Si përgjigje ndaj vendosjes së trupave amerikane në Baltik: Kremlini zhvendos raketat “Iskander” në Kalingrad

Rusia mund të dërgojë më tepër raketa të avancuara në Kalingrad, në përgjigje të vendosjes së trupave amerikane në Baltik dhe Poloni.

Mediat ruse, duke iu referuar një ligjvënësi të Dumës, shkruajnë se Kremlini mund të vendosë sisteme shtesë raketore.

Vladimir Shamanov, kryesues i Komitetit të mbrojtjes së Dhomës së Ulët të Parlamentit të Rusisë, tha se raketat që mund të vendosen janë “Iskander”, të cilat mund të dislokohen në territoret perëndimore, përfshirë Kaliningradin, që është enklavë ruse në kufi me anëtarët e NATO-s, Poloninë dhe Lituaninë.

Shamanov tha se lëvizja do të bëhej në përgjigje të vendosjes së një brigade të blinduar të Shteteve të Bashkuara në Poloni, për të cilën tha se është “e ndaluar kategorikisht nga marrëveshjet ndërkombëtare”, raportojnë agjencitë ruse të lajmeve, Interfax dhe TASS.

Raketat e tipit Iskander kanë rreze të veprimit deri në 500 kilometra dhe janë me preçizitet të lartë, duke mundësuar që t’i arrijnë caqet në disa shtete anëtare të NATO-s.

Ato mund të pajisen me koka atomike ose konvencionale.

Moska ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se ilegalisht po i vendosin forcat e tyre në Poloni dhe rajonin e Baltikut, duke thënë se në mënyrë të heshtur e ka vendosur një divizion të tërë, që paraqet shkelje të marrëveshjes kryesore e cila i rregullon raportet e Rusisë me NATO-n.

Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja i kanë hedhur poshtë këto akuza të Rusisë.

Zëdhënësi i Ministrisë së mbrojtjes, Igor Konashenkov, ka thënë se trupat e Shteteve të Bashkuara nga brigadat luftarake të blinduara kanë lëvizuar nëpër rajon dhe se njëra prej tyre në heshtje është vendosur në Poloni, gjatë ushtrimeve ushtarake Zapad 2017 të Rusisë, që janë mbajtur muajin e kaluar në Bjellorusi.

Gjithashtu ai shtoi se janë vendosur makina të blinduara ushtarake, që mund të përdoren nga ushtarët amerikanë në bazën e Shteteve të Bashkuara në Ramstein të Gjermanisë. /tesheshi.com/