Shkëndija e Tetovës përballë Milanit, kapiteni Ferhan Hasani: ja si do luajmë me 7 herë kampionët e Europës

 

Shkëndija e Tetovës pritet të bëjë historinë, që deri diku e ka bërë në fakt, më vajtjen deti në Play Off-in e Europa League, ku tashmë do ketë përballë Milanin e madh. Është një performancë e shkëlqyer shqiptare që po ia zbardh faqen dhe Maqedonisë si shtet, por dhe shqiptarëve anëkënd.

Ferhat Hasani, kapiteni i ekpit, është besimplotë që dhe përballë legjendarëve të përtej Adriatikut suprizat nuk do mungojnë. E bazon këtë sidomos tek shpirti i ekipit, forca e madhe motivuese. Në një intervistë për tesheshi.com, ai flet pikërisht për këtë…   

Intervistoi: Mensur Krasniqi

Fillimisht, urime që arritët deri këtu. Jeni shndërruar në një krenari kombëtare vitet e fundit. Si ndodhi që Shkëndija të mbërrinte në këtë standart futbolli, të ofronte rezultate surpizuese dhe që tashmë pret të përballet me Milanin e madh?

Faleminderit për urimet dhe vlerësimin. Natyrisht kjo arritje ka të bëjë me një punë të madhe që është bërë vite me rradhë dhe s’do mend se nuk është e rastësishme. Në klub investohen mjete të mëdha tani, janë sjellë lojtarë që kanë luajtur në ekipe kryesore dhe kur gjërat plotësohen në rrugën e duhur, sigurisht që përballjet me Milanin do të jenë shpërblim për punën e bërë gjithë këtë periudhë.

Me Milanin, do luani me synimin maksimal të një loje të bukur, apo do keni pretendime dhe ta mposhtni?

Tani keni parasysh se bëhet fjalë për duel që ka vlerën e kualifikimit në fazën e grupeve të UEFA Europa League. Pra nuk bëhet fjalë për një ndeshje miqësore ku do të hysh për tu kënaqur. Normal, ne jemi të vetëdijshëm për pozitën e Milanit dhe pozitën tonë, mirëpo si sportistë profesionistë gjithmonë hyjmë për të bërë më të mirën në shërbim të rezultatit pozitiv. Kështu do të jetë edhe tani dhe vetëm në fund do të shofim nëse kjo do të jetë e mjaftueshme për të bërë surprizën e rradhës.

Çfarë ju bën jo thjesht të ëndërroni, por dhe të guxoni kaq shumë? Cila është ajo shtysë dhe cila është ajo armë e fortë e juaja si ekip, që iu bën të keni kaq ambicje?

Puna dhe dëshira për sfida e suksese të reja. Në të njëjtën kohë besimi në kualitetet dhe potencialin tonë si ekip dhe kuptohet edhe mbështetja që po marrim nga tifozeria, e që secili prej nesh, dëshiron të jetë pjesë e një historie të re. Unë personalisht jam shumë me fat që në klubin tim të zemrës kam qenë në të gjitha momentet historike, mendoj për trofetë e fituar apo ecuritë e suksesshme në Europë. Sepse për mua po aq e rëndësishme është edhe gjenerata që formoi KF Shkëndija dhe gjithë tjerët që kontribuan për të mbajtur gjallë këtë klub deri në këtë shkallë kur arrijmë të përballemi me një prej klubeve më të mëdha në botë.

Me sukseset që po arrini, e ndjeni veten si një pjesë e avancimit të cilësisë futbollistike në nivel mbarëkombëtar? Pra, a ndiheni dhe shqiptarë në kuptimin e gjërë të fjalës, më shumë se sa thjesht tetovarë?

Unë mendoj se çdo tetovar ndjehet më shumë shqiptar pa marrë parasysh profesionin në të cilin vepron. Tani përkundër gjërave të bukura që bëjmë si skuadër, pa dashur të tingëlloj modest dua të them se ne vetëm po bëjmë punën tonë dhe ajo është të japim më të mirën në shërbim të rezultateve të Shkëndijës. Për fat të mirë gjërat kanë shkuar mirë dhe unë bashkë me bashkëlojtarët e mi ndjehemi krenar kur shikojmë se njerëzit janë të kënaqur me punën dhe ecurinë tonë. Respekt për gjithë mbështetësit e klubit jashtë Tetovës dhe Maqedonisë, pasi ne e shohim se sot përkrahemi  gjithandej. Padyshim se kjo është një kënaqësi e veçantë që na jep shtytje shtesë.

