728 x 90 Leaderboard

Si e shohin fatin e Speciales nga Instituti D4D, hlumutuesi Rasim Alija: vështirë të zhbëhet!

Mund të shfuqizohet apo jo Gjykata Speciale dhe cilat janë pasojat veç nëse veç Kuvendi i Kosovës merr një vendim të tillë? Kjo është pyetja që po shtrohet në politikën kosovare prej ditësh.

Rasim Alija, hulumtues në Institutin Demokraci për Zhvillim mundohet t’i japë përgjigje ku thotë Specialja mund të ngadalësohet ose pamundësohet për një periudhë të caktuar, por jo të shfuqizohet.

Alija, në një intervistë për tesheshi.com paralajmëron se nëse iniciativa e deputetëve nuk kthehet sërish në Kuvend, Specialja do të ngrejë aktakuzat e para në fillim të muajit shkurt.

Ai flet edhe për tema tjera si: 100-ditëshin e Ramushit, për çështjen e Demarkacionit, hetimin e SHIK-ut, bërjen e ushtrisë, heqjen e vizave dhe mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare më 2018.

 

Intervistoi: Blendi Gashi

Si i keni parë zhvillimet e fundit ku u tentua të shfuqizohet Gjykata Specialja? Pse një nguti e tillë? Në të vërtetë mund të zhbëhet Specialja?

Tentativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale shpërfaq më së miri logjiken e të bërit politikë në Kosovë. Kjo logjikë vë interesat e grupeve e individëve mbi interesin e Republikës. Nuk është problemi tek iniciativa e deputetëve për zhfuqizimin/ndryshimin e ligjit për specialen, për është problem instrumentalizimi i këtyre deputetëve së bashku me organizatat e dala nga lufta, të cilat më së paku mbrojnë dhe përfaqësojnë interesat e luftëtarëve. Gjykata Speciale mund të ngadalësohet ose pamundësohet për një periudhë të caktuar, por shfuqizimi i sajë ka shumë pak mundësi të ndodhë.

Kjo tentativë nervozoi jo pak korin diplomatik në Prishtinë. A duhet të jenë më të kujdesshëm krerët e shtetit me “lojërat” që i bëjnë me ndërkombëtarët?

Mobilizimi i përfaqësuesve diplomatik në Kosovë dhe deklaratat e tyre flasin më së miri për rrezikun e lojërave të tilla. Janë po të njëjtët krerë të shtetit me bekimin e të cilëve është miratuar në kuvend, Gjykata Speciale, një lojë e tillë tregon mos seriozitet dhe brishtësi të institucioneve, e mbi të gjitha instrumentalizim i institucioneve siç janë, kuvendi, qeveria dhe presidenca. Në rrethana të tilla ku Kosova ka prokurori dhe gjykata të dobëta, ku niveli i korrupsionit është i lartë, dhe me deficite të mëdha demokratike, më së paku i duhen salto të tilla karshi ndërkombëtarëve.

Në tre muajt e parë të 2018-tës a pritni të ngriten aktakuzata e para nga Specialja dhe të nisin arrestimet?

Nëse iniciativa për shfuqizimin/ndryshimin e ligjit për specialen nuk rikthehet si temë në kuvend, është e mundur që në fillim të shkurtit të kemi aktakuzat e para. Ajo çka është e rëndësishme gjatë fazës që do vije e që nënkupton arrestimet, është transparenca e Gjykatës Speciale. Në këtë situatë të ndjeshme do të duhej që publiku të mbahej i informuar për përmbajtjen e këtyre aktakuzave duke eliminuar revoltën e mundshme nga grupe të caktuara në Kosovë.

Të kalojmë në një temë tjetër. Kuvendi ka mbyllur punën për këtë vit. Si e keni parë punën e këtij instutcioni? Po 100 ditëshin e qeverisë?

Kuvendi ka qenë plotësisht i ngathët, duke u marrë ekskluzivisht me fushatën e zgjedhjeve lokale, dhe duke qenë komplet anemik në shqyrtimin e ligjeve. Edhe ato seanca që janë mbajtur ose nuk ka pasë kuorum të pamjaftueshëm të deputetëve, ose debatet ndërmjet deputetëve kanë qenë akuza e kundër akuza, duke injoruar komplet detyrën për të cilën janë aty, shqyrtimin dhe miratimin e ligjeve.

