Si duhet ta flasim shqipen në pubik dhe media?! 100 albanologë nga e gjithë bota diskutojnë sot në Prishtinë

Ekspozita-Vitrina-e Muzeut-te- Kosoves-Prishtine-24korrik2015-foto-ATSH-Behlul-Jashari-1Më shumë se 100 studiues të albanologjisë kanë mbërritur në Prishtinë në Seminarin XXXIV Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili hapet solemnisht në ambientet universitare në ditën e sotme dhe zhvillohet deri në 28 gusht.

Në hapje të Seminarit merr pjesë edhe kryeministri Isa Mustafa, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve shtetërore, shkencore, kulturore e arsimore të Kosovës.

Tre temat bosht  të Seminarit për sesionet shkencore  janë: Shqipja në domenin publik, Letërsia dhe religjioni, si dhe Kultura shqiptare në tranzicion.

Axhenda e seminarit përfshinë edhe: Kurse intensive të mësimit të shqipes (tre shkallë); ligjërata të veçanta të gjuhësisë; ligjërata për letërsinë dhe për kulturën shqiptare; referime shkencore; ligjërata të përgjithshme; tryeza të rrumbullakëta; program kulturor plotësues për t’i njohur seminaristët me bukuritë natyrore, me veprimtaritë kulturore e të mira të tjera në qendra të Kosovës.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1974.

Ishte viti i Kushtetutës që avanconte të drejtat e shqiptarëve e të Kosovës si element konstituiv me të drejtë vetoje, i federatës së atëhershme.

Ky Seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.

Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e tre sesione. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Pas çlirimit të Kosovës në qershorin 1999, nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë./tesheshi.com/