Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

SINJALET/ Rasti i Emirateve dhe Bahreinit: a po zbutet qëndrimi i Arabisë Saudite ndaj Izraelit?

Kur një nga udhëheqësit fetarë të Arabisë Saudite këtë muaj u bëri thirrje muslimanëve që të shmangnin “emocionet pasionante dhe entuziazmin e zjarrtë” ndaj hebrenjve, ishte një ndryshim i rëndësishëm i tonit për dikë që ka derdhur lot në predikimet e kaluara për Palestinën.

Një predikim nga Abdulrahman al-Sudais, imam i Xhamisë së Madhe në Mekë, transmetuar në televizionin shtetëror saudit më 5 shtator, pasoi tre javë pasi Emiratet e Bashkuara Arabe arritën një marrëveshje historike për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, dhe disa ditë pasi shembulli i tyre u ndoq nga një tjetër shtet i Gjirit, Bahreini, një aleat i ngushtë saudit.

Sudais, i cili në predikimet e hershme u lut për fitoren palestineze mbi “agresorët” hebrenj, tha që Profeti Muhamed ishte i mirë me fqinjët e tij hebrenj, duke shtuar se mënyra më e mirë për të bindur hebrenjtë që të kalonin në Islam ishte: “Sillu mirë!”

Adresimi i një hoxhe me ndikim

Ndërsa Arabia Saudite nuk pritet të ndjekë shembujt e aleatëve të saj të Gjirit, fjalët e Sudais mund të jenë një tregues se si kjo mbretëri i afrohet temës së ndjeshme të ngrohjes ndaj Izraelit, e cila dikur ishte e paimagjinueshme.

Mbreti e quajti atë një nga figurat më me ndikim në vend, duke pasqyruar pikëpamjet e institucionit fetar konservator që përfaqëson, si dhe Oborrit Mbretëror.

Marrëveshjet me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin ishin të shkëlqyera për Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat paraqiteshin si paqebërës, por një shpërblim i madh diplomatik për Izraelin do të ishte Arabia Saudite, mbreti i së cilës është roje i dy faltoreve islame dhe që është eksportuesi më i madh në botë i naftës.

Marc Owen Jones i Institutit të Studimeve Arabe dhe Islame në Universitetin e Exeter pretendon se lëvizjet nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini i kanë mundësuar Arabisë Saudite të testojë opinionin publik, por gjithashtu se një marrëveshje zyrtare me Izraelin do të ishte një “detyrë e madhe” për mbretërinë.

“Adresimi i suditëve ‘përmes’ një imami me ndikim është padyshim një nga hapat në përpjekjen për të provuar reagimin e publikut dhe për të inkurajuar nocionin e normalizimit,” shtoi Jones.

Predikimi i Al-Sudais shkaktoi reagime të ndryshme. Ndërsa disa sauditë e mbrojtën atë, duke pretenduar se ai interpretoi mësimet e Islamit në një mënyrë të thjeshtë, të tjerët në Tëitter, kryesisht sauditë që jetojnë jashtë, morën një qëndrim kritik ndaj autoriteteve, duke thënë se ishte një “predikim për normalizimin”.

Frika e përbashkët për Iranin

Ali al-Suliman, i intervistuar në një qendër në Riad, tha se ishte e vështirë të pranoje marrëveshjen e Bahreinit, ose ndonjë vendi tjetër të Lindjes së Mesme, sepse “Izraeli është një vend okupues që po i detyron palestinezët të largohen nga shtëpitë e tyre”.

Princi i Kurorës saudite Mohammed bin Salman është zotuar të promovojë dialogun ndërfetar si pjesë e reformës së tij. Ai tha më parë se izraelitët kanë të drejtë të jetojnë të qetë në vendin e tyre në varësi të një marrëveshje paqeje që siguron stabilitetin për të gjitha palët.

Frika e përbashkët ndaj Iranit mund të konsiderohet si përmirësimi i marrëdhënieve Araba Saudite-Izrael.

Ka indikacione të tjera që Arabia Saudite, një nga vendet më me ndikim në Lindjen e Mesme, po përgatit njerëzit e saj për një shkrirje të mundshme të marrëdhënieve me Izraelin.

Tema e dramës “Umm Haroun”, e cila u transmetua në televizionin Saudit MBC në prill gjatë muajit të Ramazanit, me subjekt gjykimin e grave hebreje, provokoi kritika nga grupi palestinez Hamas, i cili pretendoi se drama joshte simpati për hebrenjtë.

Ekspertët dhe diplomatët pohojnë se ka një tregues tjetër të një ndryshimi në ligjërimin publik ndaj Izraelit.

Në fillim të këtij viti, Mohammed al-Aissa, një ish-ministër saudit dhe sekretar i përgjithshëm i Lidhjes Botërore Myslimane, vizitoi Aushvicin dhe në qershor dhe mori pjesë në një konferencë të organizuar nga Komiteti Amerikano – Hebre, duke bërë thirrje për një botë të lirë nga “Islamofobia dhe antisemitizmi”.

Ndërkombëtarizimi i xhamive në Mekë dhe Medinë

Normalizimi i marrëdhënieve të Emirateve dhe Bahreinit me Izraelin, nënshkruar të martën në Uashington, do të izolojë më tej palestinezët.

PresidentiTrump tha se ai pret që Arabia Saudite të bashkohet me marrëveshjen, por Mbreti saudit Salman bin Abdulaziz tha se vendi i tij së pari dëshiron të shohë një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për palestinezët.

Diplomati i Gjirit argumenton se do të duhet kohë që Arabia Saudite, e cila konsiderohet udhëheqësi i botës muslimane, të bëjë një marrëveshje me Izraelin dhe se kjo nuk ka gjasa të ndodhë ndërsa pushteti është në duart e mbretit Salman.

“Çdo normalizim saudit i marrëdhënieve do të lejojë Iranin, Katarin dhe Turqinë të bëjnë thirrje për ndërkombëtarizimin e dy xhamive të shenjta”, tha diplomati, duke aluduar në thirrjet periodike nga kritikët e Riadit për të vendosur Mekën dhe Medinën nën vëzhgimin ndërkombëtar, sipas Reuters. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts