Sofja sjell takimin sy më sy ndërmjet Zaev, Merkel dhe Cipras

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, i shoqëruar me zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Bujar Osmanin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, sot në Sofje të Bullgarisë realizoi takim me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Siç kumtojnë nga kabineti qeveritar, Zoran Zaev në këtë takim ka theksuar që mbështetja e madhe e qytetarëve mbi aspiratat e shtetit për anëtarësim në BE dhe NATO flasin që Maqedonia nuk ka alternativë tjetër.

Njëkohësisht, kryeministri ka shprehur bindjen që Gjermania do ta përkushtojë mbështetjen e saj lidhur me datën për negociata në Samitin e ardhshëm të Këshillit Evropian që pritet të mbahet në qershor të këtij viti.

Takimi ndërmjet kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev dhe kancelares gjermane, Angela Merkel është realizuar në samitin BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në kryeqytetin bullgar.

Në këtë Samit Zoran Zaev takoi edhe kryeministrin e Greqisë Aleksis Cipras me ç’rast konfirmuan progresin që kanë arritur ministrat e jashtëm duke shpresuar për një opcion të pranueshëm për dyja palët sa i përket kontestit të këtyre dy shteteve lidhur me emrin e Maqedonisë.

Por, ashtu siç u shpreh Zaev, në fund për çfarëdolloj kompromisi do të vendosin institucionet e dy shteteve.

Ndërsa kancelarja Angela Merkel gjatë fjalimit të saj në këtë samit theksoi rëndësinë e Ballkanit Perëndimor me qëllim të paqes dhe siguriisë për të gjithë Evropën.

“Me qëllim të paqes dhe sigurisë për të gjithë ne, është e një rëndësie të kemi një Ballkan Perëndimor i cili zhvillohet mirë ekonomikisht”, tha Merkel.

Ajo lavdëroi nikoqirin e Samitit, kryeministrin bullgar, Bojko Borisov, për siç tha, “organizimin e shkëlqyer të eventit”.

“Pjesa më e madhe e Ballkanit Perëndimor garanton paqe dhe siguri për të gjithë ne, ndërsa Bojko Borisov ka investuar shumë mund në këtë çështje”, tha ajo. /tesheshi.com/

 

 

Related posts