Si u katandis Telekomi i Kosovës: dje kompania më fitimprurëse, sot në prag falimentimi lyp ndihmë nga qeveria

Nga Bashkim Kastrati

Telekomi i Kosovës ka qenë ndërmarrja më fitimprurëse në Kosovë. Kjo kompani publike ka ndarë devidentë për qeverinë e Kosovës deri në 200 milionë euro. Por në vitet e fundit kjo kompani ka rënie të madhe të fitimit.

Në vazhdimësi është raportuar se në Telekomi i Kosovës ka mbipunësim. Është raportuar se familjarët dhe aktivistët politikë të PDK-së dhe LDK-së në vazhdimësi janë punësuar në këtë kompani. Siç duket kjo ka ndikuar që telekomi i Kosovë nga një kompani fitimprurëse që i ka dhënë para qeverisë, tashmë është buzë falimentimit.

Në mënyrë që të shpëtojë nga falimentimi, menaxhmenti i Telekomit ka kërkuar nga qeveria 60 milionë euro për t’i shlyer borxhet që i ka.

Kryesuesja e bordit të Telekomit, Besa Shatri ka raportuar para qeverisë për gjendjen e kompanisë, duke thënë se ata gjenden në një krizë të thellë.

Gjatë mbledhjes së qeverisë, Shatri ka thënë se në fillim të këtij muaji bordi ka filluar punën duke analizuar gjendjen në të cilën gjendet Telekomi.

Sipas saj, ata kanë 60 milionë euro borxhe, ku sipas saj vetëm 18 milionë nga to ata janë në gjendje t’i paguajnë. Shatri ka shtuar se gjendjen e kësaj e rëndojnë edhe numri i madh i punëtorëve, problem kyç tjetër është edhe kalimi në kodin 383, pasi, sipas saj, mungojnë mjetet për këtë gjë. Sfidë tjetër mbetet mbyllja e borxhit me Z-Mobile. Kujtojmë që Telekomi e ka humbur një proces gjyqësor në gjykatën e arbitrazhit me kompaninë vendore Z-mobil.

“Pra, ekziston rreziku real i falimentimit. Por, rreziku tjetër i madh bie edhe nga paditë që do rezultojnë”, ka thënë ajo.

Sipas Shatrit, dalja nga kriza ata e shohin përmes kredive nga aksionar; kredive nga bankat apo edhe tërheqjen e investitorëve të huaj.

“Nëse nuk do të ndërmerren hapa, Telekomi do të vazhdojë të funksionojë edhe 12 muaj, dhe pas kësaj kohe korporata nuk do të ju takojë më juve si aksionar, por do t’iu takojë borxhelinjëve”, ka shtuar ajo, duke iu drejtuar qeverisë së Kosovës.

Qeveria nuk paguan borxhe për Telekomin

Qeveria e Kosovës nuk do të paguajë borxhet e Telekomit të Kosovës, dikur kompania më fitimprurëse në vend, por do të gjejë formë për rimëkëmbje dhe ta përgatis për procesin e privatizimit, kanë thënë zyrtarë të qeverisë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, për REL thotë se pavarësisht faktit se aksionar i kësaj kompanie është qeveria e Kosovës, borxhet nuk do t’i shlyejë. Ai thotë se Telekomi ka potencial për të qenë fitimprurës në treg, por nuk është menaxhuar në mënyrë të duhur.

“Tashmë duhet të shikohen format si qeveri, do të mblidhemi dhe të diskutojmë se si të rimëkëmbim Telekomin, si të kthejmë në kompani profitabile, të ulim kostot operative, sepse këto kosto janë shumë të mëdha. Normalisht t’i shikojmë trendet, sepse një ndërmarrjeje që i ulet shitja dhe i rriten shpenzimet në të njëjtën kohë, nuk është normale në asnjë biznes në botë”, thotë Lluka.

Telekomi i Kosovës dy herë i është nënshtruar procesit të privatizimit, por dy herë radhazi qeveria e Kosovës ka dështuar ta përmbyllë me sukses këtë proces.

Në rastin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, në vitin 2013 kompania “Axos – Capital” u shpall fituese, me një vlerë prej 277 milionë eurosh, por kontrata, sipas kompanisë fituese, nuk u zbatua asnjëherë. Kompania në fjalë kërkoi dy herë shtyrje të afatit për të bërë pagesën dhe para se të përfundonte afati i fundit, çuditërisht është tërhequr nga kjo marrëveshje.

Kompania e paditi qeverinë e Kosovës dhe proceset gjyqësore janë duke u zhvilluar në një gjykatë të arbitrazhit. “Axos – Capital” po kërkon 100 milionë euro nga qeveria e Kosovës, me pretendimin se është tërhequr nga marrëveshja. Qeveria e Kosovës ka ndarë disa milionë euro për një kompani të avokaturës për ta mbrojtur në këtë proces.

Në anën tjetër partitë opozitare dhe njohës të fushë së ekonomisë dhe telekomit kanë deklaruar se menaxhmeti i telekomit qëllimisht po e shkatërron dhe zhvleftëson këtë kompani që ta privatizojë me fare pak para dhe ta privatizojnë si kompani të dështuar. /tesheshi.com/

 

 

Related posts