728 x 90 Leaderboard

Smogu i Varshavës: përse 33 nga 50 qytetet më të ndotura të Europës ndodhen në Poloni

Përdorimi i qymyrit, sipas qeverisë së Polonisë, është akt patriotik.

Qyteti i ujërave termalë Rabka-Zdroj, në jug të Polonisë, është njohur si qendër e trajtimit për fëmijët që prej shekullit të 19-të. Së fundmi, në qytet po ashtu ka edhe një ajër të tmerrshëm. Në janarin e vitit 2017, niveli i benzopirenit, një përbërës karcogjen, rezultoi të ishte 28 herë më i lartë se kufijtë normalë.

Nëse vazhdohet kështu, Rabka-Zdroj mund të humbasë statusin e vet për banjat termale, licenca për të cilin rinovohet çdo dhjetë vjet. “Ndotja e ajrit është armiku ynë i heshtur”, thotë Zbigniew Doniec nga Instituti i qytetit për sëmundjet e mushkërive dhe turbekulozin.

Por, Rabka-Zdroj nuk është shembulli i vetëm: në të gjithë Poloninë, dimri do të thotë smog. Një numër tronditës prej 33 qytetesh nga 50 më të ndoturit në Europë, gjenden në Poloni, sipas renditjes nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në vitin 2016.

Mes tyre është Katovica, që do të mikpresë edhe samitin e ardhshëm të OKB-së për klimën. Ngrohja me qymyr nëpër banesa është ndër fajtorët kryesorë: për të kursyer para, njerëzit djegin qymyr të mbetur dhe zift. (Në shkelje të ligjit, ka nga ata që thjesht djegin mbeturina). Në qytetet e vogla, re të zeza tymi ngrihen nga oxhaqet, duke i dhënë ajrit të ftohtë një shije tosti. Në ditët me mot të keq, zyrtarët në Varshavë këshillojnë banorët të qëndrojnë brenda shtëpive dhe të mbajnë dritaret e mbyllura. Gazeta e përditshme “Wyborcza”, së fundmi, u dhuroi lexuesve të vet një maskë kundër smogut.

Qeveria e partisë “Ligj dhe Drejtësi” mbështet industrinë e qymyrit, që punëson rreth 90 mijë polakë. “Qymyri është themeli i sektorit tonë energjetik dhe ne nuk mundemi e nuk duam ta braktisim atë”, tha kryeministri Mateusz Morawiecki,  në fjalimin e tij për marrjen e detyrës, në parlament më 12 dhjetor. Programi i tij i ri për Silesian, një rajon industrial me popullsi të dendur në jug-perëndim të Polonisë, përfshin edhe dy miniera të reja qymyri. Ndërsa Varshava kërkon të shkëpusë varësinë nga gazi rus, qymyri paraqitet si alternativa patriotike.

Smogu është bërë një fjalë familjare, dhe zyrtarët po nisin ta marrin seriozisht. Standardet për emetimin nga ngrohësit me qymyr u shtrënguan në tetor. Disa rajone po shkojnë edhe më tej- një ligj anti-smog miratuar në vitin 2015 u mundëson atyre të hartojnë vetë rregullat për ngrohjen familjare.

Në 30 nëntor 2017, asambleja rajonale në Wroclaw, qytet në perëndim të Polonisë, votoi për të ndaluar llojet e qymyrit që ndotin më shumë. Disa qytete tashmë ofrojnë hua për të ndihmuar njerëzit të shkëmbejnë ngrohësit e vjetër me qymyr me alternativa më të pastra. Megjithatë, pa një veprim të vendosur në Varshavë, polakët i presin edhe shumë dimra të tjerë me smog.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

 

Related posts