Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

SHKRESA/ Partizanë gdhë në Dajtin vezullues, ankesa: hyjnë me armë dhe prishin kolltuqet

Hotel Dajti në Tiranë, ishte një prej vendeve të luksit në Shqipërinë e pasluftës dhe komunistët, që sapo kishin marrë pushtetin, në fund të 1944 e fillim të 1945, e kishin atë si vendin kryesor për pritje, takime,  festa e argëtime.

Kujtojmë se më hyrjen e komunistëve në Tiranë, festa e parë e Pavarësisë me 28 nëntor 1944 u kremtua me një demostrim politik pikërisht para Hotel Dajtit, ku fjalimin e rastit e mbajti vetë Enver Hoxha, siç dëshmohet edhe në shumë fotografi të këtij eventi.

Pas hyrjes së komunistëve në Tiranë, Hotel Dajti u kthye në rezidencë, zyrë dhe ambient pritjesh për Enver Hoxhën.

Po ashtu, fotografitë dëshmojnë se Viti i Ri, me 1 janar 1945, u festua pikërisht në ambientet e Hotel Dajtit, me shumë të ftuar edhe nga misionet e huaja në Shqipëri.

Por dokumentet dëshmojnë se, ndërsa kalonin muajt, në Hotel Dajti nuk hynin e dilnin vetëm krerët komunistë dhe nuk organizoheshin vetëm takime e festa zyrtare.

Në hollin e tij gjithë sharm,  ku dikur organizoheshin ballo madhështore apo edhe në tavernën  e tij me mobilje luksoze, tashmë hynin e dilnin lloj-lloj individësh, pa dallim shtresash shoqërore.

Kjo ishte shndërruar dhe në një fenomen shqetësues, vënë re nga drejtoria e këtij hoteli, ku drejtori Mico Garuli i drejtohej Ministrisë së Kulturës qqë të ndërhynte për të nxjerrë një urdhër kategorik që të mos lejoheshin të hynin partizanë apo edhe komunistë të tjerë më armë të gjata në tavernën e hotelit apo në sallën e ballove.

Ai vë në dukje se partizanët me armët e tyre të gjata ulen në kolltuqe dhe i shkatërrojnë ato. Po ashtu, drejtori Garuli kërkon edhe një togë partizanësh të armatosur të cilët të qëndronin roje në hyrje të Hotel Dajtit. Ndërsa për urdhërin për të mos i lejuar partizanët e armatosur të hynin në hotel, nuk hasim një dokument tjetër  si përgjigje, për kërkesën e fundit të tij, pra togën e partizanëve për të bërë roje, ishin vënë në lëvizje Ministria e Kulturës e po ashtu edhe Brigada e parë e Mbrojtjes së Popullit, prej së cilës përgjigja mbërrin e prerë: “Përderisa të na mbërrijë batalioni III që ndodhet në Durrës, kërkesa e juaj për të dërguar nji skuadër në Hotel Dajti nuk ka mundësi të plotësohet për arsye se nuk disponojmë forca”.

Me poshtë e sjellim të plotë tekstin e shkresës së drejtorisë së Hotel Dajtit:

Hotel Dajti

Drejtorija

Nr.Prot.27

Tiranë më 15.II.1945

Ministrisë Kulturës Popullore

(Drejtorisë Arteve të Bukura)

Siç është konstatuar se në sallën e tavernës gjithashtu dhe në sallën e ballos hyjnë shokë dhe partizanë të ndryshëm t’armatosur me armë të gjata për të cilën neve nuk e shohim të arsyeshme nga pikpamja, e para se mbasi këta rrinë me armë në kolltuqe të cilat shkatërrohen dhe për shumë arsye të tjera, lutem që të bëni një urdhër kategorik në të cilin të ndalohet të hymit në sallon e në tavern me armë.

Gjithashtu shofim se skuadra e partizanëve për të cilët kishim propozuar ska mbërrit akoma, ndërmjetësoni pra për mbërritjen e saj sa më parë.

Vdekje fashizmit –Liri popullit

Drejtoria

Mico Garuli. /tesheshi.com/

 

 

 

auto pjese dak

Related posts