Shqipëria importon 3 herë më shumë mallra në Kosovë, se anasjelltas

Shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë për shtatë mujorin e këtij viti janë rritur me rreth 30 për qind. Kjo të paktën, sipas ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Qemail Minxhozi, i cili e ka quajtur lajm të mirë rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.

Sipas të dhënave, nga janari në korrik, në Kosovë janë importuar mallra nga Shqipëria në vlerë prej 82 milionë euro, ndërsa, eksporti i mallrave anasjelltas, ka arritur në rreth 27 milionë euro.

“Sot kemi një lajm të mirë nga statistikat e shkëmbimeve ekonomike midis Shqipërisë dhe Kosovës, ka rritje nga të dy anët e kufirit, si për shtetin e Kosovës dhe të Shqipërisë. Krahasuar me vitin e kaluar, Kosova për 7 mujorin e parë të këtij viti ka eksportuar 30 për qind më tepër mallra. Në qoftë se në vitin 2016-të, Kosova ka eksportuar në Shqipëri 19 milionë e 500 mijë euro mallra, në fund të muajit korrik, ajo ka eksportuar 27 milionë e 800 mijë euro. Është një rritje prej 36 për qind, shumë pozitive“, ka thënë Minxhozi për “Kosova Press”.

Ai po ashtu shtoi se edhe eksportet e Shqipërisë në Kosovë janë rritur me 31 për qind.

“Gjithashtu rritje kanë pasur edhe eksportet e Shqipërisë në drejtim të Kosovës. Në qoftë se vitin e kaluar u eksptuan 60 milionë euro, sot j  82 milionë e 500 mijë euro, e barabartë kjo me një rritje prej 31 për qind. Kjo situatë na bënë të jemi optimist që me trendin e shtatë mujorit brenda vitit 2017-të, ne do të kemi rritjen më të madhe të eksporteve dhe importeve midis dy shteteve tona“,tha Minxhozi.

Sipas tij, këto të dhëna tregojnë që shkëmbimet tregtare kanë filluar të rriten dhe kjo ka shumë rëndësi për të dyja vendet.

Minxhozi është ndalur edhe tek turizmi, ku ka thënë se këtë vit në Shqipëri ka një bum turistik.

“Shifrat e turizmit janë inkurajuese për këtë vit, ka një bum turistik do të thosha, ka qytetarë të Kosovës por edhe qytetarë të diasporës që kanë familjet në Kosovë. E ilustroj këtë vetëm me një fakt, çdo ditë nga pika kufitare e Vërmicës në drejtim të plazheve të Shqipërisë udhëtojnë mbi 8 mijë vetura. Ndërsa vetëm gjatë muajit korrik, ka pasur 3200 autobus në drejtim të territorit të Shqipërisë. Ajo që na gëzon është fakti që është rritur shumë edhe fluksi i turistëve ditor”, tha Minxhozi.

Ai shtoi se vetëm gjatë një dite kanë lëvizur nga Vërmica në drejtim e të Shqipërisë, në plazhet e Shëngjinit, Velipojë dhe Durrësit 8400 mjete, dhe po kaq janë kthyer në darkë në territorin e Kosovës.

Sipas tij, çdo ditë ka lëvizje rreth 35-40 mijë qytetarë të Kosovës që shkojnë në drejtim të Shqipërisë. /tesheshi.com/