Shkrimi prekës i aktivistit serb: “Fatima, na fal!” (dhe kujtesa se ç’thoshte Vuçiç kur Mlladiç kryente “Srebrenicën”)

Pas dhënies së vendimit për Ratko Mlladiçin, një aktivist serb, Milosh Çiriç, është treguar i pamëshirshëm ndaj gjithë asaj elite ushtarake e politike të vendit të tij, e cila shkaktoi aq shumë masakra mbi popullsinë civile të Bosnjës. Në shkrimin e tij, ai përmend me të madhe dhe një emër: Aleksandër Vuçiçin, Presidentin e sotëm të Serbisë, që në atë kohë i kish idhuj Mlladiçin me shokë…      

Nga Milosh Çiriç* 

Mbyllni sytë për një moment dhe imagjinoni gocën e re të Srebrenicës Fatima Muhiç. Ajo është 22-vjeçare, me flokët e zeza, pedantërisht të krehura nën hixhabin prej mëndafshi, me një fytyrë të ngushtë dhe krenare. Studion filozofinë në Sarajevë, dhe është krenaria e gjithë familjes së saj. Ajo është modeste dhe me humor, dhe ka shumë miq. Këtë mëngjes të artë ajo ulet vetëm në Bashçarshi, lexon shënimet nga ligjëratat, dhe kënaqet me ajrin e freskët. Ajo merr frymë thellë, pi kafe dhe ha një llokum të ëmbël. Pi një gllënjkë ujë të ftohtë, shikon në kodrat e mjegullta të Sarajevës dhe ëndërron të shkojë për në Nju Jork. Shikon orën, është koha për t’u nisur, afron duart mbi ballin e saj, ngre gishtat lart dhe i tërheq flokët nën shami. Pasi i dërgon një mesazh mamasë së saj në Srebrenicë, i dëshiron një mëngjes të këndshëm dhe i thotë se i do të gjithë. Ngrihet, e hedh çantën mbi shpatullat e saj, e buzëqeshur kalon përmes një grupi turistësh dhe zhduket në turmë. E shihni? Tani hapni sytë.

Fatima është lindur në Potoçari, një ditë pasi ushtria e Republikës Srpska u fut në Srebrenicë. Në temperatura përcëlluese, mijëra njerëz iknin në panik nga ushtria serbe, në pyje, kodra, sa më larg, në drejtim të Tuzlës, në Potoçare. Serbët këtë ditë, kanë kuptuar shumë mirë urdhërat e komandantit të tyre, në momentin kur çizmja e tij e ndyrë shkeli në Srebrenicë. Festuan dhe kënduan deri natën vonë, ndërkohë që shefat po përgasnin masakrën masive, dhe ndërkohë që gjithë makineria nga Serbia po mblidhej…për gjuetinë në meshkujt, për urdhërin “në gjunj!”, për gënjeshtrat “nuk do t’ju ndodhë asgjë, dilni lirisht”.  Më 11 korrik, gra, fëmijë, të moshuar dhe të rinj po iknin për në bazën e OKB-së. Ata nuk dinin, e si mund ta dinin, se po vrapojnë për në dhomën e pritjes për vdekje, dhe për në vendin e tyre në një varr masiv.

Në stampedën e shpirtrave të friksuara ishte edhe trimëresha Hava shtatzënë, duke u frikësuar se mos po rrëzohej në tokë, dhe masa njerëzore do të shkelte mbi të. Natën e parë në Potoçari, Hava lindi në kushte të paimagjinueshme. Nata ishte më e tmerrshme se dita, ferri i nxehtësisë po ngulfaste mijëra njerëz që po ndanin ajrin e tmerrshëm të strehës. Ajo lindi një vajzë.

