mundi të përmbahej madje as unë. Ky është një kujtim brilant, situatë e cila shpesh më është rishfaqur në skenë por unë asnjëherë nuk kam mundur ta përjetoj si herën e parë, mbase akoma jam në kërkim të asaj ndjenje!…

Plakolli, a jeni duke punuar ndonjë shfaqje për të ardhmen?

Aktualisht jam duke e dramatizuar “Iliadën” e Homerit. Shfaqja do të titullohet “Takimi i Akilit dhe Hektorit në botën e përtejme”. Aktorët i kanë pranuar rolet dhe janë të eksituar nga ideja. Më shkruajnë thuajse çdo javë… Por, dyert e institucioneve janë të mbyllura për ne, për mua. Sidoqoftë, Zoti, i cili na shpërblen me frymëzim, do të na shpërblejë edhe me forcën që në çdo rrethanë ta jetësojmë veprat tona, me fokus këtë vepër e cila tashmë frymon brenda nesh. /tesheshi.com/