Skica e rrallë e Kuvendit Françeskan nga At Gjergj Fishta: ja ç’pasion kishte poeti i madh për pikturën dhe arkitekturën

Kjo skicë e rrallë që tregon Kuvendin Françeskan në Shkodër, është realizuar nga At Gjergj Fishta. Skica ruhet në fondin personal të Fishtës në AQSH në Tiranë. Njihet prej shumëkujt tashmë pasioni i Fishtës për artet pamore. Ai e kishte pasion pikturën dhe arkitekturën dhe një pjesë të madhe të jetës së tij iu dha me shpirt studimimeve në këtë fushë.

Nga shumë burime arkivore vijnë të dhëna për këtë pasion të poetit të madh kombëtar, por një prej analizuesve më të mirë të tij në këtë drejtim artistik është padër Leon Kabashi, një prift i burgosur nga regjimi komunist, e njëkohësisht një ish-nxënës i Fishtës, i nxitur pikërisht prej tij për të ndjekur studimet në fushën e arteve pamore.

Madje në një libër të botuar në në vitin 1943 me titull “At Gjergj Fishta”, mes shumë kumtesave e artikujve të përfshirë në të gjendet edhe një material me kujtime e dëshmi të padër Leon Kabashit titulluar “A. GJ. Fishta ndër arte”, i cili flet për gjithë veprimtarinë e Fishtës në fushën e arteve figurative.

Në këtë material, padër Leon Kabashi shkruan:

“Gjergj Fishta është një ndër prodhuesit, udhëheqësit dhe nxitësit kryesor të arteve të bukura në Shqipëri. E them këtë jo vetëm se e kam ndier, por sepse kam pasur fatin të marr mësime e të drejtohem prej tij, për disa kohë dhe raste të ndryshme në Shëqipëri dhe jashtë saj.

Shenjat magjistrale të Lahutës së Malësisë a nuk janë pikturat më të bukura të ngjyrave më të zgjedhura? Lahuta është një pinakotekë e artit kombëtar ku poeti pikturon gjallë tipat, personat, kostumet, shenjat, një depozitë motivesh kombëtare që u lihet piktorëve të ardhshëm. Gjergj Fishta deshi të realizonte të gjitha ato që i ndjente, por jo për faj të tij, hovet psiqike e ndeshën me vështirësi të vendit, kohën dhe mjetet e megjithëkëtë i përballoi, se kjo është një veti kryesore e një artisti”.

Kabashi kujton në këtë artikull se të shumtën e kohës së lirë Fishta e kalonte me laps në dorë duke endur studime arkitekture e pikture. Sipas Kabashit, Fishta shpesh thoshte: “do të kisha dalë arkitekt i mirë po të ishin sjellë rrethanat ndryshe”.

“Kalonte disa herë kufijtë e atdheut, kaloi detin e oqeanin, atje ku e lypte nderi i Shqipërisë. Por në këto udhëtime nuk linte kurrë një rast t’i kalonte pa e shfrytëzuar, që të vizitonte qendrat e kulturës, pinakotekat, muzetë dhe qendrat më të famshme të gjenive të Evropës ku u takua me profesorë e njerëz të mëdhenj dhe përçoi në zemrat e nxënësve të tij shprehjet e thjeshta dhe të madhërishme të arkitekturës klasike të Rilindjes”, shkruan Kabashi, ndërsa kujton një detaj shumë të veçnatë me Fishtën në Itali.

“Ndiqja kursin e dytë të Akademisë së Pikturës në vitin 1933 kur më ra rasti të vizitoj muzetë e disa pinakoteka të Italisë bashkë me të. Jam bindur atëherë, se si dinte ai, pa qenë ndjekës i ndonjë Akademie për të dhënë gjykime e për të bërë krahasime të hollësishme, të shijonte bukuritë dhe shprehjet e brendshme të artit. Kur ndidheshim përpara ndonjë ndërtese arkitektonike vërtet të bukur unë nuk flisja. Ai vetëm ulej dhe për nja një gjysëm ore nuk i ndante sytë. Ajo ndërtesë organike e racionale korniqesh, shtyllash, hijesh e dritas i fliste shpirtit të tij si poet e si artist”, kujton padër Leon Kabashi, ndërsa citon një thënie të Fishtës.

“Nuk do kisha dashur gjë tjetër”, më pat thënë njëherë duke parë nga një ndërtesë, “vetëm të kisha qenë autori i saj”.

“Blinte libra, prodhime arkitekture e pikture të autorëve me famë që t’i kishte në bibliotekën e re të Kuvendit të Shkodrës duke menduar se dikujt do t’i vlenin ndonjëherë si aspirim. Nuk e lëshoi kurrë traktatin e arkitekturës Vignola duke studiuar vetë stilet dhe ligjet e proporcioneve të artit. Ishte aq i dhënë, aq ndjente shpirti i tij që të linte gjurmë në fillesat artistike në Shqipëri, të vinte themelet e para të çdo përparimi shoqëror ku më tej të rinjtë të vijonin të përmirësonin, sa siç më shkruante në vitn 1932 At Vinçens Prenushi, atëherë Provincjal i françeskanëve: At Gjergjit i kanë shpëtuar lotët kur mori vesh se Akademia e Arteve të Bukura e shkollës mistike të Sienës i dha Provincjalit një relacion të mirë në favor të dy akademistëve françeskanë shqiptarë”, shkruan Kabashi. /tesheshi.com/

 

 

auto pjese dak

Related posts