728 x 90 Leaderboard

“Shqipëria që duam” nën Italinë Fashiste: çfarë i ndodhi një kamariereje italiane në Tiranë pasi fyu shqiptarët

Vitet e fundit, një sërë dokumentash arkivore të dalë në media, prej tyre dhe sosh nga Artan Lame, tregojnë se kohërat e luftës, nën Fashizëm apo Nazizëm, nuk kanë qenë krejt  ashtu siç janë ndërtuar në përfytyrimin tonë, sidomos prej narrativës së historiografisë komuniste.

Fjala vjen, atmosfera në Tiranë në muajt e parë pas pushtimit nga Italia Fashiste ka qenë krejt tjetër, falë dhe një situate të mirë ekonomike, ku gati-gati shoqëria shqiptare po jetonte një farë bumi. Kjo sepse administrata e pushtuesit, ku kishte shumë shqiptarë, madje dominohej prej këtyre të fundit, ishte shumë e ndjeshme ndaj çdo aspekti social, pasi tentonte t’i mbyllte rrugën çdo lloj pakënaqësie. Dhe këtu del në pah cilësia e shtetit në shërbim të qytetarit.

Si ilustrim të kësaj, kemi zgjedhur një korrespodencë të verës së vitit 1939, ku dëshmohet një ngjarje me të vërtetë e rrallë. Në Minsitrinë e Brendshme, asokohe ishte ngritur një zyrë e posaçme që quhej Inspektoria e Administratës, e cila kishte detyrë të inspektonte shkelje që viheshin re në gjithë veprimtarinë e administratës shtetërore e më gjerë.

Kryeinspektori i kësja zyre, Kol Rodhe, njoftonte përmes një shkrese ngjarjen e një të shtune mbrëma në një prej lokaleve të kryeqytetit, ku ai bashkë me një mikun e tij kishin porositur një ujë mineral, por që pas shërbimit jo korrekt të kamarieres ata kishin bërë kritikat e tyre, duke ‘nxitur’ më tej pronaren e lokalit, një italiane të quajtur Marçela, për të shpërthyer në ofendime ndaj shqiptarëve që sipas saj nuk ishin hiç xhentilë.

Kjo ngjarje në “Bar Savoja”, raportohej nga kryeinspektori Kol Rodhe, i cili i kërkonte Zyrës Sekrete në Ministrinë e Brendshme që të bënte hetime e t’i tërhiqnin vëmendjen pronares, e cila me gjuhën e saj kishte fyer rëndë shqiptarët.

Kjo shkresë e Kol Rodhes kishte ngritur në këmbë instancat përgjegjëse. Vetë ministri i Brendshëm, Maliq Bushati kishte njoftuar për këtë problematikë Prefekturën e Tiranës, ku Marçela ishin thirrur e kritikuar për qëndrimin e saj. Ishte prefekti i Tiranës Zejnel Prodani ai që njoftonte se: “zonja Marçela Giannina u thirr dhe u porosit me u sjell mirë me të gjithë klientët e saj”.

Përtej kësaj ngjarje që as mund të përfytyrohet në ditët e sotme, kjo korrespodencë zyrtare dëshmon mes të tjerash edhe mirëfunksionimin e zyrave të shtetit në atë kohë, të cilat i koordinonin punët në mënyrë perfekte brenda një kohe krejt të shkurtër deri në zgjidhjen e problemit të ngritur.

Më poshtë i sjellim të plota dokumentet e zbardhura të kësaj korrespodence bashkë me faksimilet e dokumenteve.

Mbretnija Shqiptare

Ministria e Punëve të Mbrendshme

Inspektoria e Adminsitratës

Tiranë 10.7 1939

Nr.15 –IV-Res

P.T

Ministrisë së Punëve të Mbrendshme

Zyrës Sekrete

Tiranë

Kemi nderin të sjellim në dijeni t’asaj P.T. Ministrije sa ma poshtë:

Të shtunën mbrama , me 8 të K.M.  dhe në orën  19:30, titullari i këtij institucioni duke u shoqëruar me një mikun e vet, shkuam në “Bar Savoja” të këtij qyteti dhe muarr vend në  një tavolinë , jashtë lokalit, ku porositëm dy pije, njerën ujë mineral. Garsonia e lokalit në vend të një minerale, solli një ordinare dhe të ndytë.

Për këtë servisje, miku ynë thirri garsonen dhe i foli italisht, që nuk asht ujë  minerale kjo që serviri. Aty pranë nesh ishin shumë grupe oficerësh italianë, garsonia në fjalë shkoi dhe bani çashtje tek patronesha e Bar Savojas, e cila, e hidhëruar, filloi e po bërtiste me za të lartë tue thanë se shqiptarët  kështu janë, nuk janë zhentile, tue përsëritur sa e sa herë këtë frazë para oficerëvet italianë.

Pas kësaj ndodhine të hidhun, u habitne, se si pati kurajon ajo të fyejë keqas shqiptarët me ato fjalë të vrazhta.

Patronia në fjalë qenkësh një e quajtun Marçela, italiane, e cila ka mase 4 vjet që ka ardh këtu në Tiranë dhe njifet prej gjithëve. Për sjelljet e saj asht dbuar para kohesh dhe masandej asht kthyer prapë tue u marrë  me profesione gjithfarësh.

Pra për t’ju pre hovin një gruaje të tillë që atakon aq keqas, publikisht shqiptarët, prej të cilëve ka ba jetesë kaq vjet pa as ma të voglën pengesë, lutemi të merren masat e duhuna që të paktën të mos guxojë të çvilloje një propagandë të tillë midis vllaznisë që ekziston.

Inspektori i Administratës

Kol Rodhe

Firma

 

***

Mretnija shqiptare

Ministria e Mbrendshme

Zyra Sekrete

Nr.294

Tiranë më 12.7.1939

Prefekturës Tiranë

Ju dërgojmë këtu ngjitun, kopjen e raportit nr.15-Res datë, 10.7.39 të inspektorit të administratës Z. Kol Rodhe, në lutje që t’vehet në dijeni komanda e karabinierisë, me qëllim që ta këshillojë zonjushën Marçela për tu sjellun pak ma mirë me klientët që frekuentojnë barin e saj.

Ministri

M.B (Maliq Bushati)

***

Prefektura  Mbretnore e Tiranës

Tiranë , më 8.IX.1939

P.T.

Ministrisë së Punëve të Mbrendshme

Zyrës sekrete

Tiranë

Përgjigje urdhnit nr.294 Res. datë 12.7.939-XVII.

Komanda e grupit të Ç.RR. na njofton se zonja Marcela Giannina u thirr dhe u porosit me u sjell mirë me të gjithë klientët e saj.

Prefekti Zejnel Prodani

/tesheshi.com/

 

Related posts