Në të njëjtën kohë, 120 kilometra nga atje, në Beogradin e ndyrë, zotërinjtë ulur në karrige po shikonin emisionin Lajmet (Dnevnik) dhe po dëgjonin deklaratën e gjeneralit: “Këtu jemi në Srebrenicën serbe. Më në fund ka ardhur momenti për t’u hakmarrë ndaj turqve në këto hapësira”. Gratë përfunduan përgatitjet për festën e ditës së nesërme, Petrovdan. Pak ditë më vonë, në RTS Dnevnik, u dëgjua zëri i deputetit Vuçiç, i cili kërcënonte nga foltorja e kuvendit: “E vrisni një serb, ne do të vrasim njëqind muslimanë”.

Mijëra muslimanë tashmë janë hedhur në varre masive. Kur u mbushën përplot me njerëz, trupat u copëtuan dhe u transferuan në varrezat e dyta, përsëri të mbipopulluara pastaj u hodhën në varret e treta. Serbët kishin punë me orar të plotë deri në fund të verës. Kush drejtoi ekskavatorët? Kush drejtonte autobusët nga Valjeva, Shabaci, Uzhice për të përzënë njerëzit nga Potoçari në vendet ku u qëlluan? Kush i ngriti kufomat dhe i hodhi ato në gropa në Tomashica, Kozluk, Budak, Snagovo, Kamenica?

Komandanti i këtyre vrasësve, 16 vjet pas gjenocidit, ishte nën mbrojtjen e shtetit tonë, “në arrati”. Ai ishte parë shpesh në Beograd, në ndeshje sportive, në mesin e mysafirëve nëpër gosti të ndryshme. Pastaj ai u zhduk. Sot ne e dimë se ai ishte fshehur në një objekt ushtarak në Topçider për disa kohë. Kush janë Drazhen dhe Dragan? Dy roje të gjetur të vdekur më 5 tetor 2004 në të njëjtin objekt ushtarak. Shteti ynë dhe mediat pohojnë se kjo është një vrasje dhe vetëvrasje. Në fakt rojet u vranë, sepse e panë djallin aksidentalisht atë mëngjes. Në atë kohë, ministri i Mbrojtjes ishte Boris Tadiç.

Gjenerali “u gjet” në vitin 2011 në fshatin Lazarevo afër Zrenjaninit. Policia, plot krenari, menjëherë prononcoi emrin e tij të vërtetë, të mallkuar. Boris Tadiç pastaj informoi shkurtimisht publikun se heroi u arrestua. Komandanti menjëherë kërkoi që ai të vizitonte varrin e vajzës së tij Ana, e varrosur mu në Topçider. Ana kreu vetëvrasje në vitin 1994, duke qëlluar veten në kokë me pistoletën e babait. Sipas thashethemeve, vdekja e vajzës së tij e preku aq shumë atë që ai ndryshoi “strategjinë e tij të luftës” për shkak të saj.

A ju kujtohet Fatima? Hava Muhiç i vuri emrin vajzës së saj në vitin 2012, kur u identifikuan eshtrat e foshnjës së saj. Ato ishin të vogla dhe të përziera me të tjerët, nuk ishte e lehtë për t’i gjetur, as për t’i identifikuar se kujt i takojnë. Fatima është viktima më e re e gjenocidit në Srebrenicë. Ka të paktën 8,371 viktima si ajo, por Fatima ka jetuar më së shkurti gjatë asaj nate ferri të korrikut. Fatima, të cilën e imagjinojmë sot si gruaja e qeshur që kalon nëpër Bashçarshi, vdiq në të njëjtën orë kur lindi. Ajo kurrë nuk do të shohë kodrat e Sarajevës, as të pijë një gllënjkë ujë të ftohtë. Nëna e saj sot e sheh shpalljen e vendimit për vrasësin e fëmijës së saj, ndërsa vrasësit e tjerë të saj jetojnë lirshëm mes nesh, disa prej tyre janë në pushtet, disa në opozitë, disa prej nesh po na i mësojnë fëmijët në shkolla, disa na i shkruajnë lajmet, disa prej tyre drejtojnë me shtetin tonë.

*Autori është një aktivist i të drejtave të njeriut dhe bashkëpunëtor i Fakultetit të Studimeve të Medias, Universiteti The Neë School në Nju Jork, SHBA. 

Përktheu: Jeton Zenuni – /tesheshi.com/