Ndërsa 100 ditëshi i qeverisë më në fund e ka rrëzuar mitin për 100 ditëshin e famshëm. Edhe pse është tentuar të ketë një dinamizëm më të madh në disa çështje, kjo nuk është reflektuar në miratim të ligjeve në kuvend. Çështjet si Demarkacioni e Asociacioni, mbi të cilat edhe është ndërtuar kauza për rrëzimin e qeverisë së kaluar, ende mbesin të pazgjidhura nga kjo qeveri. Shenja e vetme e qeverisë është rritja. E mbylli 100 ditëshin me rritje të çmimit të energjisë për qytetarët e me rritje te pagave për vetveten e me rritje të numrit të zëvendës ministrave.

Zv. kryeministri Hoxhaj ka lënë të hapur mundësinë që marrëveshja për Demarkacionin të procedohet në Kuvend në fund të muajit janar. A pritni të ratifikohet kjo marrëveshje?

E gjitha do varet në kalkulimet politike të partive në koalicion. Demarkacioni përveç si çështje ndieshme në raport ma Malin e Zi, është kryekëput çështje e përcaktimeve të subjekteve politike dhe garë ndërmjet tyre. Do të jetë e rëndësishme sjellja e partisë së kryeministrit në raport me demarkacionin, do të votojë kundër apo pro. Ajo çka mbetet obligim i institucioneve të republikës është zgjidhja e kësaj çështjeje, duke u dhëne rrugë zhvillimeve tjera në vend.

Nëse nuk ratifikohet kjo marrëveshje a rrezikon vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Nëse kjo ndodh, sipas jush cila parti do përfitonte? Pra cila do ketë gjasat më të mëdha të vije në pushtet?

U ratifikua ose jo Demarkacioni, vendi pritet të shkojë në zgjedhje gjatë vitit të ardhshëm. Sjellja e partnerëve në koalicion në raport me kuvendin në shqyrtimin dhe procedimin e ligjeve, mos pjesëmarrja në mbledhjet e kuvendit, deklaratat herë pas here të zyrtarëve të subjekteve politike të koalicion, janë sinjal për zgjedhje të reja. Ajo që është përcaktuese se cili subjekt politik do të mund të fitonte në rast zgjedhjesh të reja, është momentumi që do të zgjidhet për të hyrë në zgjedhje. Gjykata Speciale, Demarkacioni dhe Asociacioni do të jenë në masë të madhe çështje që do të shënjojnë edhe rezultatet e subjekteve politike por edhe ridizajnimin e skenës politike në vend.

SHIK-u disa herë ka “zbritur” në Kuvend ku i është drejtuar gishti për vrasjet e pasluftës. Kadri Veseli që ka udhëhequr këtë organizatë ka thënë se në janar “ko me ju ngi SHIK”. Cilat janë gjasat që të hetohet veprimtaria e kësaj organizate?

Kjo çështje në shumicën e herëve është përdorur si mjet për të përfituar politikisht. Vazhdimisht në kohë fushatash ose në momentet kur subjekteve u ka konvenuar e kanë përdorur edhe foltoren e Kuvendit të Republikës duke tentuar që të ngrisin kauza të tilla. Subjektet politike do të duhej të tregonin vullnet dhe pjekuri që një hetim i tillë të ndodhë, duke e ndaluar edhe bërjen politikë me këtë çështje edhe heqjen e çfarëdo dileme që mund të kenë në radhë të parë qytetarët e republikës e së dyti subjektet politike. Hetimi ose jo i veprimtarisë së kësaj organizate, do të jetë kalkulim i subjekteve nëse ende do ju leverdis që ta kenë temë diskutimi në opinionin publik, dikush për të përfituar politikisht e dikush që mos të hetohet si veprimtari.

Për fund, a pritni që më 2018-të të hiqen vizat dhe të bëhet ushtria?

Nuk do të ndodhin as njëra e as tjetra. Kujtoni këtu premtimet e para të krerëve të shtetit në vitin 2011 për liberalizim vizash, e që asnjëherë edhe pas shtyrjes së afateve nuk ka ndodhur. Edhe nëse ratifikohet demarkacioni do të ketë kushte tjera për liberalizim vizash. Luftimi i korrupsionit, prokurori dhe gjykata me integritet, rishikimi i ligjeve të cilat janë pjesë e agjendës për reforma evropiane, do të jenë sfidat tjera që do të duhet ti përmbushim si institucione. /tesheshi.com/

 

 

Related posts