Megjithatë, ka diçka trishtuese në gjithë këtë ngazëllim prej sukseseve të arritura: nuk keni një stadium tuajin, dhe kështu jeni të dënuar të luani gjetkë, siç ishte rasti në Strumica. A po e vuani këtë gjë, sigurisht bashkë më tifozët?

Po, padyshim që po. Të gjithë që janë të afërt me Shkëndijën e dinë se si do të ishte të luanim në Tetovë, si është në Shkup dhe si ishte në Strumicë. Por kjo nuk varet nga ne dhe nuk mund të flas për diçka që s’është në kompetencat e mia. Jemi të lumtur që kemi mundur të ecim mirë në Europë dhe falënderojmë të gjithë ata tifozë që edhe në këto kushte kanë qenë pranë nesh. Jemi mirënjohës dhe na kanë ndihmuar tej mase”.

Le të qëndrojmë tek tifozeria. Në stadiumin e Strumicës, vijnë vetëm shqiptarë për t’ju ndjekur apo dhe maqedonas? Dhe tjetra: këta të fundit i gëzohen suksesit të Shkëndijës?

Ne futbollistët vendin e kemi në terren dhe nuk kemi qasje në detaje që ndodhin në tribuna. E dimë që tifozët tanë janë pas nesh gjithandej, madje edhe atëherë kur fizikisht nuk mund të jenë me skuadrën. Tani dëgjojmë dhe lexojmë se ka pasur edhe tjerë që kanë dalë në mbështetje të klubit tonë dhe unë mund të them se do të ishim shumë krenarë nëse puna jonë ndikon në tejkalimin e pengesave tjera që nuk kanë të bëjnë më sportin.

Të rrikthehemi pak te ju personalisht. Po mbani shiritin e kapitenit të ekipës. Sa peshon kjo për ty?

Vendimi për të qenë kapiten është marrë nga klubi dhe stafi teknik në secilën kohë që po flasim. Por unë nuk e ndjej këtë se jam më shumë se tjerët. Të gjithë jemi të barabartë dhe secili prej nesh jep kontribut në arritjet e klubit. Kur fitojmë meritat janë të të gjithëve dhe në dështim të gjithë mbajmë faj dhe përgjegjësi. Tani fakti që mua më takon shiriti i kapitenit sigurisht që më jep kënaqësi, por edhe përgjegjësi. Mundohem të jem në shërbim të ekipit edhe për këtë detyrë, por më duhet të them se kam ndihmë të madhe nga gjithë bashkëlojtarët. Këta suksese janë arritur duke qenë në çdo ndeshje të themi 11-të kapitenë. Vetëm uniteti i skuadrës si grup na ka ngritur në nivele të këtilla.

Ku e sheh veten Ferhan Hasani, një rikthim i sërishëm në Evropë, apo besnikëri ndaj klubit tetovar?

Të kemi shëndetin, fillimisht e shoh vetën të jap më të mirën në fundjavë kundër Vardarit, pastaj të mundohemi të japim më të mirën në dy takimet me Milanin. Vetëm kjo është në kokën time.

Dhe për në fund, cili është mesazhi juaj për publikun para ndeshjes me Milanin?

Të shijojnë në maksimum këtë arritje të klubit që u takon edhe tyre. Si për ne futbollistët, ashtu edhe për tifozët tanë, qytetin dhe kombin është mundësi që të tregohemi në nivel të lartë para opinionit më të gjërë europian dhe botëror. Tani duhet pranuar se fakti që kemi përballë Milanin, ka bërë që gjithë sytë të drejtohen nga ne, sepse ne jemi e panjohura në raport me ekipin italian. Prandaj vlerësoj se këtë moment duhet shfrytëzuar maksimalisht për të lënë një përshtypje të mirë para tjerëve që mbase do të na shërbejë në të ardhmen”. /tesheshi.com/