Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Shkolla në vijën e frontit: njerëzit përpiqen të jetojnë mes plumbave në Bengazi

Në një nga lagjet më të varfra të Bengazit, pikërisht në vijën e frontit të luftës së Libisë ndaj të ashtuquajturit ISIS, një shkollë qëndron e hapur, falë një mësueseje të guximshme. Ajo është e vendosur se bombardimet dhe plumbat e snajperave nuk do të jenë pengesë për arsimimin e nxënësve të saj.

“Jam e frikësuar, shumë e frikësuar. Jam e frikësuar – dhe shpresoj që të mos ndodhë – që ne të bombardohemi, pasi xhamia ngjitur me shkollën tonë u godit jo shumë kohë më parë. Ata qëlluan kur disa nxënës ishin rrugës për në mësimin e Kuranit. Bomba e parë goditi afër një djali dhe shoku i tij u turr ta ndihmonte. Atëherë një bombë tjetër goditi dhe i hoqi këmbën. Edhe fëmija e parë gjithashtu humbi një këmbë. Ishte absolutisht e tmerrshme”.

shkolla mesuesja

Fauzia Mukhtar Abeid ka arsye për të qenë e frikësuar. Ajo është drejtorja e shkollës në lagjen al-Sulmani të Bengazit që përgjatë dy vjetëve të fundit, ka qenë vijë fronti në konfliktin libian. Më pak se një kilometër pas oborrit të shkollës, të fshehur në rrënojat e blloqeve të banimit, ndodhen luftëtarët e ISIS dhe militantë të tjerë.

Shkolla u mbyll në Maj 2014, kur zona e Al-Sulmanit u përfshi nga luftimet pas nisjes së operacionit të ushtrisë libiane për të spastruar militantët nga Bengazi.

Familjet më të pasura të lagjes u larguan me shpejtësi ose i dërguan fëmijët e tyre në shkolla private përtej bombardimeve dhe plumbave. Fëmijët më të varfër nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të qëndronin në shtëpi.

Pak më shumë se një vit më pas, të lodhur nga zbehja e perspektivës së arsimimit, disa fëmijë dhe prindërit e tyre nisën të kërkonin nga

Fauzia që të rihapte shkollën.

Ndërtesa ishte bombarduar dhe plaçkitur, kështu që prindërit mblodhën një fond për riparimin. “Disa familje dhanë nga 20 dinarë, të tjerë 20 apo 5”, thotë Hassan Omar, anëtar i këshillit lokal. “në fund, mblodhëm rreth 1 mijë dinarë nga familjet dhe 3 mijë të tjera nga komiteti qeveritar i krizës”.

Bashkë me zëvendësimin e xhamave të thyer, punëtorët bënë edhe një vrimë në pjesën e pasme të shkollës, për të lejuar nxënësit të arrijnë në klasa nga një rrugë që bombardohet më pak nga luftimet. “Ka snajpera rreth 3 kilometra larg prej këndej”, thotë Omar, “kështu që hapëm këtë derë për të shmangur problemet”.

shkolla

Shkolla nisi sërish mësimin në Dhjetor 2015. Energjia elektrike ndërpritet vazhdimisht, ujërat e zeza kanë dalë nësipërfaqe jashtë dyerve, dhe disa nga mësuesit refuzuan të kthehen në punë në një ndërtesë që është ende në rrethin e luftimeve me militantët.

Por, fëmijët janë të vendosur të vijojnë arsimimin e tyre. “Jo, nuk kemi frikë”, thotë një vajzë rreth 15-vjeçare në anglisht. “Duam të mësojmë”.

Walid al-Furjani, i cili dërgon tre nga fëmijët e tij në shkollë, bie dakord. “Fëmijët e mi kanë qëndruar në shtëpi, pa bërëa sgjë për dy vjet. Sigurisht jam i shqetësuar për ta, por është e rëndësishme që ata të studiojnë”.

Shumë libianë shpresonin se rrëzimi i kolonel Muammar Gadafit në vitin 2011, do të sillte liritë themelore politike dhe një perspektivë më të mirë për fëmijët e tyre. Në vend të kësaj, ata shohin vendin e tyre të përçarë në dhjetëra fraksione ndërluftuese.

Sipas faqes së internetit, Libya Body Count, që përdor deklaratat e shtypit për të përllogaritur numrin e viktimave, më shumë se 4 mijë njerëz kanë humbur jetën në luftimet përgjatë dy vjetëve të fundit. Ka të dhëna se tashmë ekzistojnë 2 mijë milici të veçanta, në konfliktin në Libi.

Trafikantët e armëve, militantë, trafikantë njerëzish e kapot tribalë kanë lulëzuar në gjithë këtë kaos. Armët e Gadafit janë të gjitha në duart e tyre. Në anën tjetër, janë refugjatët e dëshpëruar për të mbërritur në Europë.

Me fëmijët e saj që tashmë janë të rritur dhe me pensionimin për pak vite, Fauzia nuk kishte pse të kthehej në punë. Por, kur fqinjët e saj i kërkuan të hapte shkollën, ajo thotë se nuk mund të refuzonte.shkolla klasa

“Nuk mund t’u thoja jo atyre dhe fëmijëve. Ndjeva që ishte një detyrë kombëtare të jepja mësim për këta fëmijë. Ndërgjegja ma detyronte, edhe pse kushtet janë shumë të rrezikshme”.

“Shpresoj se vendi im të gjejë një rrugë jashtë kaosit. Duke hapur shkollën, po përpiqemi të sjellim pak normalitet këtu. Pavarësisht luftës, pavarësisht shkatërrimit, ne po vazhdojmë përpara. Kemi nevojë të jetojmë. Kemi nevojë për një të ardhme për vendin. Kemi nevojë për paqe dhe siguri. Mjaft me luftë, për hir të fëmijëve tanë!”. Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts